Autoritetet ndërkombëtare, njohës të procesit zgjedhor dhe përfaqësues të organizatave joqeveritare që veprojnë në Kosovë, thanë se zgjedhjet e fundit lokale në vend kanë dëshmuar për rëndësinë e shoqërisë civile në ecurinë e këtyre zgjedhjeve.
Ndonëse procesi elektoral për zgjedhjet lokale të nëntorit të 2009-ës, në Kosovë, pritet të përmbyllet në muajin mars apo prill, pas përfundimit të rivotimit në komunën e Gjilanit, deri më tani kanë mundur të nxirren, siç thuhet, mësimet e para nga ky proces.
Duke rrëfyer për përvojën e tij në Maqedoni, drejtori ekzekutiv i organizatës joqeveritare MOST, Darko Aleksov, tha se aktivitetet kryesore të shoqërisë civile duhet ta kenë si cak ndryshimin e legjislacionit për zgjedhjet.
“Është shumë vështirë të ndikohet vendimmarrja, por është shumë më lehtë të ndikohet procesi i krijimit të politikave. Ky është shansi i vërtetë i shoqërisë civile”.
“Në fund të ditës, partitë politike do të ulen në një vend dhe do të arrijnë një marrëveshje politike, atëherë kur kërkohet një vendim. Çështja është se aktivitetet e ndryshme do të duhej të ndodhnin në kuadër të krijimit të politikave”, tha Aleksov.
Monitorues të zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian kishin propozuar, kohë më parë, disa ndryshime në sistemin elektoral në Kosovë.
Ish-kryeshefi i Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, Mazllum Baraliu, tha se ecuria e zgjedhjeve lokale në Kosovë ka vënë në pah nevojën për ndryshime të tilla.
Mirëpo, ai theksoi se një gjë e tillë duhet të bëhet përtej suazave politike.
“Duhet një debat politik për ligjet elektorale dhe ai duhet të jetë gjithë-shoqëror, e jo si bëhet tash në Kuvendin e Kosovës, ku marrin pjesë dy-tre njerëz apo dhjetë njerëz, që faktikisht nuk paraqesin mendimin e shoqërisë civile dhe mendimin e opinionit publik për një çështje të caktuar”, u shpreh Baraliu.
Roli i shoqërisë civile kosovare në procesin zgjedhor, siç u theksua gjatë debatit, ka të bëjë dhe me ndikimin tek autoritetet përgjegjëse për administrimin e zgjedhjeve në njërën anë dhe të subjekteve politike, si garuese në këtë proces, në anën tjetër.
Kreu i koalicionit të organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim”, Ismet Kryeziu, tha se presioni më i madh për përmirësime duhet t’u adresohet partive politike.
“Ajo që kemi kërkuar nga subjektet politike është se ‘Në qoftë se ju nuk mund të jeni lidership i qytetarëve, ju lutem lërini qytetarët’. Shpeshherë flasim për manipulime e për vjedhje të votave. Askush nuk ka të drejtë që 600 ose 700 mijë qytetarë që kanë votuar atë ditë t’i quajë hajna apo manipulues të votës”, theksoi Kryeziu.
Në lidhje me zgjedhjet lokale në Kosovë, deri më tani, janë drejtuar një varg kritikash për manipulime ndaj partive politike, por ka pasur edhe kritika për mos-transparencë dhe zvarritje të proceseve që u janë drejtuar institucioneve, të cilat e administrojnë procesin elektoral në vend.