Ndërlidhjet

Dell: Askush s’është mbi ligjin


Kristofer Dell
Kristofer Dell

Pavarësia e Gjyqësorit, ndarja e pushteteve dhe miratimi i një varg ligjesh, në të cilat mbështetet drejtësia kosovare, janë vlerësuar të domosdoshme nga autoritetet vendore e ndërkombëtare në Kosovë. Në ceremoninë për të shënuar Ditën e Drejtësisë në Kosovë, e cila është ndërprerë për disa minuta nga aktivistët e “Vetëvendosjes”, ambasadori amerikan në Kosovë, Kristofer Dell, ka thënë se sundimi i ligjit duhet të jetë prioritet për Kosovën në vitin 2010.



Me fishkëllima dhe me një protestë të papritur të aktivistëve të Lëvizjes “Vetëvendosje”, është ndërprerë ceremonia kushtuar 16 Janarit - Ditës së Drejtësisë në Kosovë.

Në këtë mënyrë është detyruar të pushonte, deri në arritjen e pjesëtarëve të policisë, të cilët i kanë nxjerrë nga salla aktivistët e kësaj lëvizjeje, organizimi ku pjesëmarrës ishin zyrtarë vendorë dhe ndërkombëtarë në Kosovë.

Aksion i "Vetëvendosjes", 15 janar 2010.
Këta të fundit kanë thënë se veprimi i aktivistëve të Lëvizjes “Vetëvendosje” nuk i kontribuon shoqërisë kosovare, së cilës, siç është theksuar, i duhet një shoqëri e fuqishme civile.

Ministrja e Drejtësisë në Kosovë, Nekibe Kelmendi, e ka vazhduar fjalimin e saj duke e quajtur të domosdoshëm pavarësinë e Gjyqësorit për sundimin e ligjit në Kosovë.

Në këtë drejtim, ka theksuar ministrja Kelmendi, mbetet ende shumë punë për t’u bërë nga autoritetet përgjegjëse.

“Është detyrë e të gjitha institucioneve të Kosovës, e personave juridikë e fizikë, dhe e të gjithë qytetarëve të saj që ta respektojnë pavarësinë e Gjyqësorit. Mirëpo, sa i përket këtij pushteti dhe punës së gjykatave dhe prokurorive, ka shumë për të bërë”, ka thënë Kelmendi.

Ajo ka vlerësuar se në drejtim të funksionimit të shtetit të së drejtës, Kosova ka arritur përparime, ndër të cilat, siç është shprehur ajo, është miratimi i mbi 100 ligjeve nga Kuvendi i Kosovës.

Një tjetër përshtypje për këtë u duk se e kishte ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Kristofer Dell, i cili ka theksuar nevojën për miratimin e një varg ligjesh të nevojshme për sundimin e ligjit.

Ambasadori Dell ka thënë se sundimi i ligjit duhet të jetë prioritet për Kosovën për këtë vit.

Në paraqitjen e agjendës legjislative për vitin 2010, ambasadori amerikan ka theksuar se duhet të kryhet verifikimi dhe emërimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve, se duhet të miratohet Ligji për mbrojtjen e dëshmitarëve, Ligji për gjykatat, Ligji për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit dhe të tjera.

“Të gjithë personat dhe autoritetet brenda shtetit, qofshin publikë apo privatë, duhet t’i nënshtrohen ligjit, si dhe të kenë të drejtën të përfitojnë nga ligjet e miratuara publikisht dhe të zbatuara në mënyrë uniforme në gjykata”.

“Për ta bërë këtë, duhet të fillojmë nga parimi se askush nuk është mbi ligjin dhe askujt nuk mundet t’i mohohet mbrojtja e tij”
, është shprehur Dell.

Përveç institucioneve të Kosovës, Dell ka thënë se për të garantuar sundimin e ligjit, nevojitet edhe veprimi i popullit të këtij shteti. Argumentimi më i mirë për këtë, sipas tij, gjendet në fjalët e para të Kushtetutës së Kosovës.

“Ne, populli... Nëse populli nuk i mban përgjegjës udhëheqësit dhe institucionet e veta sipas ligjit, sundimi i ligjit dhe vetë demokracia, në mënyrë të pashmangshme, fillojnë të përkeqësohen dhe ata pak të privilegjuar fillojnë të besojnë se janë mbi ligjin”, ka thënë ambasadori Dell.

Sundimi i ligjit në Kosovë vlerësohet të jetë një ndër sfidat më të mëdha për institucionet e vendit, duke pasur parasysh se, siç thuhet, Kosova ende përballet me probleme, si: korrupsioni, ndërhyrjet në gjykata dhe me probleme financiare për funksionimin e sistemit gjyqësor.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG