Ndërlidhjet

Në kujtim të Holokaustit




Gjatë Luftës së Dytë Botërore, shumë shqiptarë në Kosovë e Shqipëri strehuan dhe mbrojtën hebrenj. Në mesin e tyre, familja Rezniqi në Kosovë, e cila sot jeton në Prishtinë, është shumë e njohur për rolin që ka luajtur në këtë aspekt.

Kujtimet dhe tregimet mbi ngjarjet që ndodhën më shumë se gjysmë shekulli përpara, në këtë familje janë përcjellë brez pas brezi, nga Arsllan Rezniqi, iniciues i nismës për strehimin e hebrenjve, tek i biri Mustafa, nipi Adnani, e deri te stërnipi, 24 vjeçari Lekë Rezniqi, i cili është ngarkuar për të rrëfyer historinë e familjes së tij.

Lekë Rezniqi
Leka thotë se Holokausti, gjatë të cilit paraardhësit e tij strehuan mbi 40 familje hebraike, të përndjekura nga ushtria gjermane, në kullën e ndërtuar enkas për këtë gjë në Deçan, mbetet kujtimi më i dhimbshëm.

“Numri i hebrenjve ishte në rritje dhe ishte nevoja të rritet hapësira. Stërgjyshi merr iniciativën që në oborrin e tij ta ndërtojë një shtëpi të madhe vetëm për hebrenj. Familja e tij të rrinte në shtëpinë e vjetër, ndërsa familjet e hebrenjve që vinin, të jetonin në shtëpinë e vet”.

“Disa kanë ndenjur dy-tri ditë, disa kanë qëndruar aty me muaj. Ka qenë shtëpia e ndërtuar enkas për ta”
, rrëfen Leka, duke përshkruar rolin që ka luajtur shtëpia dykatëshe e paraardhësve të tij.

Kosova, e cila atëkohë shërbente si urë kalimi për hebrenjtë që vinin nga Serbia, Maqedonia, Rumania, Hungaria, Bullgaria dhe vende të tjera, e që synonin të arrinin në Shqipëri, konsiderohej vend më i sigurt.

Lekë Rezniqi thotë se, megjithatë, rreziqet nuk ishin të pakta. Ai shpalos tregimet e gjyshit të vet, sipas të cilave, mbrojtja e hebrenjve në mesin e familjeve nga Kosova, kërkonte guxim, shpejtësi dhe ide të ndryshme për daljen nga situata të skajshme.

Rrobat tradicionale shqiptare u shërbenin si maskë shpëtuese hebrenjve të strehuar nga kjo familje.

“Stërgjyshi, sa herë e ka parë rrezikun, që mund të ishte për hebrenjtë që janë në shtëpi, u ka thënë: ‘Vishuni me veshje kombëtare dhe ikni’. Ata, oborr pas oborri, kopsht pas kopshti, gardh pas gardhi kanë shkuar deri në fshatin Rezniq”, tregon Leka.

Të gjithë banorët e Deçanit, sipas tij, kishin njohuri për veprimtarinë e Arsllan Rezniqit, porse asnjëherë nuk ka ndodhur që patrullave naziste t’u transmetohet ndonjë lajm për strehimin e dhjetëra familjeve hebraike nga kjo familje.

Studiuesi i marrëdhënieve shqiptaro-hebraike, Haxhi Bajraktari, jep më shumë hollësi për motivet e mbrojtjes masive të hebrenjve nga shqiptarët.

“Janë disa arsye pse hebrenjtë kanë gjetur strehim dhe kanë shpëtuar në Shqipëri. Padyshim, ndër to janë zakonet dhe traditat e shqiptarëve. Në kanunin e shqiptarëve, shtëpia përkufizohet si e zotit dhe e mysafirit. Në këtë rast, hebrenjtë kanë rënë në besën e shqiptarëve dhe nikoqirët kanë qenë të detyruar që, sipas traditave të tyre, t’i mbrojnë hebrenjtë”, shpjegon Bajraktari.

Bajraktari tregon se Kosova, qysh në fillimin e shekullit 20, ka pasur një popullsi hebraike, e cila atëkohë ishte e përqendruar në Prishtinë dhe Mitrovicë - dy qendrat kryesore ku janë vendosur hebrenjtë.

Por, nuk është vetëm familja Rezniqi, e cila i kishte shpallur vetes detyrë që të ndihmojë familjet e përndjekura nga regjimi i Adolf Hitlerit. Në Kosovë, thotë Lekë Rezniqi, njihen më shumë se 60 familje, të cilat, me vite të tëra, u kanë siguruar strehë dhe mbrojtje hebrenjve në shtëpitë e tyre.

Por, pse kanë mbetur këto rrëfime të patreguara nga Shqipëria? Rezistenca e shqiptarëve në kuadër të kësaj pjese të historisë ka dalë vetëm pas rënies së regjimit izolues komunist, më 1991.

Studiuesi i marrëdhënieve shqiptaro-hebraike, Haxhi Bajraktari, shpjegon më shumë:

“Një mangësi shumë e madhe e popullit shqiptar që historia e shpëtimit të hebrenjve u harrua për pothuajse 50 vjet, kryesisht i atribuohet regjimit të Enver Hoxhës, i cili ishte regjim i egër diktatorial dhe sikurse e dëmtoi popullin shqiptar në të gjitha aspektet, edhe në rastin e mbrojtjes së komuniteti hebraik nga shqiptarët, e dëmtoi në mënyrë të pariparueshme afirmimin e kësaj sakrifice”.


Ndonëse një pjesë e madhe e shtëpive që u shërbenin si strehë hebrenjve nuk u kanë rezistuar kohës, kujtimet për këto ngjarje kanë mbetur. Për të siguruar vazhdën e ekzistimit të tyre, Mustafa Rezniqi, së bashku me disa bashkëpunëtorë të tjerë, themeloi në vitin 2006 shoqatën “Dr.Haim Abravanel”.

Dr. Abravanel dhe familja e tij kanë qenë të strehuar në shtëpinë e familjes Rezniqi.

Gjetja e familjeve që kanë ndihmuar hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore u bë qëllimi kryesor i kësaj shoqate.

Mustafë Rezniqi ka vdekur para gjashtë muajsh.

Institucioni i përkujtimit të martirëve të Holokaustit (Yad Vashem në Jerusalem) ka njohur veprën e Arsllan Rezniqit.

“Është një mirënjohje ‘Righteous among nations’, që ta përkthesh në shqip i bie ‘I drejtë në mes të kombeve’. Kjo mirënjohje na është dhënë pikërisht më 17 shkurt të vitit 2008, në ditën kur Kosova ka shpallur pavarësinë. Ka qenë vendimi i tyre”
, bën të ditur Lekë Rezniqi.

Holokausti mbetet njëra nga tragjeditë më të mëdha të kohës moderne dhe megjithëse njihet botërisht, në vete ngërthen edhe miliona tragjedi personale dhe rrëfime të patreguara.
XS
SM
MD
LG