Republika e Kosovës do të jetë e integruar në Bashkimin Evropian dhe e anëtarësuar në NATO, thanë sot presidenti dhe kryeministri i Kosovës.
Këto komente ata i bënë në kuadër të fillimit të manifestimit tradicional ”Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, që organizohet në përvjetorin e rënies së komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, dhe sakrificës së familjes Jashari për lirinë e Kosovës.
Presidenti Fatmir Sejdiu tha se Kosova ka hyrë tashmë në vitin e tretë të pavarësisë së saj dhe se gjatë kësaj kohe, ajo është dëshmuar si një faktor shumë i rëndësishëm i paqes dhe i stabilitetit në rajon.
Kosova ka marrëdhënie të shkëlqyeshme me vendet e fqinjësisë së parë dhe ajo dëshiron që marrëdhënie të mira të ketë edhe me Serbinë, tha Sejdiu.
“Marrëdhënie të tilla, ne dëshirojmë të kemi edhe me Republikën e Serbisë, e cila, për fat të keq, ende nuk po mund të lirohet nga logjika e vjetër e hegjemonisë ndaj të tjerëve, si ambicie të saj. Sido që të jetë, dora jonë për miqësi dhe bashkëpunim të sinqertë në mes dy shteteve sovrane, për të mirën e popujve tanë, mbetet e zgjatur”, theksoi presidenti Sejdiu.
“Kosova është vend evropian, andaj logjikshëm synon që sa më parë të jetë edhe de jure pjesë e institucioneve të Evropës, siç janë: Bashkimi Evropian, Këshilli i Evropës, OSBE-ja dhe mekanizma të tjerë të rëndësishëm”, tha Sejdiu.
“Kosova në NATO nënkupton sigurimin e paqes së qëndrueshme, jo vetëm për vendin tonë, por për mbarë këtë pjesë të Evropës Juglindore”, u shpreh presidenti Sejdiu.
Ndërkaq, kryeministri Hashim Thaçi tha se të rënët për lirinë e Kosovës e donin vendin në gjirin e familjes evropiane dhe të botës demokratike. Ai u zotua se institucionet e këtij vendi do ta ndjekin rrugën që e shpie Kosovën në sendërtimin e kësaj ëndrre.
“Kosova ka hyrë në vitin e njëmbëdhjetë të lirisë, në vitin e tretë të pavarësisë, gjithnjë e sigurt dhe e vendosur për të qenë pjesë e botës euroatlantike; pjesë e botës, për të cilën ëndërruan ata që na sollën në ditët e sotme. Çdo vit që kalon, i thellon themelet e lirisë së Kosovës, rrit dhe zgjeron perspektivën euroatlantike të saj”, tha Thaçi.
Presidenti Sejdiu dhe kryeministri Thaçi thanë se Kosova, 12 vjet më parë, ka përjetuar njërin prej episodeve më të rënda të historisë së saj të re, duke e vlerësuar sakrificën e familjes Jashari si aktin më sublimues të të gjitha përpjekjeve për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.