I formuar së voni, ekipi përgatitor për komunën e Mitrovicës po përballet me kërcënime dhe presione nga pjesëtarë të strukturave paralele serbe në veri.
Anëtarët e ekipit përgatitor, të emëruar nga Zyra Civile Ndërkombëtare, po cilësohen nga strukturat paralele si “tradhtarë të kombit”.
Për më tepër, strukturat paralele kanë paralajmëruar se sapo t’i marrin vesh, do t’i publikojnë emrat e këtyre anëtareve, që punojnë për ta shndërruar veriun e Mitrovicës në komunë, ashtu siç parasheh Pakoja e Ahtisarit apo legjislacioni kosovar.
Zëvendësministri i Pushtetit Lokal, Shpend Tërdeva, duke paraqitur gjendjen më të re nga Mitrovica, tregon se kërcënimet dhe presionet janë evidente.
“Ndërsa po flasim, nga informacionet e fundit që vijnë në ministri, vërehet një formë e presionit që bëhet nga strukturat paralele, një formë e specifikuar, një mënyrë e veçantë, jo në mënyrë individuale, por në një formë pak më të gjerë, ndoshta në krijimin e një opinioni më të gjerë në komunitetin serb se këta nuk e përfaqësojnë interesin serb etj.”.
“Megjithatë, ne e kemi ekipin tonë atje”, thekson për Radion Evropa e Lirë zëvendësministri Shpend Tërdeva.
Në mesin e qytetarëve serbë të veriut ka mendime të ndryshme në lidhje me komunën e re të Mitrovicës Veriore dhe serbët që po marrin pjesë në ekipin përgatitor. Marko Stefanoviq është kundër këtij ekipi.
“Mendoj se kjo është tradhti e interesit kombëtar, për shkak se ne i kemi të gjitha institucionet këtu dhe nuk na duhen kurrfarë institucionesh paralele të së ashtuquajturës Republikë e Kosovës. Mendoj se ky është gabim i madh, nuk kam fjalë për ta”, thotë ai.
Por, ka të tjerë që arsyetojnë vendimin e bashkëkombësve të tyre për t’iu bashkuar ekipit, të financuar nga Buxheti i Konsoliduar i Kosovës.
“Njerëzit nuk shohin këtu ardhmëri, sepse vetë Qeveria e Serbisë, e cila do të duhej të angazhohej më tepër, nuk po e bën këtë. Vetëm budallai vdes ku ka lindur, ndërsa i mençuri aty ku është më mirë”.
“Ndoshta, ata që punojnë në këto ekipe, kanë të drejtë, sepse ka njerëz që nuk kanë, nuk mund të merren të gjithë me kontrabandë, me tregti... Ka familjarë të ndershëm. Duhet të jetojnë nga diçka që është e ndershme”, thotë Millosh Jovanoviq.
Beogradi zyrtar, e me të edhe strukturat paralele serbe, të përqendruara në veri, janë kundër krijimit të komunës së Mitrovicës Veriore, nga frika se kështu Qeveria qendrore e Prishtinës mund të shtrijë kontrollin edhe në këtë pjesë të vendit.
Serbët e përzgjedhur nga Qeveria dhe ICO-ja në ekipin përgatitor për komunën e Mitrovicës, sipas zëvendësministrit Shpend Tërdeva, janë duke u përballur vazhdimisht me presione.
Por, ai thotë se një presion të tillë e kanë pasur edhe ekipet e Graçanicës, Ranilligut e Kllokotit, të tria këto vendbanime tashmë të shndërruara në komuna.
“Kjo qasje është permanente, sepse kemi pasur presione të tilla edhe në komunat e mëhershme, Graçanicë, Ranillug... Megjithatë, komuna e Mitrovicës Veriore i ka specifikat e veta”.
“Por, ekipi mbetet atje dhe, pavarësisht presionit, do të qëndrojmë në kuadër të planeve dhe veprimeve të Ministrisë së Pushtetit dhe Administrimit Lokal dhe të planeve të Qeverisë për integrimin e pjesës veriore”, thekson Tërdeva.
Edhe Zyra Civile Ndërkombëtare dënon kërcënimet ndaj ekipit përgatitor, që po vijnë nga pjesëtarë të strukturave paralele serbe.
“Ne e dënojmë fuqishëm retorikën agresive kundër ekipit përgatitor komunal. Ky ekip ka mandat teknik dhe anëtarët e tij punojnë për të përmirësuar jetët e qytetarëve në komunitetin e tyre”.
“Aktualisht, ekipi është në fazën trajnuese. Ndërsa, ne jemi të inkurajuar nga fakti se shumë qytetarë në veri, kryesisht të rinj, janë të gatshëm që të kontribuojnë për ndryshimet pozitive në komunitetin e tyre”, thotë zëdhënësi i ICO-së, Kai Mueller Berner.
Themelimi i komunës së Mitrovicës Veriore parashihet me planin për decentralizim, ndërsa së voni është përfshirë edhe në strategjinë gjithëpërfshirëse për integrimin e veriut.
Udhëheqësit e strukturave paralele serbe të komunave veriore të Kosovës tashmë kanë miratuar një varg masash kundër zbatimit të strategjisë.