Ndërlidhjet

Politika keqpërdor anketat e opinionit publik


Pamje nga Shkupi
Pamje nga Shkupi

Ekspertët vlerësojnë se partitë politike në Maqedoni po i keqpërdorin anketat e hulumtimit të opinionit publik, që t’i imponojnë mendime elektoratit. Ekspertët e anketimit sqarojnë se ekzistojnë mënyra të ndryshme, përmes së cilave mund të ndikohet në rezultate. Sipas tyre, manipulimet e shumta që bëhen nga agjencitë e ndryshme, ndikojnë te qytetarët që të mos kenë besim në rezultatet e anketave.



Kohëve të fundit në Maqedoni janë bërë përditshmëri anketat për hulumtimin e opinionit publik, që kryesisht porositen nga partitë politike për të matur besueshmërinë e tyre te votuesit.

Sipas ekspertëve që merren me rejtingun e politikanëve dhe partive politike, shpesh ndodh që në anketa të ndryshme të fitohen rezultate të ndryshme.

Ekspertët thonë se ekzistojnë mënyra të ndryshme të manipulimit të rezultatit të një ankete.

Eksperti i komunikimit politik, Petar Arovski, thotë se para së gjithash duhet pasur kujdes se kush e ka bërë anketën, sepse të pakta janë agjencitë, të cilat nuk e sakrifikojnë autoritetin e tyre në llogari të manipulimit të të dhënave me dëshirën e porositësit të anketës.

“Nëse dikush me këmbëngulje konfirmon se një parti politike e ka besimin e lartë, ajo parti edhe do të ketë rejting më të lartë. Në parim, elektorati dëshiron që të jetë me fitimtarët”.

“Ndryshe, manipulimi i anketave mund të bëhet në disa mënyra: nga formulimi i pyetjeve, nga zgjedhja e mënyrës së anketimit: a do të jetë ajo me telefon, apo në formë të intervistave sy më sy, nëse pyetjet do të jenë me më shumë zgjedhje dhe të gjitha këto janë disa mënyra të manipulimit, të cilat shkaktojnë probleme etike”,
shpjegon Arovski.

Ndërsa, profesori i Metodave të anketimit në Universitetin Shtetëror të Tetovës, Abdylnaser Sinani, thekson se ka shumë hapësirë për të dyshuar në rezultatet e anketave.

“Brenda një periudhe shumë të shkurtër bëhen dy ose tri anketa nga porositës të ndryshëm dhe për periudhë të njëjtë kohore, jepen rezultate diametralisht të kundërta”.

“Kjo, gjithsesi, na bën të dyshojmë ndaj rezultateve të anketave. Nuk bëj nivelizim të të gjitha anketave, sepse ekzistojnë institucione relevante, të cilat dinë të bëjnë anketime dhe hulumtime, që sa do pak janë të sakta”,
thotë Sinani.

Sipas ekspertëve, anketat duhet të interpretohen nga njerëz kompetentë, të cilët e marrin parasysh metodologjinë e hulumtimit të opinionit publik.

Ekspertët vlerësojnë se politikanët dëshirojnë t’i keqpërdorin rezultatet e anketave, sepse në këtë mënyrë dëshirojnë të ndikojnë ndaj opinionit publik.

Ata, gjithashtu, theksojnë se anketat duhet t’u shërbejnë politikanëve që ta dëgjojnë mendimin e qytetarëve, e jo t’u imponojnë atyre mendime.

Në të gjitha anketat e opinionit publik, si parti me ndikim më të madh çdo herë del VMRO-DPMNE-ja në pushtet, ndërsa më pas radhiten Lidhja Socialdemokrate e opozitës, Bashkimi Demokratik për Integrim në pushtet dhe Partia Demokratike Shqiptare e Demokracia e re në opozitë.

Por, shpesh të dhënat statistikore dallojnë në anketa të ndryshme, varësisht nga porositësi i tyre.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG