Ndërlidhjet

SHBA, kritika Kosovës për korrupsionin


Uashington, zyrat qendrore të Departamentit të Shtetit
Uashington, zyrat qendrore të Departamentit të Shtetit

Departamenti amerikan i Shtetit në raportin vjetor për gjendjen e të drejtave të njeriut thekson se korrupsioni, ndërhyrja e qeverisë në forcat e rendit e sigurisë dhe në gjyqësor, mbeten ndër problemet kryesore në Kosovë. Raporti nënvizon se ka rënie të dhunës ndëretnike, por problem mbeten strukturat paralele të Serbisë.



Legjislacioni në Kosovë në masën më të madhe ofron mbështetjen e nevojshme për respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut në shumë fusha; nga respektimi i lirive themelore, atë për lirinë e shprehjes dhe mediave, mbrojtjen për pakicat, gratë e fëmijët.

Megjithatë, korrupsioni dhe gjyqësori mbeten problemet kryesore lidhur me gjendjen e të drejtave të njeriut në vend - janë vlerësimet e raportit më të fundit të Departamentit të Shtetit për gjendjen e të drejtave të njeriut në botë.

Ashtu si për çdo vend tjetër, raporti analizon një mori aspektesh të të drejtave të njeriut në Kosovë.

“Ligji parasheh ndëshkime rreth korrupsionit të zyrtarëve, por Qeveria nuk e ka zbatuar ligjin në mënyrë efikase. Zyrtarë të përfshirë në praktika korruptive kanë kaluar pa u ndëshkuar. Bazuar në raportet e Bankës Botërore, korrupsioni ishte problem serioz”.

“Ekziston një përshtypje e përgjithshme për ekzistencën e korrupsionit në qeveri. Organizatat ndërkombëtare dhe OJQ-të, në vazhdimësi kanë raportuar se korrupsioni mbetet një problem serioz. Mungesa e një sistemi efikas juridik dhe dobësitë në shtetin ligjor kanë kontribuar në korrupsionin e qeverisë”,
thuhet në raportin e Departamentit të Shtetit.

Sipas të njëjtave burime, korrupsioni dhe ndikimi i qeverisë mbeten problem dhe për forcat e sigurisë dhe rendit në Kosovë.

Korrupsioni është i pranishëm dhe në gjyqësor, derisa sistemi i gjykatave nuk është efikas, vlerëson Departamenti amerikan i Shtetit.
Të njëjtat burime pohojnë se problem për Kosovën paraqesin dhe strukturat paralele të Qeverisë së Serbisë, mes të cilave dhe gjyqësori paralel.

Për pasojë, vlerëson raporti, gjykatat në Mitrovicë, Leposaviq dhe Zubin-Potok kanë qenë të mbyllura që pas protestave të marsit të vitit 2008.

Sistemi i drejtësisë në Kosovë, në vlerësimin e Departamentit të Shtetit vuan nga zgjatja e procedurave dhe proceseve gjyqësore.

Lidhur me lirinë e fjalës dhe të mediave raporti konstaton se nuk ka pasur censurë të drejtpërdrejtë mbi mediat e shkruara, apo ato elektronike.

Por, pavarësisht këtij fakti, gazetarët kanë raportuar për presione nga politikanët apo krimi i organizuar, të cilat shpesh kanë rezultuar në forma indirekte të censurës, thuhet në raport.

Raporti i Departamentit të Shtetit për të drejtat e njeriut vlerëson se dhuna në shoqërinë kosovare ka njohur rënie, me gjithë faktin se tensionet ndëretnike mbeten të larta, në veçanti në veri të Mitrovicës.

Një tjetër problem për Kosovën mbeten personat e zhvendosur. Nga 19,695 të zhvendosur, 52 për qind janë serbë të Kosovës dhe 38 për qind shqiptarë të Kosovës.

Departamenti i Shtetit i referohet UNHCR-së, sipas së cilës mbi 15 mijë persona të zhvendosur gjenden në Mitrovicë.

Raporti vlerëson se, megjithëse Kosova nuk është nënshkruese e Konventës së vitit 1951, legjislacioni i miratuar nga Kuvendi i Kosovës i referohet konventës në fjalë.

Të njëjtat burime nënvizojnë se ka vazhduar diskriminimi ndaj serbëve të Kosovës, romëve, ashkalinjve, egjiptianëve sa i përket punësimit, arsimimit, shërbimeve sociale, përdorimit të gjuhës, lirisë së lëvizjes dhe të drejtave të tjera bazike.

Burimet pranë Qeverisë së Kosovës, të cilave iu referohet raporti, pranojnë se punësimi i pakicave në sektorin publik ka njohur rënie në vitin e fundit.

Qeveria është angazhuar që aktivisht të adresojë probleme të pakicave dhe t’ua shtrijë atyre dorën e bashkëpunimit për t’u ofruar mundësi të barabarta.

Raporti thekson se në Kosovë nuk kanë ndodhur vrasje, të dënuar dhe të zhdukur për motive politike.

Kosova vazhdon të përballet me problemin e personave të pagjetur që nga koha e luftës.

Raporti ndalet dhe në çështje të tjera si trafikimi i qenieve njerëzore, gjendja e grave dhe e fëmijëve. Edhe për këto sfera vlerësohet ekzistenca e legjislacionit, por vërehen mangësi në zbatimin efikas të tij.
XS
SM
MD
LG