Ndërlidhjet

KQZ e KZAP vazhdojnë të mos kuptohen


Pas më shumë se gjysmë ore diskutimesh, anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë nuk arritën të bien në ujdi dhe të vendosin njëzëri për vendimin e 19 dhjetorit të Komisionit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, përmes të cilit KQZ-së i udhëzohet të shpallë rivotim në komunën e Prizrenit, atë të Gjilanit dhe të Lipjanit.

Andaj, në fund të mbledhjes së KQZ-së, e cila në rend të ditës kishte shqyrtimin e këtij vendimi, me 7 vota pro, 2 kundër dhe 2 abstenime, u votua që t’i kërkohet Komisionit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa një interpretim më i hollësishëm i vendimit të 19 dhjetorit.

Kryetarja e KQZ-së, Nesrin Lushta, tha se vendimi i anëtarëve të këtij institucioni është marrë për shkak të, siç u shpreh ajo, paqartësive në lidhje me vendimin e KZAP-it.

“Vendimi që e mori sot Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është jo që KZAP-i të ndryshojë këtë vendim - aspak, mirëpo vetëm të japë një sqarim përse në diapozitivin e vendimit të vet e ka përdorur termin ‘udhëzohet' Komisioni Qendror i Zgjedhjeve... ”, tha Lushta.

Komisioni Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa kishte udhëzuar të shtunën KQZ-në që të marrë vendim për rivotim në tri komuna, për të cilat ky organ tha se ka evidentuar parregullsi të shumta gjatë rrethit të dytë të zgjedhjeve lokale, të mbajtur më 13 dhjetor.

Në vendimin e së shtunës të Komisionit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa thuhej se: “Juridiksioni i KZAP-it, për shqyrtimin e ankesës buron nga kompetencat e dhëna nga Kuvendi i Republikës së Kosovës në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës - LZP dhe Ligjin për Zgjedhjet Lokale në Republikën e Kosovës”.

Andaj, KZAP-i, për udhëzimin drejtuar KZQ-së, mori për bazë Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme të Kosovës, nga i cili KQZ-ja obligohet në të njëjtën formë edhe për zgjedhjet lokale.

Në nenin 106.2 të këtij Ligji thuhet se: “Para certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve, KQZ-ja mund të urdhërojë rinumërimin e votave në cilindo vendvotim, qendër të numërimit, ose edhe përsëritjen e votimit në një qendër votimi apo në një komunë”.

Ky nen, sipas kreut të Komisionit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Tahir Rrecaj, është i qartë.

Rrecaj tha se nuk e sheh të arsyeshme kërkesën e KQZ-së për një interpretim të mëtejmë të vendimit të KZAP-it dhe theksoi se i takon KQZ-së që të marrë vendimin për rivotim në tri komunat e përmendura në vendimin e KZAP-it.

“Ne nuk jemi organ këshillëdhënës, e as interpretues. Ne e kemi dhënë vendimin. Ata le ta lexojnë vendimin, le ta lexojnë ligjin. Ligji është i qartë, vendimi është i qartë”, theksoi Rrecaj.

Ndërkohë, bëhet e ditur se paneli i KZAP-it do të mblidhet të martën për t’i shqyrtuar ankesat e mbetura të subjekteve politike që i janë dërguar këtij institucioni në lidhje me rrethin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të komunave.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG