Gjasat për realizimin e idesë së bashkësisë ndërkombëtare që Beogradi e Prishtina të ulen në një tryezë diskutimi për t’i zgjidhur, siç thuhet, çështjet praktike ndërmjet të dyja vendeve, duket se do të jenë në rritje pas një vendimi të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Ndonëse nuk ka asnjë informatë zyrtare që do të përcaktonte nisjen e një dialogu të tillë, temat eventuale të diskutimeve dhe formatin e bisedimeve, një gjë, sipas analistëve për çështje politike në Prishtinë, është e qartë: bisedime për statusin e Kosovës nuk mund të ketë më, thonë ata.
Por, për çfarë do të bisedohet realisht dhe cili do të jetë disponimi i palëve për të marrë pjesë në bisedime të tilla? Analisti Agron Bajrami shpjegon:
“Besoj se as Beogradi e as Prishtina nuk janë në pozicion që të refuzojnë kërkesa të tilla të bashkësisë ndërkombëtare, meqenëse, në njërën anë, Beogradit i bëhet kërkesa si kusht për t’u afruar me Bashkimin Evropian, ndërsa, në anën tjetër, Kosovës do t’i nxirret në tavolinë kjo kërkesë për dialog me Serbinë si pjesë e strategjive të caktuara, që kanë si synim të forcojnë apo të funksionalizojnë shtetin e Kosovës në të gjitha pjesët e veta –këtu, para së gjithash, e kam fjalën për pjesën veriore”.
Zërat për nisjen e bisedimeve të tilla dolën në skenë pas vizitës në Serbi e Kosovë të ministrit të Jashtëm francez, Bernard Kushner. Deklaratat e shefit të diplomacisë franceze, të cilat vunë në pah domosdoshmërinë e bashkëpunimit ndërmjet Prishtinës e Beogradit, nga analistët interpretohen si sinjal për temat që do të jenë në fokusin e bisedimeve të tilla.
Analisti Bajrami hedh poshtë mundësinë që të ringjallet plani 6-pikësh i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, por thekson se, megjithatë, mund të diskutohen elemente të këtij plani.
Pavarësisht mohimeve të misionit EULEX, që në vizitën e fundit të shefit të këtij mekanizmi në Beograd të jetë arritur marrëveshje për krijimin e grupeve punuese për çështjet si: drejtësia, doganat dhe policia, Bajrami shpreh bindjen se EULEX-i do të përgatisë terrenin për këto bisedime.
“Është sigurisht për t’u pritur që EULEX-i do të përpiqet të aranzhojë, përmes kanaleve të ndryshme, nisjen e atij dialogu dhe unë e shoh ndoshta vizitën e Kermabonit në Beograd si një përpjekje për të nisur këtë proces menjëherë pasi që në Beograd ishte ministri i Jashtëm francez, i cili e solli atë kushtëzimin për Serbinë, se në rrugën e arritjes së statusit të kandidatit për BE, duhet edhe të hapin dialogun me Prishtinën”, thekson Bajrami.
Një gjë e rëndësishme në bisedimet eventuale Prishtinë-Beograd, sipas analistit Bardh Hamzaj, duhet të jetë dhe formulimi i qëndrimit të Prishtinës zyrtare. Hamzaj thekson nevojën për fuqizimin e diplomacisë kosovare në lidhje me këto bisedime.
“Beogradi sigurisht se do të mundohet të negociojë një format sa më të favorshëm për të, sidomos për përdorim të brendshëm të këtyre bisedave eventuale. Edhe Prishtina duhet të mos kalojë kohën në pritje të një vendimi që do të japë Gjykata Ndërkombëtare dhe eventualisht të zhbllokimit të procesit të njohjeve të shtetit të Kosovës, por të jetë pro-aktive ndaj këtyre çështjeve”, thotë Hamzaj.