RADIO EVROPA E LIRË
Zoti ministër, gjatë ditëve të fundit, keni marrë pjesë në takimin e ministrave të mbrojtjes së NATO-s në Stamboll, ku u diskutua dhe për ristrukturimin e KFOR-it. Çfarë mund të thoni konkretisht për këtë ristrukturim?
ARBEN IMAMI
Ajo që mund të themi është se ka një vlerësim të përgjithshëm, të cilin e ndan dhe Shqipëria, se historia e NATO-s në Kosovë, është një histori suksesi. Vendi ka ardhur drejt stabilizimit, kemi një vend ku janë mbajtur zgjedhje të rregullta dhe që ka dëshmuar maturi politike.
Gjendja e përgjithshme e sigurisë është e kënaqshme dhe kjo bën që dhe prezenca e ushtarake do të shkojë në raport të zhdrejtë me rritjen e sigurisë. Ne, në mënyrë të veçantë, jemi të interesuar që ky proporcionalitet të jetë sa më i qartë.
Duke pasur parasysh që pjesa e veriut të Kosovës është në një masë të caktuar jashtë kontrollit të autoriteteve vendore atje dhe duke pasur parasysh që strukturat e pushtetit lokal janë të sponsorizuara nga Beogradi, çka shkon kundër të gjitha përpjekjeve të Aleancës dhe të aleatëve, mendojmë që çdo hap duhet të jetë i kujdesshëm.
Besoj se kjo bindje mbizotëron.
RADIO EVROPA E LIRË
Në këndvështrimin tuaj dhe të vendeve të tjera anëtare, a mendoni se numri prej 4000 trupash, që pritet të reduktojë KFOR-i në vitin 2011, sipas raporteve të agjencive të lajmeve, është i mjaftueshëm për të ruajtur stabilitetin në Kosovë?
ARBEN IMAMI
Nuk po flasim për numra. Megjithatë, më duhet të them se nuk është ky numër. Ajo që është e rëndësishme, është se çdo vendim do të merret pasi të jetë shqyrtuar gjendja dhe pasi të jenë pyetur aktorët.
RADIO EVROPA E LIRË
Kur flisni për aktorët, a do të këshillohet Aleanca me institucionet e Kosovës për ristrukturimin e KFOR-it?
ARBEN IMAMI
Kur flas për aktorët, para së gjithash, flas për aktorët lokalë. Po, ata do të kenë rolin e tyre.
RADIO EVROPA E LIRË
Kur flasim për ristrukturimin e KFOR-it, a do të përfshihet Shqipëria drejtpërdrejt në këtë mision?
ARBEN IMAMI
Shqipëria e ka deklaruar që nuk do të çojë trupa atje. Ne kemi thënë se Shqipëria do të dërgojë oficerë në kuadër të NATO-s për përgatitjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Njëherësh, do të japim dhe ndihma materiale dhe financiare për FSK-në. Rritja e kapaciteteve të FSK-së është fundamentale për stabilitetin në Kosovë dhe për realizimin e planit, për të cilin po flasim.