Ndërlidhjet

Roli i (pa)dukshëm i gruas në Kosovë


Me rastin e 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas, gratë kosovare kërkojnë nga autoritetet e vendit më shumë angazhim në përmirësimin e pozitës dhe rolit të tyre në ndërtimin e shtetit të Kosovës.



Përfaqësueset e grave kosovare shprehen të indinjuara nga fakti se gratë në Kosovë nuk e kanë ende pozitën, të cilën e meritojnë në bazë të kontributit që ato kanë dhënë dekada me radhë, e në veçanti që nga viti 1990.

Drejtoresha e Organizatës Joqeveritare “Gratë për Gratë” në Kosovë, Hamide Latifi, bën thirrje që të punohet më tepër për përmirësimin e pozitës dhe të rolit të gruas në shoqëri.

“Nuk është duke u bërë mjaft. Nëse gratë nuk janë në tavolinat ku vendoset për to, atëherë edhe vendimet që merren për to, nuk janë vendime, të cilat do t’i plotësonin nevojat e tyre dhe do t’u përshtateshin mundësive të tyre”.

“Jemi duke punuar që gratë t’i sjellim në tavolinat vendimmarrëse”
, thekson Latifi.

Zonja thotë se, përderisa vendimet në Kosovë merren nën presion të fuqisë, gratë nuk mund të jenë pjesë e vendimmarrjes, për shkak të, siç thotë ajo, natyrës së butë që kanë dhe faktit që ato kërkojnë që forma demokratike dhe paqësore të jenë në tavolinat e punës dhe të vendimmarrjes.

Por, drejtoresha e Agjencisë për Barazi Gjinore në Qeverinë e Kosovës, Shqipe Krasniqi, thotë se pozita e gruas ka shënuar avancim. Sipas saj, Qeveria e Kosovës ka një program për barazi gjinore dhe aktualisht është duke punuar në respektimin e të drejtave të grave.

“Sipas analizave që kemi bërë, kemi pasur një përfshirje të grave në institucionet publike, diku 14.5 për qind, ndërsa në këta dy vjetët e fundit ka pasur një ngritje 2.6 për qind. Gratë në pozitat vendimmarrëse janë avancuar. Po ashtu, edhe në aspektin e politikave ka pasur avancim”, thekson Krasniqi.

Organizata "Gratë për gratë" shënon Ditën Ndërkombëtare të Gruas, 8 mars 2010.
Hamide Latifi, nga Organizata “Gratë për Gratë”, thotë se institucionet e Kosovës nuk kanë ende forcë dhe gatishmëri për të përmirësuar pozitën e gruas në Kosovë. Ajo kritikon autoritetet kosovare për mosangazhimin e duhur në respektimin e të drejtave të grave.

“Ne, fillimisht, duhet t’i vetëdijesojmë gratë për të drejtat e tyre, para se të shkojmë në nivele të tjera. Mbetet akoma sfidë për institucionet respektimi i të drejtave të njeriut. Luftojmë akoma për të drejtat bazike, siç është arsimimi, punësimi etj”, thotë Latifi.

Sidoqoftë, në Kosovë është arritur të krijohet një bazë e mirë e infrastrukturës ligjore, që ka të bëjë me të drejtat e grave në Kosovë. Por, sa janë funksionalë këta mekanizma dhe sa po zbatohen ligjet, drejtoresha ekzekutive e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore,
Luljeta Vuniqi, thotë:

“Zbatimi i ligjeve ka mungesë të madhe. Gratë, gjithashtu, përbëjnë pjesën më të varfër të shoqërisë sonë. Ne e dimë se varfëria në Kosovë është mbi 40 për qind dhe kur shohim sa është varfëria e grave në këtë 40 përqindësh të popullsisë, shohim se 70 për qind e grave janë të papuna, gjë që është vështirësim i pjesëmarrjes së gruas në jetën publike”.

Ndryshe, organizata joqeveritare “Gratë për Gratë” ka shënuar 8 Marsin me një manifestim të pazakontë - me një bashkim të grave në urë, në lagjen Dragodan të Prishtinës.

Ky manifestim është pjesë e fushatës “Bashkohu me mua në urë”, organizuar nga OJQ-të “Gratë për Gratë Internacionale”, që bashkon gratë nga e gjithë bota, duke treguar se gratë mund të ndërtojnë ura të paqes dhe të zhvillimit për të ardhmen.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG