Ndërlidhjet

2009: SHBA-të përballë Afganistanit, Iranit, Bosnjës


Uashington
Uashington
Viti 2009 ishte kyç për një mori shtetesh. Afganistani, Irani, Iraku dhe Bosnja kanë qenë në mesin e vendeve që janë përballur me shumë sfida.

Gjatë vitit 2009, presidenti amerikan, Barak Obama, hartoi strategjinë e re për të luftuar talibanët në Afganistan.

Strategjia vuri dhe një herë në pah qasjen e administratës së re amerikane, se problemet në Afganistan janë të ndërlidhura me ato në Pakistan, andaj dhe strategjia e re quhet si formalizim i perspektivës së ashtuquajtur Afpak.

Strategjia e re parasheh dërgimin e 30 mijë trupave shtesë në Afganistan, duke e çuar në mbi 100 mijë praninë ushtarake amerikane në këtë vend.

Por, strategjia e re Obama pranon dhe rëndësinë e luftës kundër korrupsionit, fokusimin shumë më të madh në rindërtimin civil të Afganistanit dhe aftësimin e forcave vendore të sigurisë.

Në kohën kur Uashingtoni po rishikonte strategjinë në Afganistan, besimi ndaj presidentit Hamid Karzai u trondit ndjeshëm, si pasojë e akuzave për vjedhje dhe mashtrime me votat, gjatë zgjedhjeve presidenciale.

Por, rikthimi i talibanëve në disa pjesë të Afganistanit, nga ku ishin tërhequr më herët, ka qenë një nga shqetësimet kryesore për ndërkombëtarët.

Admirali amerikan, Majk Mullen, tha se talibanët, Al Kaida dhe grupet ekstremiste po janë gjithmonë e më të ndërlidhura.

Jam thellësisht i shqetësuar nga rritja e shkallës së shkrirjes mes talibanëve afganë, Al Kaidës dhe grupeve të tjera ekstremiste, që gjejnë strehim përgjatë kufirit me Pakistanin. Depërtimi dhe kapja e këtij rrjeti tashmë do të jetë më i vështirë se një vit më parë”, deklaroi Mullen.

Viti 2009 për sigurinë në Afganistan do të thotë një vit më i vështirë në luftën kundër militantëve.

Presidenti amerikan, Barak Obama, si para, edhe pas ardhjes në Shtëpinë e Bardhë, i kushtoi rëndësi të veçantë Iranit. Obama premtoi riangazhim me Teheranin dhe zgjidhjen e problemeve në rrugë diplomatike.

Ku gjendet Irani një vit më pas?

Autoritetet iraniane hodhën poshtë ofertën e Kombeve të Bashkuara për ta pasuruar uraniumin në një vend të tretë, çfarë do të qetësonte dyshimet e vendeve perëndimore se Irani synon prodhimin e armëve bërthamore.

Irani, edhe gjatë këtij viti, ka përsëritur se zhvillon programe bërthamore vetëm për qëllime civile, kryesisht për fushën e mjekësisë dhe energjisë.

Qëndrimi i Iranit vetëm i ka rritur shqetësimet e perëndimit, thotë eksperti i armëve bërthamore, Mark Fitzpatrik. Ai kujton shkrimet e botuara në gazetën britanike “The Times”, se Irani në fshehtësi po zhvillon armë bërthamore.

Nëse provohet se Irani po punon për prodhimin e armëve bërthamore, kjo padyshim që do ta ndryshojë qasjen ndaj Iranit. Informacionet e mëhershme të shërbimeve amerikane të zbulimit pohonin se Teherani kishte ndërprerë punën për zhvillimin e armëve”.

“Por, nëse Irani po punon në projektet e armëve bërthamore, atëherë shtrohet pyetja: a mund t’i besohet Iranit, duke i lejuar përdorimin e teknologjive të ndjeshme, qoftë dhe në sasi të kufizuar?”,
thotë Fitzpatrik.

