Ndërlidhjet

Von Sydow: Veriu i izoluar


Bjorn von Sydow
Bjorn von Sydow

“Gjendja në veri më duhet të them se, deri në një masë, është e izoluar. Mendoj se ata duhet t’i rrisin kontaktet e tyre, të nisin bashkëpunimin...”, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, raportuesi i Këshillit të Evropës, Bjorn von Sydow.



RADIO EVROPA E LIRË
Zoti von Sydow, cilat janë përshtypjet e juaja nga vizita e dytë në Kosovë? Cilat ndryshime i keni parë krahasuar me vitin e kaluar?

BJORN VON SYDOW
Mendoj se është gjë pozitive që pjesëtarët e komuniteteve e ndjejnë se është më e lehtë të lëvizësh lirshëm. Siguria është shtuar në shumicën e vendeve. Një gjë e keqe është korrupsioni, që ndoshta ka qenë kësisoj edhe para një viti.

Por, kritika ndaj kësaj dukurie është rritur në një shkallë kur njerëzit kanë filluar të flasin për rrezikun e një kohezioni social ndërmjet atyre që kanë pasuri në saje të korrupsionit dhe atyre, shumicës së popullit, pavarësisht se cilit komunitet i përket, që nuk kanë.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se këto ndarje do të mund të shkaktonin një krizë sociale në Kosovë në të ardhmen?

BJORN VON SYDOW
Shpresoj, me të vërtetë, se nuk do të ndodhë kjo, por disa vendimmarrës më kanë thënë se ka gjasa të ndodhë. Unë definitivisht nuk dua ta shoh këtë dhe jam shumë i kënaqur që një nga gjykatat ndërkombëtare, gjykata e EULEX-it në Prizren, do ta shqyrtojë një rast mbi korrupsionin.

Nuk do të jepja një verdikt, por mendoj se është shumë i rëndësishëm për rritjen e besueshmërisë ndaj institucioneve fakti që një çështje e tillë shqyrtohet nga një gjykatë dhe bëhet publike.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur flasim për EULEX-in, cilat mendoni se kanë qenë rezultatet e EULEX-it që nga nisja e punës së tij këtu?

BJORN VON SYDOW
Ka bërë disa përmirësime kur bëhet fjalë për policinë. Po ashtu, është inkurajuese se ka më shumë gjykime nëpër gjykata. Ata janë duke bërë shumë hapa të progresit.

RADIO EVROPA E LIRË
Një problem ende mbetet veriu i Kosovës - për EULEX-in dhe institucione të tjera të Kosovës. Cili është vlerësimi i juaj për problemin në veri?

BJORN VON SYDOW
Gjendja në veri më duhet të them se, deri në një masë, është e izoluar. Kam pasur biseda me politikanë në veri, natyrisht serbë. Mendoj se ata (serbët), në fakt, nuk janë në dijeni për atë çfarë po bëjnë dhe po mendojnë njerëzit në Beograd. Ata nuk kanë shumë lidhje me serbët që jetojnë nëpër enklava në jug të Kosovës.

Mendoj se ata kanë mungesë të kontakteve, kontakteve me serbët në jug të Kosovës dhe po ashtu me Beogradin. Mendoj se ata duhet t’i rrisin kontaktet e tyre, të nisin bashkëpunimin dhe të mos jenë aq të izoluar në lidhje me perceptimet mbi atë që po ndodh në të vërtetë në Kosovë dhe në botë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju thoni se ata duhet të fillojnë bashkëpunimin. Bashkëpunimin me kë?

BJORN VON SYDOW

Tani ku gjendemi ne në Prishtinë, në Kosovë, ka pasur zgjedhje lokale. Ka politikanë serbë që janë zgjedhur në zyrat nëpër komuna.

Ata (serbët në veri) do të duhej të nisnin bashkëpunimin me ta (përfaqësuesit e zgjedhur të serbëve nga zgjedhjet lokale), për të gjetur interesin e përbashkët dhe për të shfrytëzuar numrin e tyre këtu, duke rritur ndikimin e tyre, por po ashtu duke qenë më të informuar për zhvillimin e jetës këtu.

RADIO EVROPA E LIRË
Është lansuar një strategji nga institucionet e Kosovës dhe ICO-ja. A mendoni se ky dokument do të ishte një zgjidhje për serbët dhe shqiptarët në veri?

BJORN VON SYDOW
Nuk më takon mua si raportues i Këshillit të Evropës dhe nuk e kam mandatin për të thënë diçka në lidhje me këtë strategji. Andaj, do t’i shmangesha komentimit të kësaj strategjie. Rritja e komunikimit dhe e kontakteve është hapi që unë do të sugjeroja.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG