RADIO EVROPA E LIRË
Autoritetet e Kosovës dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë thonë se po punojnë në strategjinë për pjesën veriore të Kosovës. Por, serbët atje janë kundër çfarëdo integrimi në institucionet e Kosovës. Si e shihni ju tërë këtë situatë?
ALEX GRIGOREV
Më duhet t’ju them së pari se unë nuk e kam parë dokumentin, por i kam parë vetëm përshkrimet e këtij dokumenti dhe shpresoj se e shoh atë kur të arrij në Prishtinë, më 1 shkurt.
Megjithatë, më duhet të them se jam i kënaqur të shoh se ekziston strategjia e Qeverisë së Kosovës për veri. Po ashtu, më pëlqen që thekset kryesore në këtë strategji janë sundimi i ligjit dhe zhvillimi ekonomik.
Jam i kënaqur të shoh se kur flitet për strategji, njerëzit e përjashtojnë çdo mundësi të përdorimit të forcës dhe kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme.
Mendoj se kjo e konfirmon politikën e përgjithshme të Qeverisë aktuale të Kosovës, për durim në implementimin e qëllimeve, me qasjen hap pas hapi dhe në mënyrë paqësore për zgjidhjen e shumë çështjeve.
Zgjedhjet e nëntorit 2009 dhe formimi i institucioneve është një rezultat shumë i mirë.
Megjithatë, jam i shqetësuar me deklaratat që vijnë nga kënde të tjera për mundësi të dhunës, nëse ka lëvizje të procesit në veri. Do të kërkoj që njerëzit të përmbahen nga deklaratat e tilla të papërgjegjshme.
Është e vërtetë se pjesa më e madhe e serbëve të Kosovës nuk duan të integrohen në shtetin e Kosovës ose në institucionet e saj. Por, po ashtu, është e vërtetë se ky ishte rast edhe në jug.
Këtu kam parasysh çështjen e policëve serbë, pastaj negociatat për rrymë elektrike me KEK-un (Korporatën Energjetike të Kosovës).
Le të kujtohemi se atëherë, ata serbë që filluan të bisedojnë me institucionet, ishin cilësuar si tradhtarë. Por, kur kjo filloi të tregojë rezultate, siç është kthimi i policëve, pastaj furnizimi me rrymë, askush më nuk e përdori këtë fjalë.
Tash konsiderohet normale kur serbët në jug flasin me Prishtinën. Është e vërtetë se serbët me të vërtetë dëshirojnë jetë normale dhe një jetë e këtillë nuk ekziston në shumë vende; nuk ekziston as në Mitrovicë.
Kur isha atje, njerëzit më thoshin se janë të shqetësuar me mungesën e sundimit të ligjit, që është parakusht kryesor për jetë normale.
E përshëndes edhe qëndrimin konstruktiv të Beogradit dhe do të dëshiroja që të vazhdojë në këtë mënyrë.
Në këtë aspekt, është i pazëvendësueshëm edhe roli i Bashkimit Evropian, pasi premtimet për pranim në BE tashmë kanë bërë shumë në eliminimin e tensioneve.
RADIO EVROPA E LIRË
Dua t’iu kthehem zgjedhjeve lokale, që i përmendët. Në këto zgjedhje, serbët e pjesës qendrore të Kosovës morën pjesë edhe pa lejen e Beogradit. Por, serbët në veri i bojkotuan zgjedhjet. Cili është shpjegimi juaj për këtë ndarje ndërmjet serbëve të Kosovës?
ALEX GRIGOREV
Mendoj se dallimet janë të dukshme dhe të qarta. Serbët në jug jetojnë afër fqinjëve shqiptarë. Çështjet më urgjente duhet të zgjidhen në bisedime me shqiptarët dhe me institucionet e Kosovës.
Kjo është absolutisht e qartë. Është e natyrshme se procesi i njëjtë mund të fillojë edhe në veri, derisa Qeveria e Kosovës po përpiqet që të ketë ndikim në gjithë territorin e Kosovës.
E kuptoj se përse serbët në veri nuk morën pjesë në zgjedhjet e nëntorit, por po ashtu pres që situata ngadalë të ndryshojë edhe atje.
RADIO EVROPA E LIRË
Një nga çështjet me prioritet për Ministrinë për Kthim të Kosovës, që udhëhiqet nga zoti Rashiq, është që të krijohen kushte më të mira për procesin e kthimit. Por, ai e ka theksuar situatën e vështirë ekonomike. Si e shihni ju këtë çështje?
ALEX GRIGOREV
Mendoj se për këtë dhe çështjet e tjera, që janë të ndërlidhura me çështjen e pakicave, pra me popullatën joshqiptare dhe veçanërisht me serbët, Qeveria duhet të mendojë për prioritetet.
Situata ekonomike në Kosovë është e vështirë për çdokënd. Në këtë aspekt, nuk e njoh asnjë kosovar që është i kënaqur me situatën aktuale.
Prandaj, politikanët duhet të mendojnë për prioritetet. Nëse prioritet është që të integrohen të gjitha pjesët e vendit, atëherë kjo është çështje e politikave, për të cilat duhen para.
Me gjithë situatën e vështirë ekonomike, shumë gjëra mund të bëhen.
RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Grigorev, pas disa ditësh, siç u përmend, do të udhëtoni për në Kosovë. Cilat janë qëllimet e kësaj vizite?
ALEX GRIGOREV
Është vit i ri dhe ne dëshirojmë përsëri ta vizitojmë një numër të zyrtarëve. Do të përpiqemi të shihemi me presidentin dhe kryeministrin, me liderët e partive politike dhe kuptohet me liderët e serbëve.
Do ta vizitojmë Graçanicën dhe Shtërpcën, për të parë se si po formohen komunat e reja dhe për ta inkurajuar bashkëpunimin më të afërt ndëretnik në Shtërpcë.
Do të inkurajojmë secilin që mori pjesë në zgjedhjet në Graçanicë, që në asamblenë komunale të punojë për të mirën e komunës.
Tash, në shumë pjesë të Kosovës, kemi zyrtarë serbë që i udhëheqin komunat, brenda sistemit të Kosovës. Këta serbë, që kanë vendosur të marrin pjesë, duhet të fillojnë të prodhojnë rezultate, përmirësime të prekshme, me angazhimin e tyre.
Puna e përbashkët ndërmjet Qeverisë dhe institucioneve të Kosovës me këta serbë është ekstremisht e rëndësishme dhe do të jetë dëshmia më e mirë për çdokënd në Kosovë, përfshirë edhe njerëzit në veri.