Ndërlidhjet

Kosova teknikisht drejt BE-së


Mungesa e njohjes nga pesë shtete të Bashkimit Evropian nuk e pengon Kosovën në rrugën e integrimit të saj në BE, thonë përfaqësues të institucioneve në Kosovë. Mirëpo, ekspertët për integrime në BE thonë se përmbushja e kritereve teknike, si mundësi e ofruar nga vetë Brukseli zyrtar, nuk po shfrytëzohet si duhet nga autoritetet në Kosovë.



Në kohën kur Bashkimi Evropian po thekson kërkesën për intensifikimin e bashkëpunimit ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit zyrtar, vetë BE-ja vazhdon të ballafaqohet me mungesën e konsensusit politik për njohjen e shtetësisë së Kosovës dhe, rrjedhimisht, mungesën e marrëdhënieve kontraktuale me vendin.

Mirëpo, autoritetet në Kosovë thonë se, me gjithë ekzistimin e problemeve që ka BE-ja, për shkak të mosnjohjes së Kosovës nga pesë shtetet anëtare, është arritur, siç thuhet, një konsensus në heshtje në radhët e të gjitha vendeve anëtare të BE-së, për të avancuar Kosovën në rrugën e integrimeve.

Kryeshefi i Agjencisë për Koordinime të Donacioneve, Zhvillim dhe Integrime Evropiane, Edon Cana, shpjegon:

“Ekzistojnë probleme. Është evidente, sepse sa i përket politikës së jashtme, dhe ne jemi në kuadër të politikës së jashtme dhe zgjerimit, kërkohet një unitet i plotë sa i përket Bashkimit Evropian. Por, sa u përket shenjave që kemi nga shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën, ne jemi shumë optimistë se të gjitha problemet do të tejkalohen me kohë”.

Cana thekson se përmbushja e kritereve teknike për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian nuk duhet të pengohet nga problemi politik që Prishtina zyrtare ka me Brukselin, sa u përket 5 shteteve që hezitojnë ta njohin pavarësinë e Kosovës.

“Neve na duhet të punojmë në shtëpi, t’i bëjmë detyrat e shtëpisë, t’i përmbushim kriteret teknike; sa i përket procesit politik, të mos e konsumojmë kohën kot, sepse përmbushja e kritereve teknike nga ana e Kosovës, do të ndikojë që edhe pesë shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën, të kenë një qasje shumë më konstruktive, edhe pse deri më tani nuk kemi pasur ndonjë problem shumë të madh”
, thotë Cana.

Njohësit e procesit të integrimeve evropiane në Prishtinë thonë se një shembull, i cili dëshmon problemet që i shkaktohen Kosovës nga mungesa e marrëdhënieve kontraktuale me Bashkimin Evropian si tërësi, është procesi i liberalizimit të vizave.

Eksperti për integrime në BE, Shenoll Muharremi, thotë se procesi i riatdhesimit që i është vënë kusht Kosovës për këtë proces, është komplikuar për shkak të mungesës së njohjes nga i tërë Unioni.

Ai thotë se Kosova nuk ka strategji për lobimin në pesë shtetet që nuk e kanë njohur atë, sa i përket çështjes së njohjes.

“Vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, për shembull, marrëveshjen për riatdhesim e kanë negociuar direkt me Komisionin Evropian, ku Komisioni ka negociuar në emër të shteteve anëtare, ndërsa Kosova është duke e bërë individualisht. Pra, patjetër që ka pengesa”.

“Në anën tjetër, lirisht mund të them se e kemi absolutisht të panjohur se çfarë po bëjnë, do të thotë nuk ka kurrfarë transparence, nuk ka kurrfarë plani, kurrfarë strategjie, kurrfarë fokusi”
, thekson Muharremi.

Sidoqoftë, Muharremi thotë se Kosova nuk po i shfrytëzon mundësitë e ofruara nga Bashkimi Evropian, i cili me Studimin për Kosovën, të publikuar vitin e shkuar, i ka dhënë një mundësi Kosovës për të avancuar në procesin e integrimeve.

Andaj, ai thekson nevojën për më shumë përkushtim për kryerjen e obligimeve që dalin nga ai studim, meqë, siç thotë ai, nuk ka mbetur edhe shumë kohë deri në publikimin e raportit të radhës.

“Edhe pse ka disa progrese, ndoshta të limituara, Kosova nuk e ka trajtuar seriozisht këtë mundësi dhe nuk është duke ndërmarrë reformat e nevojshme, të cilat faktikisht mundësojnë që më shumë të përfitojë nga ky proces”, thotë Muharremi.
XS
SM
MD
LG