Ndërlidhjet

Rasti i Kurtit - në udhëkryq


Lideri i "Vetëvendosjes", Albin Kurti
Lideri i "Vetëvendosjes", Albin Kurti

Një panel i përbërë prej gjykatësve të EULEX-it dhe gjykatësve të Kosovës, ka vendosur që gjykimi i liderit të Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, të shtyhet për datën 22 shkurt 2010. Kurti nuk i është përgjigjur ftesës së Gjykatës së Qarkut, në të cilën pritej të fillonte seanca gjyqësore kundër tij, duke e quajtur të padrejtë tërë procesin.


Gjykimi i liderit të Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, i cili pritej të niste të hënën në orën 10, në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, është shtyrë për datën 22 të këtij muaji.

Këtë e konfirmoi përmes një njoftimi për media, zyra për informim e misionit të Bashkimit Evropian për forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë.

“Arsyeja e shtyrjes ishte që të pandehurit t’i jepet një kohë e mjaftueshme për të përgatitur mbrojtjen e tij, në përputhje me dispozitat relevante të kodit të procedurës penale
”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e EULEX-it.

I akuzuari Albin Kurti, i cili nuk u paraqit në seancë, i shpjegoi Radios Evropa e Lirë se përse ka vendosur ta bojkotojë procesin gjyqësor kundër tij.

“Kjo gjykatë është gjykatë e EULEX-it. Kryetari i trupit gjykues është një ndërkombëtar, i cili ka imunitet prej ligjit. Pra, bëhet fjalë për një gjykim që ma kanë organizuar, e në krye të të cilit është një njeri, që ndodhet mbi ligjin, që ai dëshiron ta zbatojë mbi mua”.

“Unë nuk kam as dëshirë as interes të bëhem bashkëpunëtor në këtë padrejtësi që po zhvillohet ndaj meje, prandaj edhe nuk i jam përgjigjur thirrjes së tyre”,
u shpreh Kurti duke theksuar se nuk do ta pranojë as avokatin Ramiz Krasniqi, të cilin EULEX-i ia caktoi si avokat mbrojtës.

Ky i fundit tha se, edhe pas refuzimit të dorëheqjes nga ana e EULEX-it, do të paraqitet në seancën e ardhshme gjyqësore mbi këtë rast.

“Unë kam qenë mbrojtës zyrtar i EULEX-it dhe jam paraqitur sipas urdhrit të EULEX-it. Unë, të hënën, kam ofruar akt-dorëheqjen për arsyet e cekura”.

“Mirëpo, paneli i gjyqtarëve nuk e ka pranuar dorëheqjen time dhe unë do të paraqitem me datën 22 në gjykim dhe nëse Albini vjen në gjykim, ai do të prononcohet nëse më pranon si mbrojtës, ose jo”,
shpjegoi Krasniqi.

Mbi Albin Kurtin rëndojnë akuzat për pjesëmarrje në një turmë që ka kryer vepra kriminale, pjesëmarrje në një grup që ka penguar personat zyrtar në kryerjen e punëve zyrtare dhe për thirrje për rezistencë në lidhje me ngjarjet e shkurtit të 2007-ës në Prishtinë, në të cilat ishin vrarë dy protestues, ndërsa ishin plagosur dhjetëra të tjerë.

Kurti tha se do të duhej të forcoheshin përpjekjet që para drejtësisë të dalin policët rumunë, të cilët atëkohë, kishin gjuajtur me plumba gome në drejtim të protestuesve.

Ai u shpreh kundër procesit në tërësi, të cilin nga administrata e Kombeve të Bashkuara në Kosovë e ka marrë përsipër EULEX-i.

“Nuk dua ta pranoj të gjithë procesin, të cilin po e inicion sistemi i tyre. Policët rumunë të UNMIK-ut që më 10 shkurt të vitit 2007 vranë Arben Xheladinin dhe Mon Balajn si dhe plagosën 80 protestues të tjerë, ndërsa këta merren me mua me qëllim të disiplinimit politik, me qëllim të kontrollit të situatës politike nëpërmjet izolimit tim”,
tha Kurti.

Ditë më parë, Këshilli kundër procesit gjyqësor ndaj liderit të Lëvizjes “Vetëvendosje”, kërkoi që të mbyllet procesi gjyqësor i rihapur nga EULEX-i, për shkak se, siç thuhej, po dëmtohet funksionimi i demokracisë dhe të drejtat e njeriut në Kosovë.

Ky Këshill i përbërë nga 40 organizata joqeveritare, gjatë një konference për media, bëri të ditur se kërkesa për mbylljen e procesit ndaj Kurtit, do t’u adresohet edhe institucioneve më të larta të Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG