Kapacitetet aktuale, e ardhmja dhe mundësitë për rikthim në tregun rajonal dhe atë botëror të kompleksit industrial në Mitrovicë, “Trepça”, vlerësohen në mënyra të ndryshme nga zyrtarët, ekspertët dhe punonjësit e kësaj kompanie.
Zëvendësministri i Energjetikës dhe Minierave, Blerim Rexha, e quan iluzor rikthimin e “Trepçës” në gjendjen, në të cilën kjo kompani gjendej para më shumë se 20 vjetësh, për shkak se, siç thekson ai, përgjatë këtyre vjetëve tregu ka pësuar ndryshime të dukshme.
“Tregu ka ndërruar prej një ekonomie të planifikuar shtetërore, jemi në një treg të lirë; edhe ‘Trepça’, edhe kompanitë tjera duhet t’i përshtaten tregut të ri”.
“Menaxhmenti i ‘Trepçës’ tash duhet të eksplorojë tregun, duhet ta kompensojë kohën e humbur prej viteve 90 deri më tani dhe të operojë si shoqëri tregtare fitimprurëse dhe në këtë frymë të tregut të lirë, të operojë, të mendojë dhe të menaxhojë”, thotë Rexha.
Problemet politike, me të cilat është ballafaquar Mitrovica që nga paslufta, vlerësohet të kenë ndikuar edhe në funksionimin e kompleksit “Trepça”.
Sidoqoftë, përfaqësues të këtij kompleksi thonë se operimi i ‘Trepçës’ në dy njësi - në jug dhe veri të Mitrovicës, është i mundshëm.
Zëdhënësi i kombinatit “Trepça”, Bislim Muçaj, shpjegon:
“Për fat të keq ‘Trepça’ e ndan fatin e qytetit të ndarë të Mitrovicës. Një pjesë e mirë e aseteve të saj gjenden në pjesën veriore, megjithëse edhe ato menaxhohen nga Agjencia Kosovare e Privatizimit”.
“Atje ka një menaxher dhe dy miniera, Cernaci dhe Bellobërdi, ku edhe atje nxirren xehe, por sidoqoftë edhe ata subvencionohen nga buxheti i Kosovës dhe i japin raporte AKP-së”.
Një zgjidhje për menaxhimin e aseteve të Trepçës, të vendosura në dy zona të ndara, synon ta ketë Strategjia e minierave, e cila parasheh ristrukturimin e kësaj kompanie.
Zëvendësministri Rexha thotë se përmes strategjisë në fjalë mundësohet mbetja e aseteve themelore për zhvillimin e veprimtarisë së saj fitimprurëse, ndërsa parashihet privatizimi i aseteve të tjera bazuar në ligjet në fuqi.
“Ne jemi duke bashkëpunuar me menaxhmentin e ‘Trepçës’, jemi në bashkëpunim edhe me Komisionin Evropian dhe kemi angazhuar disa ekspertë nga Gjermania, të cilët janë duke u marrë me format e mundshme të ristrukturimit të ‘Trepçës’, që kjo t’u përshtatet kushteve të tregut dhe të bëhet kompani fitimprurëse”, shpjegon Rexha.
Mirëpo, Strategjia e qeverisë kosovare për ristrukturimin e “Trepçës” kritikohet dhe cilësohet si e mangët nga përfaqësuesit e legjislativit kosovar.
Kryetarja e Komisionit Parlamentar për energjetikë, Myzejene Selmanaj, ngre si problem likuidimin e kredive që janë nga Serbia.
Ajo sugjeron që të bëhen llogaritjet, të shihen se cilat janë investimet që ka bërë Serbia dhe të trajtohet çështja e aseteve.
“Të bëhet një ristrukturim total i ‘Trepçës’ dhe të shihen se cilat departamente, apo cilat asete mundet Qeveria, apo AKP-ja, që të shkojnë në dhënien e aseteve teknike në privatizim, që do të thotë se Qeveria nuk ka shumë të holla që të investojë në ‘Trepçë’”, thotë ajo.
“Trepça” merret me nxjerrjen dhe përpunimin e mineraleve, kryesisht të plumbit dhe zinkut, por është edhe ndërmarrje industriale.
Aktualisht, në kuadër të kompleksit industrial të “Trepçës”, punojnë dy miniera: Stantërgu dhe Artana.
Prej fabrikave, aktualisht punon Industria Kimike, e cila prodhon sulfat-aluminin, produkt ky që përdoret për pastrimin e ujërave.
Menaxhmenti i ri në këtë kompani zotohet ta ketë përgatitur një plan të vetin për rimëkëmbjen e, siç quhet, ish-gjigantit metalurgjik.
Zëdhënësi i kombinatit “Trepça”, Bislim Muçaj, jep më shumë hollësi për këtë plan.
“Menaxhmenti ka bërë planet për vitin 2010 dhe ka një sërë projektesh për të realizuar gjatë këtij viti. Planifikohet një rritje e prodhimit”.
“Pastaj, ka një sërë projektesh në fushën e mbrojtjes së mjedisit, ristrukturime në efektivitetin e punës së ndërmarrjes, një sërë projektesh në aktivizimin e njësive pasive të ndërmarrjes që kanë qenë deri më tani, dhe hap pas hapi mendojmë t’i aktivizojmë edhe njësitë tjera, të cilat janë pasive”, shprehet Muçaj.
Sido që të jetë, rrethanat aktuale që determinojnë funksionimin e“Trepçës” duket se do të përcaktojnë jetësimin e kësaj strategjie.
Një ndër problemet kryesore që thuhet se po e mban peng kombinatin "Trepça”, në aspektin e zhvillimit dhe atë të privatizimit, është borxhi i krijuar që në vitet e 90-ta, kur ky kompleks menaxhohej nga pushteti serb.
Aktualisht, në ndërmarrjen “Trepça” janë të punësuar 1,345 punëtorë të rregullt, por janë edhe rreth 4,500 të tjerë që, për shkak të mosfunksionimit të plotë të kësaj kompanie, marrin pensione të parakohshme nga “Trepça” dhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.