2009-a mbyllet me debatin rreth sanksioneve shtesë për Iranin, debat që nuk dihet si do të vazhdojë, duke pasur parasysh ngurrimin e Rusisë dhe Kinës në Këshillin e Sigurimit.

Iraku, një tjetër pikë e nxehtë në Lindjen e Mesme, gjatë 2009-ës duket se ka qenë më pak në titujt e lajmeve, sesa viteve të mëparshme.

Por, kjo nuk do të thotë se situata në Irak është stabilizuar. Në veçanti, në pjesën e dytë të vitit, u panë sulme të shtuara të militnatëve.

Shtetet e Bashluara kanë premtuar se do të vazhdojnë t’i aftësojnë forcat irakaine të sigurisë.

“E kuptojmë se ekzistojnë shqetësime për gjendjen e sigurisë. Qeveria irakiane ka pranuar se ka pasur boshllëqe në aktivitetin e forcave vendore të sigurisë”.

“Nuk dua të tingëlloj si një optimist tipik amerikan e të them se gjërat janë mirë kur njerëzit në terren e dinë se ka shumëçka për të përmirësuar
”, thotë Xhefri Feltman, diplomat i lartë amerikan i ngarkuar për Lindjen e Afërt.

Nga problemet më të vështira që u përball Iraku gjatë vitit 2009, ishin dhe rivalitetet arabo-kurde, që janë vlerësuar si burimi kryesor i stabilitetit.

Udhëheqësit arabë e kurdë janë përfshirë në një luftë për territore dhe kontroll të burimeve të naftës në pjesën veriore të vendit, ku gjendet dhe rajoni autonom i Kurdistanit.

Shtetet e Bashkuara janë të përfshira thellësisht në zgjidhjen e këtyre dallimeve. Megjithatë, qyteti i Kirkukut vazhdon të jetë qendra e betejës për kontroll mes kurdëve e arabëve në Irak.

Gjatë vitit 2009, është kujtuar 14-vjetori i Marrëveshjes së Dejtonit, që i dha fund luftës në Bosnjë. Ndonëse nuk ishte përvjetor, iu kushtua një rëndësi e madhe, pasi ndarja etnike e politike në Bosnjë vazhdon të thellohet.

Bashkësia ndërkombëtare ka synuar që Parlamenti në Bosnjë të miratojë një paketë ndryshimesh kushtetuese, që do t’i jepnin më shumë pushtet qeverisë vendore.

Por, kryeministri i Republikës Serbe, Millorad Dodik, e ka bërë të qartë se nuk do të lejojë miratimin e asnjë ligji që dobëson autonominë e entitetit të tij.

Dodiku hapur është shfaqur më besnik ndaj Beogradit se ndaj Sarajevës. Madje, kreu i ekzekutivit të serbëve të Bosnjës në vazhdimësi ka kërcënuar me mbajtjen e referendumit për shkëputjen nga Bosnja.

Dodiku aktualisht është nën hetime për korrupsion dhe favorizime nga një prokuror ndërkombëtar në Gjykatën Shtetërore të Bosnjës.

Ambasadori amerikan në Sarajevë, Çarls English, ka shprehur shqetësimet e Uashingtonit për thellimin e dallimeve në Bosnjë.

“Së pari, Shtetet e Bashkuara nuk pranojnë asgjë më pak se një Bosnjë e Hercegovinë të bashkuar, shumetnike, në paqe dhe sovrane. Së dyti, rruga e vetme për përparimin e Bosnjës, është futja në shtegun e integrimeve euroatlantike”, ka thënë ambasadori amerikan.

Dy janë ngjarjet e mëdha që e presin Bosnjën në vitin 2010: zgjedhjet presidenciale dhe nga 1 janari i 2010-ës Bosnja do të jetë anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit për një periudhë dyvjeçare. (I.B.)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG