Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Kristofer Dell, u ka garantuar mbështetje Qeverisë së Kosovës dhe Zyrës Civile Ndërkombëtare në rikthimin e sundimit të ligjit në pjesën veriore të Kosovës.
Pas kritikave të mëhershme në lidhje me mungesën e një varg ligjesh fundamentale për funksionimin e institucioneve të drejtësisë në Kosovë, ambasadori Dell tha se është e rëndësishme që këto ligje të miratohen nga Kuvendi i Kosovës gjatë këtij viti, ndërsa zbatimi i tyre të bëhet në të gjithë territorin e Kosovës.
“Për këtë arsye, ne mbështesim plotësisht planin e Qeverisë dhe të ICO-së për intensifikimin e punës në kthimin e veriut të vendit në sistemin e këtij shteti, me theks të veçantë te sundimi i ligjit”.
“Qytetarët e veriut të lumit Ibër janë të frustruar dhe të dekurajuar për shkak të jetës së tyre nën strukturat kriminale, të cilat kanë zgjeruar ndikimin e tyre atje përgjatë 10 vjetëve të fundit. Në fakt, strukturat e krimit të organizuar dhe të ashtuquajturat struktura paralele bashkohen me një fjalë – joligjshmërinë”.
“Një pjesë e madhe e agjendës sonë për sundimin e ligjit është që të sigurohet që ligji, në mënyrë të barabartë, të zbatohet në të gjitha pjesët e territorit të Kosovës”, tha ambasadori Dell, pas nënshkrimit të një memorandumi të mirëkuptimit për mbështetjen e SHBA-ve në ndryshimin e Kodit Penal të Kosovës, me ministren e Drejtësisë, Nekibe Kelmendi.
Strategjia e Zyrës Civile Ndërkombëtare dhe e Qeverisë së Kosovës për veriun e Mitrovicës, ndër të tjera, parasheh dhe krijimin e komunës së Mitrovicës veriore dhe zgjedhjen e udhëheqësve komunalë përmes organizimit të zgjedhjeve lokale brenda këtij viti.
Dell përjashtoi mundësinë e përdorimit të forcës për rikthimin e sundimit të ligjit në veri dhe duke folur për pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet e fundit lokale, ai shprehu bindjen se decentralizmi do të shërbejë si një shans i mirë për integrimin e serbëve të veriut.
“Kemi parë një shembull të përkryer për atë që qytetarët e zakonshëm serbë dëshirojnë, në nëntorin e kaluar. Ata duan një shans për të rikthyer kontrollin mbi jetën e tyre dhe qeverisjen e jetës së tyre, gjëra të cilat, përmes decentralizimit, ua ofron Pakoja e Ahtisarit dhe Qeveria e Kosovës”.
“Ata janë të lodhur nga jeta nën strukturat e paligjshme në veri dhe ata i duan të njëjtat gjëra, të cilat i duan njerëzit e zakonshëm, përfshirë shqiptarët e Kosovës në jug - ata duan një jetë më të mirë për fëmijët e tyre, duan punë, përkujdesje shëndetësore, duan shkolla”.
“Andaj, nuk mund të shtrohet pyetja për nevojën e përdorimit të dhunës. Ne thjesht po u ofrojmë njerëzve atë që duan dhe besojmë që ata do të vijnë dhe do ta pranojnë atë”, tha diplomati amerikan.
Vendimi i fundit i Beogradit për emërimin e gjykatësve dhe prokurorëve serbë në gjykatën në veri të Mitrovicës, kishte nxitur reagime të ashpra në Prishtinë, sikurse të autoriteteve vendore ashtu dhe të atyre ndërkombëtare.
Sidoqoftë, imponimi, si mundësi për zbatimin e strategjisë për veriun, u hodh poshtë, ditë më parë, edhe nga shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Piter Feith, i cili, megjithatë, nuk përjashtoi mundësinë e përfshirjes së Beogradit zyrtar në konsultat për zbatimin e këtij dokumenti.
Dell theksoi nevojën për respektimin e integritetit territorial dhe funksionimin e një sistemi qeverisës në Kosovë - gjë që, siç theksoi ai, mundësohet edhe nga Rezoluta 1244, të cilën e respektojnë edhe shtetet që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
“Tentimi i Beogradit për të riimponuar një sistem të drejtësisë këtu përbën një shkelje të qartë të Rezolutës 1244. Nuk njoh asnjë shtet, madje as ato që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, që nuk e njeh këtë”.
“Çdo shtet njeh vlefshmërinë e Rezolutës 1244, andaj i takon çdo shteti t’u rezistojë këtyre strukturave në Kosovë. 1244-shi njeh dy gjëra: integritetin territorial të Kosovës dhe faktin që këtu duhet të ketë vetëm një sistem të qeverisjes. Ne punojmë që të sigurohemi që kjo të bëhet realitet”, tha Dell.
Rëndësinë për funksionimin e vetëm një sistemi ligjor në Kosovë e theksoi edhe ministrja e Drejtësisë, Nekibe Kelmendi.
“Nuk e akceptoj qëndrimin e strukturave paralele apo të tjerëve që kanë ambicie ta ndajnë sistemin gjyqësor në sistem tjetër. Krejt ajo që del jashtë sistemit gjyqësor, të ndërtuar me Kushtetutë, me Pakon e Ahtisarit, me ligjet e Kosovës, është joligjore dhe nuk obligon”, tha Kelmendi.