Ndërlidhjet

Ndarja - faktor destabilizues


Zyrtarë të Qeverisë së Serbisë thonë se do të mbrojnë integritetin territorial të Serbisë, që, sipas tyre, përfshin dhe Kosovën. Prishtina hedh poshtë idenë e ndarjes së Kosovës dhe thotë se një veprim i tillë do të hapte konflikte të reja.




Përfaqësues të Qeverisë së Serbisë thonë se në Beograd nuk po flitet për ndarje territoresh në Ballkan.

Sekretari shtetëror në Ministrinë Serbe për Kosovën, Zvonimir Steviq, thotë se Prishtina e Beogradi kanë shumëçka për të biseduar pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, i cili, sipas tij, do të jetë në favor të palës serbe.

“Ajo që mund të konfirmoj është se politika e Beogradit zyrtar, pra e Qeverisë së Serbisë, e Kuvendit të Serbisë dhe e Ministrisë për Kosovën, është e pandryshueshme. Kjo do të thotë që udhëheqja aktuale dhe policia aktuale kanë obligim kushtetues që të mbrojnë integritetin territorial të të gjithë Serbisë, natyrisht me mjete paqësore”.

“Me të drejtë, pritet vendim pozitiv i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, mbetet të shihet... Për të gjitha problemet që lidhen në relacionin Beograd – Prishtinë duhet ulur dhe biseduar
”, thotë Steviq.

Komenti i zyrtarit serb vjen pas deklaratës së kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ka vlerësuar se ndarja e Kosovës do ta hapte çështjen e ndryshimit të kufijve në Ballkan dhe se, siç ka thënë ai, askush nuk është i interesuar për hapjen e kësaj çështjeje.

Kreu i ekzekutivit kosovar u ka thënë mediave serbe po ashtu se ndër sfidat më të rëndësishme të sigurisë në Kosovë, është integrimi i pjesës veriore në institucionet e Prishtinës dhe zbatimi i ligjit në të gjithë vendin, gjë që, sipas tij, synohet të bëhet me zbatimin e strategjisë për veriun e Kosovës.

Mirëpo, Steviq thekson se nuk duhet të nxitohet në lidhje me këtë plan, po qe se dëshirohet të ruhet paqja dhe stabiliteti në vend.

”Përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare duhet të bien dakord: nëse Piter Feith propozon një strategji dhe Kermabon thotë se nuk është strategji zyrtare?! Personalisht mendoj se, për shkak të paqes dhe stabilitetit në gjithë territorin e Kosovës dhe për shkak të paqes mes qytetarëve, nuk duhet të nxitohet me atë strategji, e cila edhe ashtu është e papranueshme për ne”, thotë Steviq.

Strategjia për veriun e Kosovës ka nxitur reagime të ashpra të Beogradit zyrtar, duke riaktualizuar, siç thuhet, garën politike për këtë pjesë të territorit ndërmjet Prishtinës e Beogradit.

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, hedh poshtë mundësinë për shkëputjen e veriut nga territori i Kosovës.

“Për ndarje as që mund të flitet, sepse tërësia territoriale është e mbrojtur edhe me Kushtetutën e Kosovës, por edhe me dokumentin e draftit të Ahtisarit, mbi të cilin është pavarësuar Kosova”, deklaron Isufi.

Ndërkohë, analisti Halil Matoshi thotë se ndarja e Kosovës do të shkaktonte rikthimin e gjendjes që mbretëronte në Ballkan në vitet e 90-ta dhe, sipas tij, do të hapte konflikte të reja ndërmjet vendeve të rajonit.

“Një Kosovë e pavarur dhe sovrane është e pamundshme të ekzistojë pa një pjesë të territorit të saj dhe natyrisht që shqiptarët etnikë, do të thotë shumica e qytetarëve të Kosovës, do të kërkojnë solucione të tjera, e në këtë rast krijimin e një bashkimi me Shqipërinë. Shqiptarët do të kërkojnë edhe hisen e vet në rajon, sidomos në Luginën e Preshevës”, thekson Matoshi.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG