Ka përfunduar pas tri orë e gjysmë, tryeza politike mes kryeministrit Sali Berisha dhe kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, e thirrur nga presidenti i Republikës, Bamir Topi.
Berisha dhe Rama janë shoqëruar në takim, nga kryetari i Grupit Kuvendor Demokrat, Astrit Patosi, dhe kryetari i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi.
Kryeministri Sali Berisha në deklarimin e tij mediatik ka lënë të hapur mundësinë e vazhdimit të negocimit me opozitën, negocim që gjithsesi përjashton, siç ka thënë Berisha, çështje që Partia Socialiste ka me sistemin gjyqësor, duke iu referuar pikërisht kushtit të opozitës për hapjen e kutive të votimit.
“E garantova edhe presidentin, edhe zotin Rama, se jemi të gatshëm për të gjitha kompromiset e nevojshme për çështjet zgjedhore që janë bilaterale, midis Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste”.
“Natyrisht, nuk mund të trajtoj dhe nuk kërkoj të trajtohen probleme që unë kam me gjykatën, siç nuk mund të trajtoj probleme që zoti Rama i ka me Gjykatën e Apelit”.
“Dal para jush si një njeri i penalizuar në mënyrën më të përsëritur gjatë procesit zgjedhor nga gjykatat. Nuk i kam bërë kurrë ato probleme ndërpartiake, i kam mbajtur dhe do t’i mbaj si probleme midis meje dhe gjykatave, të cilave jam i detyruar t’u nënshtrohem”, ka deklaruar Berisha.
Ndërsa, dyzetepesë minuta nga përfundimi i tryezës me presidentin Topi, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka thënë se kushti i opozitës nuk cenon aspak vendimin e gjykatave për procesin zgjedhor.
Edhe Rama, sikurse Berisha, ka lënë të hapur mundësinë e vazhdimit të negociatave.
“E sqarova edhe zotin Berisha se nuk kemi punë as me vendimin e gjykatave dhe as me ndonjë përpjekje për të përmbysur rezultatin e nxjerrë me rrugë ligjore përmes hetimit parlamentar. Ne vetëm duam të bëjmë autopsinë e zgjedhjeve të vdekura që zgjedhjet e ardhshme të mos vdesin më nga e njëjta sëmundje”.
“Nuk shkohet në atë tryezë për të kryer një formalitet të quajtur dialog, po për ta nxjerrë vendin nga kriza, përmes dialogut. Jam i gatshëm të vazhdoj të përpiqem me të gjitha energjitë dhe pasionin tim për t’ia dalë”.
“Por, siç ia thashë hapur dhe shumë sinqerisht zotit Berisha, nuk jam aspak i gatshëm të pranoj zvarritjen e dialogut në pafundësi, jo sepse unë nuk kam durim, përkundrazi. Por, sepse thellimi i krizës po bëhet i padurueshëm për shqiptarët dhe opozita e këtij vendi nuk përfaqëson interesat e mia, po interesat e gjithë shqiptarëve”, ka thënë zoti Rama.
Presidenti Topi në deklarimin e tij, ka vlerësuar gatishmërinë e palëve për të vijuar negociatat.
“Momenti më pozitiv i së shtunës, është predispozicioni për t’u ulur në tryezë; rifillimi i dialogut politik të mazhorancës dhe opozitës, të cilët diskutuan për opsionet e tyre dhe, natyrisht, dhanë një element shumë të rëndësishëm që tryeza e dialogut do të vazhdojë”.
“Ne ramë dakord që presidenti të vazhdojë të eksplorojë, të kërkojë pikat ku palët mund të bashkëpunojnë”.
“Kjo jep shpresë se kjo tryezë, së bashku me elementë të tjerë që kanë të bëjnë jo thjesht me faktorë politikë, por edhe ekspertizë, të vazhdojë dhe të japë garanci që demokracia në Shqipëri do të jetë funksionale, pra në funksion të interesave më madhore të popullit shqiptar”, ka deklaruar presidenti Bamir Topi.