Përfaqësues të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë ende nuk kanë arritur të përcaktojnë ecurinë e mëtejme për procesin e Gjilanit.
Pas mungesës së 2/3 të votave të nevojshme për miratimin e raportit përfundimtar të Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve (QNR) mbi hetimet dhe rinumërimin e votave për komunën e Gjilanit, KQZ-ja ka vazhduar konsultimet edhe gjatë së martës, për të gjetur një rrugëdalje nga situata e krijuar.
Kryetarja e KQZ-së, Nesrin Lushta, tha se vendimi për Gjilanin nuk është marrë ende dhe se takimi i fundit i komisionit që ajo drejton, është përqendruar në përgatitjet për rivotim në komunën e Prizrenit dhe atë të Lipjanit, më 31 janar.
“Në këtë takim është diskutuar lidhur me përgatitjet e raundit të ardhshëm të zgjedhjeve, të them ashtu kushtimisht. Është diskutuar lidhur me një çështje që ka të bëjë me regjistrimin e partive politike. Ndërsa, për çështjen e Gjilanit jemi në konsulta; konsultat ende nuk kanë përfunduar”, theksoi kryetarja Lushta.
Paralelisht me vendimin për të përsëritur zgjedhjet për kryetar komune në Prizren e Lipjan, KQZ-ja kishte vendosur që për Gjilanin të zhvillohen fillimisht hetime dhe të bëhet rinumërimi i rreth 35 mijë votave të kësaj komune, e pastaj eventualisht të vendoset për rivotim.
Në këtë mënyrë, ishte udhëzimi i 19 dhjetorit i Komisionit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për shpalljen e rivotimit në të tria komunat që ishte shqyrtuar veç e veç.
Njohësit e procesit zgjedhor në Kosovë thonë se situata e krijuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve mund të tejkalohet vetëm me një vendim tjetër të këtij komisioni.
Ish-kryeshefi i sekretariatit të KQZ-së, Mazllum Baraliu, këshilloi KQZ-në t’i analizojë dispozitat ligjore dhe situatën në tërësi për të dalë nga, siç e quajti ai, pat-pozicioni.
Baraliu nuk përjashtoi mundësinë që të rishqyrtohet çështja e rivotimit për Gjilanin.
“Kjo do të duhej të trajtohej pikërisht para se të bëhej mbledhja e ardhshme dhe të vihet në rend dite njëri variant apo tjetri dhe patjetër të dilet me njërin nga këto dy variante, që janë legjitime dhe e drejtë e KQZ-së të marrë vendim sa më parë, për hir të interesave të qytetarëve, sepse ka shumë punë për të bërë për qytetarët e Gjilanit, sepse tash jemi në një pat-pozicion”, tha Baraliu.
Një propozim për këtë çështje e bëri të ditur në mbledhjen e fundit të KQZ-së anëtari i këtij komisioni nga radhët e Aleancës Kosova e Re, Fadil Maloku, duke sugjeruar që rasti i Gjilanit të kalojë në Gjykatë Supreme.
“Unë propozova që zgjidhja të shkojë në Gjykatë Supreme dhe Gjykata Supreme të japë mendimin meritor për këtë pat-pozicion, në të cilin gjendet aktualisht Komisioni Qendror Zgjedhor”, tha Maloku.
Përfaqësues të koalicionit të organizatave joqeveritare “Demokracia në veprim”, ndërkohë, kanë thënë se autoritetet e administrimit të procesit zgjedhor në Kosovë, kanë dështuar në gjetjen e zgjidhjes për komunën e Gjilanit.
Përfaqësuesi i këtij koalicioni, Ismet Kryeziu, i bëri thirrje KQZ-së që të respektojë ligjin dhe të marrë një vendim jopolitik për komunën e Gjilanit.
“Anëtarët e KQZ-së dhe KQZ-ja si tërësi, si institucion, nuk duhet të bëjnë matematikë, të cilën e bëjnë partitë politike, të cilën e bëjnë subjektet politike, por duhet të respektojnë ligjin dhe duhet t’i marrin vendimet e veta në zbatim të ligjit dhe në përputhshmëri me ligjin”, tha Kryeziu.
Raporti i Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve, i cili nuk u miratua të hënën, e nxjerr fitues kandidatin e Partisë Demokratike të Kosovës, Qemajl Mustafën, me 51.48 për qind të votave, kundrejt kandidatit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fatmir Rexhepi, me 48.52 për qind të votave.