Ndërlidhjet

Xhemajli: Gjilani me automatizëm në rivotim


Meqë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk arriti të vendosë për komunën e Gjilanit, kjo komunë do të duhej që me automatizëm të hynte në rivotim, sikurse Prizreni dhe Lipjani, thotë Zait Xhemajli, ish-kryetar i KQZ-së. Por, Adnan Merovci, gjithashtu ish-kryetar i KQZ-së, thotë se nuk mund të shkohet me automatizëm. Që të dy pohojnë se ky proces është ndikuar politikisht.


Ecuria e mëtejmë rreth procesit zgjedhor për komunën e Gjilanit duket se do të vazhdojë të mbetet e paqartë deri në marrjen e një vendimi konkret nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë.

Kështu, të paktën, thonë njohësit e procesit zgjedhor në vend, të cilët, megjithatë, japin vlerësime të ndryshme për opsionet që i ka në dispozicion ky komision, për të dalë nga situata e krijuar, pas dështimit të miratimit të raportit final për hetimin dhe rinumërimin e votave për Gjilanin, nga Qendra e Numërimit dhe e Rezultateve.

Ish-kryetari i KQZ-së, Zait Xhemajli, thotë se mendon që pas mungesës së 2/3-ve të votave të nevojshme për miratimin e raportit të QNR-së, Gjilani me automatizëm ishte dashur t’i bashkëngjitet Prizrenit dhe Lipjanit, ku më 31 janar do të përsëriten votimet për kryetar komune.

“Sipas mendimit tim nuk ka vendim, andaj duhet të shkohet në rivotim edhe për Gjilanin”
, thotë Xhemajli.

Të kundërtën e pohon ish-kryeshefi ekzekutiv i KQZ-së, Adnan Merovci, i cili vlerëson se raporti i QNR-së, prej nga del që kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Qemajl Mustafa, ka fituar 51.48 për qind të votave, ndërsa kundër-kandidati i tij nga radhët e Lidhjes Demokratike, Fatmir Rexhepi, 48.52 për qind të votave, përcakton qartazi një fitues.

Mosmiratimi i këtij rezultati, sipas tij, kërkon një vendim tjetër.

“Për ta njohur një rezultat duhen 2/3 votave. Kjo nuk ka ndodhur, por edhe vendim për të kundërtën nuk është marrë. Nuk mund të shkohet me automatizëm duke pasur parasysh se raporti i QNR-së përcakton, në fakt, një fitues
”, shprehet Merovci.

Tutje Merovci shton se zgjidhja do të duhej të gjendej në kuadër të konsultimeve që, siç thuhet, janë duke i zhvilluar anëtarët e KQZ-së.

Këto konsultime vlerësohen si të pakuptimta nga ish-kreu i KQZ-së, Xhemajli.

“Për mua është e pakuptimtë që të bëhen konsulta shtesë, për arsye se vendimi ose merret, ose nuk merret. Sipas mendimit tim, nuk ka vendim për certifikimin e rezultateve, andaj nuk e kuptoj se çfarë konsulta shtesë duhet të bëhen”.


“A duhet tash të binden anëtarët e komisionit që ta ndërrojnë mendimin e vet dhe ta ndërrojnë votën e tyre - për mua kjo është e pakuptimtë”, thekson Xhemajli.


I tërë procesi për Gjilanin, sipas ish-zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, po dëshmon ndikimin politik në vendimmarrjen e KQZ-së.

“Votimi nuk është a është i saktë ky rezultat apo jo, votimi është a të pranohet ky rezultat apo jo. Për këtë arsye konotacioni është i pastër politik
”, thotë Merovci, konkludim ky me të cilin pajtohet dhe ish-kreu i KQZ-së, Zait Xhemajli.

Xhemajli u bën thirrje anëtarëve të KQZ-së që ta lënë mënjanë politikën në procesin zgjedhor.

“Nëse ka interferime politike, që sipas mendimit tim ka shumë, atëherë pse qëndron Komisioni?! Komisioni ka për detyrë ta zbatojë ligjin e jo të bëjë politike. Politikë bëjnë partitë politike”,
vlerëson Xhemajli.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG