Ndërlidhjet

Ndërkombëtarizimi i veriut - destabilizues


Mitrovicë
Mitrovicë

Përfaqësuesit e serbëve të pjesës veriore të Kosovës e vlerësojnë si kërcënuese për jetën e tyre strategjinë për shtrirjen e institucioneve të Kosovës në veri të Mitrovicës. Nga ana tjetër, analistë politikë thonë se shndërrimi i çështjes së veriut në çështje ndërkombëtare, do të mund të shkaktonte destabilizim të situatës në këtë pjesë të vendit.


Reagimet e Beogradit zyrtar dhe kundërshtimet e përfaqësuesve të shtetit serb ndaj strategjisë së Zyrës Ndërkombëtare Civile dhe Qeverisë së Kosovës për veriun e vendit, duket se nuk i lëkundin synimet e këtyre mekanizmave për vendosjen e sundimit të ligjit, shuarjen e strukturave paralele dhe shtrirjen e institucioneve të Kosovës edhe në veri të Mitrovicës.

Zyra Ndërkombëtare Civile, përmes një deklarate dërguar Radios Evropa e Lirë, thekson se qëllimi thelbësor i kësaj strategjie është përmirësimi i gjendjes në veri të Kosovës.

Ndonëse nuk saktësohet se a do të kërkohet drita e gjelbër e institucioneve më të larta ndërkombëtare për implementimin e strategjisë, në deklaratë ritheksohet se strategjia nuk është nismë e Bashkimit Evropian.

“Ky dokument nuk është dokument i BE-së. Rrjedhimisht, nuk është e rëndësishme se kush harton dokumente. Ajo që është e rëndësishme është që ne të shohim progres në veri”.

“Ne, vazhdimisht po hasim në njerëz që janë të interesuar për mundësitë e së ardhmes. Nuk ka asnjë qëllim për të imponuar diçka. Ne mendojmë se njerëzit duhet të kenë mundësi të shprehin mendimet e tyre dhe të vendosin për veten”
, thuhet në deklaratën e ICO-së.

Mosnjohja e Kosovës nga Serbia dhe kundërshtimi i Pakos së Ahtisarit kanë shërbyer si bazë për deklaratat e fundit të zyrtarëve serbë, përmes të cilave ICO-ja dhe Qeveria e Kosovës janë cilësuar si institucione ilegale karshi shtetit të Serbisë.

Rrjedhimisht, edhe Strategjia për veriun u vlerësua të jetë joligjore dhe në shpërputhje me rezolutën 12 44 të Këshillit të Sigurimit.

Zyrtarët vendorë e ndërkombëtare në Prishtinë, ndërkaq deklarojnë se qëllimi kryesor i Strategjisë për veriun, do të jetë shtrirja e institucioneve të shtetit të Kosovës edhe në veri.

Kryetari i Këshillit Nacional serb në veri, Millan Ivanoviq, thotë se jetësimi i kësaj strategjie përbën një kërcënim për serbët e veriut të Mitrovicës.

“Strategjia për veriun do të nënkuptonte shuarjen e institucioneve serbe, gjegjësisht institucioneve të popullit serb në Kosovë. Ne nuk kemi institucione paralele dhe përmes këtyre institucioneve ne realizojmë të drejtat tona themelore”.

“Ndërkaq, shpallja e këtyre institucioneve si institucione paralele, është shuarje e mundësisë për mbetjen tonë në Kosovë. Kjo është jokompaktibile me mbijetesën tonë në Kosovë dhe, fundja, ky nuk është qëllimi i rezolutës 12 44
”, thotë Ivanoviq.

Ai thekson se Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara duhet të vendosë për ndryshimet në Kosovë.

Mirëpo, analisti politik, Ramush Tahiri, thotë se strategjia për shtrirjen e autoritetit në veri të Mitrovicës është çështje e brendshme e shtetit të Kosovës.

Tahiri shpreh drojën se shndërrimi i çështjes së veriut në çështje ndërkombëtare, do të mund të shkaktonte destabilizim të situatës në këtë pjesë të vendit.

“Do të ishte destabilizuese nëse ndërkombëtarizohet një pjesë e territorit të Kosovës vetëm për faktin se aty jeton në shumicë dërrmuese komuniteti serb”
, vlerëson Tahiri.
XS
SM
MD
LG