Hapat e parë që janë hedhur nga autoritetet vendore dhe ato ndërkombëtare për përfshirjen e pjesës veriore të Kosovës në strukturat shtetërore të vendit, reflektojnë në mënyra të ndryshme te banorët serbë dhe shqiptarë të asaj pjese.
Pas emërimit të ekipit përgatitor për themelimin e komunës së re të Mitrovicës veriore, përfaqësuesit e serbëve thonë se nuk e kanë ndërmend të marrin pjesë në proceset e dizajnuara nga Qeveria e Kosovës dhe Zyra Ndërkombëtare Civile.
Definimi i përgjegjësive të komunës së re nga ana e ekipit përgatitor, pritet të pasohet me shpalljen e datës së zgjedhjeve për Mitrovicën e veriut dhe tri komunat e tjera në atë pjesë të vendit.
Mirëpo, kryetari i Këshillit Nacional Serb në veri, Milan Ivanoviq, e quan të panevojshëm këtë proces.
“Ne tashmë e kemi një komunë të krijuar në veri të Mitrovicës. Së shpejti do t’i mbajmë edhe zgjedhjet e organizuara nga institucionet serbe. Në këto zgjedhje pritet që të dalë një shumicë e qytetarëve prej rreth 70 apo 80 për qind”, thotë Ivanoviq.
Një përshtypje tërësisht tjetër e ka përfaqësuesi i banorëve të Lagjes së Boshnjakëve, në veri të Mitrovicës, Adem Mripa.
Ai e sheh krijimin e komunës së Mitrovicës veriore si një shans për përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve të asaj pjese dhe shfaq besimin se pas një kohe, do të mundësohet edhe kthimi i banorëve serbë në jug dhe atyre shqiptarë në veri.
“Vetë serbët do të pajtohen në një bashkëjetesë. Ka serbë që janë të interesuar që të kthehen edhe në bashkëjetesë në pjesën jugore”.
“Kam gjetur rreth dhjetë familje serbe, të cilat janë deklaruar se më mirë kanë jetuar në mesin e shqiptarëve, sesa në mesin e serbëve. Kështu që, kanë treguar interesim të kthehen nëpër shtëpitë e tyre në pjesën jugore”, thekson Mripa.
Mripa shpreh bindjen se me themelimin e komunës së Mitrovicës veriore do të rriten edhe investimet e Qeverisë së Kosovës për projekte të ndryshme në atë pjesë të vendit.
Një gjë e tillë, ndërkaq, parashihet edhe me strategjinë për veriun e Kosovës, të hartuar nga ekzekutivi i vendit në bashkëpunim me Zyrën Ndërkombëtare Civile.
Kjo strategji ishte kundërshtuar ashpër nga Beogradi zyrtar, i cili e cilësoi të paligjshëm zbatimin e saj.
Ivanoviq shpreh mendimin se as projekti për krijimin e komunës së Mitrovicës veriore nuk ka legjitimitet, ngase nuk gëzon mbështetjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
“Nuk ka legjitimitet, për arsye se Qeveria e Kosovës, apo i ashtuquajturi shteti i Kosovës, nuk janë pranuar nga 2/3 e të gjitha shteteve anëtare të Këshillit të Sigurimit”.
“As Zyra Ndërkombëtare në krye me Piter Feithin nuk e ka legjitimitetin e Këshillit të Sigurimit dhe nuk është pranuar nga ana e Beogradit”, shprehet Ivanoviq.
Ai thekson nevojën për përfshirjen e shtetit serb në diskutimet për zbatimin eventuale të projekteve, siç është krijimi i Mitrovicës së Veriut.
“Mendoj se këtu do të ishte mirë që të arrihet një marrëveshje në pajtueshmëri të plotë në mes të Qeverisë së Serbisë dhe të gjithë faktorëve tjerë relevantë, përfshirë edhe të gjithë serbët që jetojnë në Kosovë”, thotë Ivanoviq.
Ndërkohë, përfaqësuesit e Zyrës Ndërkombëtare Civile, nuk kanë hedhur poshtë mundësinë që në listën e pjesëmarrësve të konsultimeve për jetësimin e strategjisë për veriun të figurojnë edhe zyrtarë të shtetit serb.
Katërmbëdhjetë anëtarëve të ekipit përgatitor për komunën e re të Mitrovicës veriore parashikohet t’u bashkohen edhe nga një përfaqësues i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, një përfaqësues nga komuna jugore dhe një përfaqësues nga Zyra Ndërkombëtare Civile.