Vendimet e NATO-s për reduktimin e trupave të KFOR-it dhe planet që në vitin vijues të mbeten deri në 4 mijë ushtarë, tregojnë se Kosova ishte një storie e suksesit, thonë përfaqësues të institucioneve dhe partive politike në Prishtinë.
Deklaratat e kreut të Aleancës Veri-atlantike për ristrukturimin e mëtutjeshëm të KFOR-it, sipas zëdhënësit të Qeverisë së Kosovës, Memli Krasniqi, janë tregues i qartë se NATO tashmë e vlerëson Kosovën si një shtet stabil, i cili nga një sfidë ushtarake, ka kaluar në një shkallë të re - atë të zhvillimit të demokracisë si shteti më i ri.
“Këtë duhet parë si një lajm të mirë për Kosovën, sepse kur NATO vlerëson se Kosova është storie e suksesit dhe se periudha për nevojën e prezencës së theksuar të saj ka përfunduar, atëherë del se niveli i sigurisë në Kosovë tashmë është i lartë dhe se këto çështje mund të menaxhohen nga institucionet vendore”, deklaron Krasniqi.
Kreu i NATO-s, Anders Fogh Rasmusen, gjatë takimit të ministrave të Mbrojtjes të vendeve aleate ka theksuar se, aktualisht, Kosova përballet me sfida që nuk janë të natyrës ushtarake.
Një deklaratë e tillë është vlerësuar si zhvillim pozitiv jo vetëm për Kosovën por edhe për rajonin nga sekretari i përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Burim Ramadani.
“Sfidat e mëdha ushtarake kanë kaluar në rajon. Tashmë kemi edhe Shqipërinë që është pjesë e NATO-s dhe Maqedoninë që është në rrugë të drejtë për t’u bërë pjesë e NATO-s. Ndërkaq, sa i përket aspektit të brendshëm, kjo tregon se megjithatë ekziston një stabilitet i përgjithshëm i Kosovës”, thotë Ramadani.
Zyrtari i AAK-së, Ramadani, thotë se me shkurtimin e trupave të KFOR-it, Kosova duhet të nxitojë në krijimin e strukturave vendore të sigurisë, sidomos rritjes së numrit të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
“Ajo që është e domosdoshme për Kosovën, është rritja e numrit të pjesëtarëve të FSK-së, nga 3 mijë sa janë tashmë, në 7 mijë aktivë, në mënyrë që të kemi mundësinë që të sigurojmë tërë territorin e Kosovës dhe po ashtu të jemi pjesë e operacioneve paqeruajtëse e humanitare në mbarë botën”, thekson Ramadani.
Rritja e kapaciteteve vendore në ngritjen e strukturave të sigurisë, sipas zëdhënësit Memli Krasniqi, kërkon edhe plotësimin e standardeve të parapara.
Krasniqi beson se këto struktura, gradualisht do të jenë të gatshme që me shkurtimet e KFOR-it, të marrin përgjegjësi shtesë, të cilat sot nuk i kanë nën mandatin e vet.
“FSK-ja ka arritur kapacitetin operacional, është në profesionalizim të vazhdueshëm në ngritje të kapaciteteve teknike, e po ashtu edhe njerëzore, kështu që kjo duhet parë në drejtim të plotësimit të standardeve të NATO-s dhe deri tek anëtarësimi i Kosovës në Aleancën Veri-atlantike”, thotë Krasniqi.
Diplomatët në Bruksel kanë deklaruar për agjencitë e lajmeve, se ekziston mundësia e shkurtimit të forcave të NATO-s në Kosovë në më pak se 4 mijë trupa gjatë vitit 2011.