Ndërlidhjet

Ficxherald: Strukturat paralele – kërcënim për Kosovën


Admirali Mark Ficxherald
Admirali Mark Ficxherald

“Shkeljet e Rezolutës së KS-së janë një kërcënim për sigurinë. Pasi që institucionet paralele nuk pranohen me këtë rezolutë, ne jemi të shqetësuar në lidhje me to”, tha në Prishtinë admirali Mark Ficxherald.


Autoritetet e Aleancës Veri-atlantike kanë shprehur shqetësimin e tyre në lidhje me funksionimin e strukturave paralele në Kosovë dhe janë zotuar se do të jenë të gatshëm të reagojnë, për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin në të gjithë vendin.

Komandanti i forcave të përbashkëta në Napoli, admirali Mark Ficxherald, tha se struktura të tilla nuk e mbështesin stabilitetin dhe sigurinë në Kosovë, madje janë edhe një kërcënim për situatën e brendshme në vend.

Sidoqoftë, marrë parasysh karakterin politik të këtyre strukturave, ajo që KFOR-i mund të bëjë, sipas admiralit amerikan, është mbështetja e misioneve ndërkombëtare në trajtimin e këtij problemi.

“KFOR-i është gjithmonë i gatshëm të reagojë. Disa kërcënime, për të cilat po flasim, janë të natyrës politike, dhe KFOR-i është këtu për të mbështetur Rezolutën e Këshillit të Sigurimit, UNMIK-un, organizatat ndërkombëtare që janë këtu”.

“KFOR-i është përgjegjësi i tretë që i mbështet këto organizata këtu dhe do t’i mbështesim ato, varësisht se çfarë mbështetje kërkohet nga këto organizata”,
theksoi Ficxherald në një konferencë të përbashkët për media me komandantin e KFOR-it, Markus Bentler.

Vendimi i fundit i Beogradit për emërimin e gjykatësve dhe prokurorëve serbë në gjykatën në veri të Mitrovicës, kishte nxitur reagime të ashpra në Prishtinë, sipas të cilave nuk përjashtohej as përdorimi i forcës për t’i shuar strukturat e tilla, që cilësohen të jenë jolegale.

Problemet kryesore në aspektin e sigurisë në Kosovë, e sidomos në pjesën veriore të vendit, sipas komandantit gjerman, Bentler, kanë të bëjnë me mospajtimet ndërmjet grupeve të ndryshme etnike, që jetojnë në Kosovë. Ai mohoi që Kosovës aktualisht i kanoset ndonjë kërcënim nga jashtë.

“Kur mua më pyesin për kërcënime dhe armiqtë për Kosovën, unë kurrë nuk flas për kërcënime që vijnë nga jashtë, sepse nuk ka kërcënime të tilla. Kërcënimet që i shohim, gjenden brenda Kosovës, ndërmjet grupeve etnike në Kosovë”, u shpreh Bentler.

Ai theksoi përkushtimin e trupave të KFOR-it për t’i parandaluar incidentet sporadike në pjesë të ndryshme të Kosovës.

Vlerësimet kryesisht pozitive për situatën e përgjithshme të sigurisë në Kosovë, sipas autoriteteve të NATO-s, janë marrë si matës për reduktimin e trupave të KFOR-it në Kosovë.

Admirali Ficxherald bëri të ditur se deri në fund të këtij muaji, KFOR-i do të reduktohet deri në 10,000 ushtarë dhe se çdo reduktim i mëtejmë do të varet nga situata e sigurisë dhe nga shkalla e kalimit të përgjegjësive të KFOR-it te mekanizmat e tjerë të sigurisë që veprojnë në vend.

“Mendoj se në vitin 2010 do të shihni kalimin e më shumë përgjegjësive tek institucionet e Kosovës. E ardhmja afatshkurtër e KFOR-it do të varet nga fuqizimi i këtyre strukturave dhe përparimi eventual, të cilin do ta vëzhgojmë dhe vlerësojmë. Çdo reduktim i mëtejmë do të merret karshi zhvillimit dhe suksesit që do të arrihet në Kosovë”, pohoi admirali Ficxherald.

Duke filluar nga muaji janar, 10,000 trupat e mbetur të NATO-s në Kosovë thuhet se do të nisin ushtrime më aktive në terren.

KFOR-i po ashtu është përgjegjës për ushtrimin e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të cilët tashmë kanë arritur kapacitetet e para operacionale. Sipas Planit të Ahtisarit, Forca e Sigurisë së Kosovës është paraparë të ketë 2,500 pjesëtarë aktivë dhe 800 rezervë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG