Ministria Iraniane e Zbulimit ka akuzuar rreth 60 organizata të huaja si të përfshira në të ashtuquajturën “luftë të butë” në Iran, në veçanti për rolin e tyre në trazirat pas zgjedhjeve presidenciale.
Në mesin e këtyre organizatave janë Fondacioni Sorros, Radio Farda, që është shërbimi në gjuhën perse i Radios Evropa e Lirë, Human Rights Watch, si dhe Universiteti i Jeillit.
Një zyrtar i lartë i kësaj ministrie ka akuzuar grupet në fjalë se po punojnë kundër regjimit iranian dhe kontaktet e bashkëpunimi me këta organizma tashmë janë ndaluar.
Hapi i Qeverisë iraniane është pjesë e përpjekjeve për t’i izoluar kritikët e regjimit, për t’i kufizuar informacionet e lira, e për pasojë t’i dobësojnë protestat masive të opozitës.
“Ministria Iraniane e Zbulimit gjithmonë është përpjekur që t’i pengojë kontaktet mes iranianëve brenda vendit me organizatat ndërkombëtare”.
“Në të shkuarën kanë akuzuar dhe publikimin “Adineh”, ku unë isha kryeredaktor, për spiunazh. Arsyeja, sipas tyre, ishte kontakti me Organizatën Ndërkombëtare të Shkrimtarëve, duke e cilësuar këtë komunikim si të paligjshëm”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Faraj Sarkuhi, shkrimtar i njohur iranian, që tani jeton në mërgim.
Tini Van Gor punon për organizatën joqeveritare holandeze, Hivos, që në Iran merret me të drejtat e grave dhe me problemet që kanë të bëjnë me SIDA-n.
Organizata, ku ai punon, është përfshirë në listën e Qeverisë iraniane, por Van Gor i hedh poshtë akuzat.
“Është plotësisht e pakuptimtë ajo që ata thonë, se ne kemi një agjendë për ndryshimin e regjimit. Ajo çfarë ne bëjmë, është kontakti me aktivistët e shoqërisë civile”.
“Disa nga këta aktivistë kanë qenë aktivë edhe në zhvillimet pas-zgjedhore në Teheran, por kjo është zgjedhja e tyre”, thotë Van Gor për Radion Evropa e Lirë.
Akuzat e regjimit iranian janë të pabaza nga pikëpamja ligjore, thotë Mahmud Akhundi, profesor i njohur i së drejtës në Teheran.
“Kjo është në kundërshtim të qartë me parimet e të drejtave të njeriut dhe me ligjin ndërkombëtar. Madje, nuk ka as ndonjë justifikim edhe nëse do ta merrnim si bazë ligjin islamik”.
“Asnjë organ nuk mund të përcaktojë një veprim si kriminal, kur ajo çfarë ata kanë bërë, nuk përbën krim”, thotë Akhundi.
Por, shkrimtari i njohur, Sarkuhi, beson se lista do të përdoret kundër të arrestuarve gjatë protestave të opozitës.
“Ministria e Zbulimit po bën pretendime të tilla në kohën kur autoritetet iraniane po përgatiten të japin dënime të rënda kundër protestuesve të arrestuar. Ata duan t’i justifikojnë me këtë listë dënimet e ashpra që do t’i japin”, thotë Sarkuhi. (I.B.)