Ndërlidhjet

Malli i dyshimtë, sërish në qarkullim


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Analizat e lëngjeve të prodhuara në Serbi, që u konsideruan të dyshimta, kanë rezultuar të rregullta dhe është lejuar qarkullimi i tyre në tregun kosovar, bëjnë të ditur zyrtarë të Agjencisë së Veterinës dhe Ushqimit të Kosovës.




Disa lloje të lëngjeve që prodhohen në Serbi, e të cilat ishin bllokuar përkohësisht në tregun kosovar, për shkak të dyshimeve se përmbajtja e tyre është e rrezikshme për shëndetin, kanë filluar përsëri të qarkullojnë në tregun e Kosovës.

Drejtori i Agjencisë së Veterinës dhe Ushqimit të Kosovës, Çaush Kabashi, shpjegon arsyet e zhbllokimit të këtyre lëngjeve.

“Mostrat e këtyre lëngjeve kanë qenë në super-analiza, si rezultat i kësaj, disa prej tyre që kanë qenë në rregull, janë lejuar për qarkullim
”.

“Që nga 7 janari, për shkak të dokumentacionit jo të rregullt, e kemi ndërprerë importin nga Serbia. Deri në momentin që Serbia nuk i përgjigjet dokumentacionit relevant, sipas ligjit, nuk do t’i lejohet futja e lëngjeve në Kosovë”
, thekson Kabashi.

Llojet e lëngjeve që prodhohen në Serbi, e që ishin bllokuar janë: “Fruvita”, “La Vita”, “Zdravo”, "Takovo”, “Nektar”.

Analizat e këtyre lëngjeve qenë bërë nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, me ç’rast disa nga këto produkte nuk përputheshin me deklaracionin.

Mirëpo, importuesit e këtyre lëngjeve e shfrytëzuan të drejtën e tyre për të bërë super-analizën e këtyre lëngjeve jashtë Kosovës.

Drejtori i kompanisë “Prizren Commerc”, Florent Kabashi, thotë se veprimi i institucioneve kosovare për bllokimin e këtyre mallrave ka qenë i nxituar.

“Janë bërë analizat; është bërë edhe super-analiza. Të gjitha analizat kanë qenë mirë. Këto analiza janë dërguar në agjencitë e ushqimit dhe të veterinës në Shkup dhe Shqipëri”.

“Ky ka qenë vetëm një dëm për ne. Baza që ka thënë inspektorati sanitar që këto lëngje janë kancerogjene, nuk vjen në konsiderim”,
thotë Kabashi.

Kabashi tregon se gjatë javës së kaluar në Kosovë ka hyrë një sasi e lëngjeve “Nektar” dhe “Takovo” dhe shitja e tyre po vazhdon me ritëm shumë të mirë.

Sidoqoftë, Aleanca Kosovare e Biznesit reagon pas një vendimi të tillë.

Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, thotë se këto produkte, të cilave u është lejuar hyrja në Kosovë, janë të papërdorshme në Serbi.

“Lobimi i përfaqësuesve të Serbisë në Kosovë, është bërë më i fuqishëm dhe ky ka ndikuar që pas një muaji të ndryshojnë këto vendime”.

“Madje, të ndryshojnë edhe opinionet publike, në favor të prodhimeve të Serbisë, gjë që shkon drejtpërsëdrejti në disfavor të prodhimeve të Kosovës dhe në rrezikim të shëndetit të qytetarëve të Kosovës”
, shprehet Shahini.

Ky vendim i autoriteteve kosovare, thotë Shahini, e vë në dyshim tërë sistemin e kontrollit sanitar në Kosovë.

Megjithatë, ai thekson se e gjithë kjo mbetet në ndërgjegjen e qytetarëve të Kosovës se a do t’i konsumojnë prodhimet vendore, apo ato të Serbisë.

Sipas të dhënave të Doganave të Kosovës, vetëm gjatë periudhës janar-nëntor të vitit që lamë pas, nga Serbia për në Kosovë janë importuar mbi 21 milionë litra lëngje të prodhuara.

Derisa Serbia eksporton mallra në Kosovë, shteti i ri nuk mund të eksportojë asnjë produkt të tij në Serbi.

Madje, bizneseve kosovare nuk u lejohet që të kalojnë as transit me mallrat e tyre nëpër territorin e Serbisë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG