Deputetët e partive politike në pushtet dhe atyre në opozitë thonë që prioritet i Kuvendit në vitin 2010 duhet të jetë miratimi i ligjeve, që janë të rëndësishme për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian.
Deputetja e VMRO-DPMNE-së, Sillvana Boneva, thekson se në vitin 2009 Kuvendi ka shënuar suksese të mëdha, ndërsa shpreson se në vitin 2010 do të ketë zgjidhje për çështjen e emrit.
“Prioritet për vitin 2010 mbetet vazhdimi i reformave që kërkohen nga ne dhe nga BE-ja, por, para së gjithash, qytetarët e Maqedonisë të shpresojnë se do të gjendet zgjidhje e pranuar për të gjithë për kontestin rreth emrit dhe se Maqedonia do të marrë datën për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE dhe anëtarësim në NATO”, thotë Boneva.
Ndërsa, Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë në opozitë, në vitin 2010, do të vazhdojë të kërkojë ndryshimin e Rregullores për punën e Parlamentit.
“Prioritet, sipas meje, është që të ndërtojmë atmosferë pozitive, gjithçka që kemi premtuar dhe jemi marrë vesh, të respektojmë. Rregullorja patjetër duhet të ndryshojë sipas mendimit të Komisionit të Venecias”.
“Një është kërkesa kryesore e opozitës - ajo është vendosja e një pike në rend dite me propozim të opozitës. Ai është propozim i gjithë opozitës e jo vetëm i LSDM-së dhe nga kjo shumica parlamentare nuk guxon dhe nuk duhet të ikë. Në këtë drejtim, patjetër duhet të ndryshojë rregullorja“, deklaron Cvetana Ivanova.
Në anën tjetër, kryetari i Grupit Parlamentar të Bashkimit Demokratik për Integrim, Tahir Hani, thotë se puna e Kuvendit ka qenë e kënaqshme. Hani pohon se prioritete të Kuvendit si dhe të shtetit duhet të mbeten zgjidhja e kontestit të emrit me Greqinë dhe zgjidhja e statusit të të prekurve në konfliktin e vitit 2001.
“Më prioritare është që të realizohet ajo e shumëpritura nga të gjithë qytetarët, që është në përqindje prej 98% - Republika e Maqedonisë të marrë datën për fillimin e bisedimeve me BE-në, të zgjedhë kontestin e emrit, të inkuadrohet në strukturat e NATO aleancës”, thotë Hani.
Deputetja e Demokracisë se Re, Flora Kadriu, shpreson që në vitin 2010 të zgjidhen disa nga çështjet më esenciale të shqiptarëve.
“Rasti i Sopotit patjetër duhet të zbardhet, sepse ai paraqet një kthesë në demokracinë parlamentare. Gjithashtu, zgjidhja e çështjes së statusit të luftëtarëve të konfliktit të 2001 duhet të jetë një prioritet i kësaj qeverie, sepse Maqedonia, në qoftë se është shtet social edhe në bazë të Kushtetutës, është e obligueshme të ketë një qasje të njëjtë ndaj të gjithë qytetarëve”, thekson Kadriu.
Gjatë vitit 2009, Parlamenti nuk arriti të miratojë 50% të ligjeve evropiane, për shkak se Qeveria nuk arriti të përmbushë programin e paraparë për vitin 2009, ligje këto që pritet të miratohen në vitin 2010.