Ndërlidhjet

Komunat “e ndjeshme” presin KZAP-in


Qendra e Numërimit dhe e Rezultateve, deri të shtunën, do t’i ketë numëruar votat me kusht për 17 komuna, ndërsa është në pritje të vendimit të KQZ-së për nisjen e numërimit të votave me kusht edhe për Prizrenin, Gjilanin, Lipjanin dhe Rahovecin. Autoritetet vendore dhe ndërkombëtare kanë bërë thirrje për depolitizimin e procesit përmbyllës të zgjedhjeve lokale në Kosovë.



Qendra e Numërimit dhe e Rezultateve, gjatë ditës së enjte, ka numëruar votat me kusht për 11 komuna, ndërsa të premten ka nisur numërimi i votave me kusht edhe për gjashtë komuna të tjera – pra, për Podujevën, Mitrovicën, Vushtrrinë, Kaçanikun, për komunën e Kamenicës dhe atë të Malishevës.

Procesi i numërimit të votave me kusht për katër komunat, për të cilat thuhet se Komisionit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa i është paraqitur një numër më i madh i ankesave nga partitë politike pas raundit të dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë, duket se nuk do të fillojë para ditës së hënë, përkatësisht para marrjes së vendimeve të KZAP-it për këto ankesa.

Koordinatori i Qendërs së Numërimit dhe Rezultateve, Burim Ahmetaj, tha se numërimi i votatve me kusht për Prizrenin, Rahovecin, Gjilanin dhe Lipjanin nuk do të nisë pa dritën e gjelbër të Komisionit Qendor të Zgjedhjeve.

“Sot do të përfundojë numërimi i votave me kusht për gjashtë komuna, të cilat i përmenda më herët. Kurse, për komunat e tjera, se kur do të nisë procesi aty, do të dalë me një vendim KQZ-ja”, tha Ahmetaj.

Çështja e numërimit të votave me kusht u shndërrua në proces vendimtar për katër komunat, siç quhen, më problematike, e sidomos për Prizrenin.

Pas balotazhit të së dielës, rezultati i barabartë ndërmjet kandidatit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hanefi Muharremi, dhe atij të Partisë Demokratike të Kosovës, Ramadan Muja, jetësoi slloganin e njohur për zgjedhjet “Çdo votë vlen”, duke e bërë determinues për shpalljen e fituesit të kësaj komune numërimin e rreth 1,600 votave me kusht.

Kjo çështje u komentua edhe gjatë vizitës së kryeminsitrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ambasadorit amerikan, Kristofer Dell, bërë Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgejdhjeve, Nesrin Lushta, e cila ishte po ashtu e pranishme në këtë qendër, tha se është marrë vendim që për shkak të, siç tha ajo, ndjeshmërisë së procesit, numërimi i votave me kusht për Prizrenin, Gjilanin, Lipjanin dhe Rahovecin të mos fillojë para shqyrtimit të ankesave nga KZAP-i për këto komuna.

Konsiderojmë se është më mirë të mos ngutemi dhe është më mirë të shkojmë më ngadalë me ato komuna”, u shpreh Lushta.

Komisioni Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, ndërkohë, ka intensifikuar dinamikën e punës së tij për të shqyrtuar, siç thuhet, sa më parë mbi 100 ankesa që i janë adreuar këtij institucioni nga ana e partive politike.

Kryetari i këtij Komisioni, Tahir Rrecaj, u shpreh i bindur se deri të hënën do të mund të merren disa vendime për këto ankesa.

“Deri të hënën mund të përfundojmë, por tani nuk jam i sigurt, për shkak se kemi një numër të madh të ankesave. Jemi vazhdimisht në punë në shqyrtimin e këtyre ankesave. Komisioni edhe nesër do të punojë në panel. Do të marrim vendime që nga dita e nesërme dhe më tutje”, njoftoi Rrecaj.

Rëndësia e punës së autoriteteve përgjegjëse për administrimin e procesit zgjedhor u theksua edhe nga kryeministri Thaçi, i cili kërkoi depolitizimin e tërë procesit.

“Ky proces përmbyllës duhet të depilitizohet, në mënyrë që të kenë mundësi dhe rrethana të qeta të gjithë këta njerëz profesionistë që po punojnë, t’i kryejnë obligimet e veta që i kanë marrë, obligime këto kushtetuese dhe ligjore”, tha kreu i ekzekutivit kosovar, Thaçi, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, ku për përshtypjet e tij për ecurinë e procesit të numërimit foli edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Kristofer Dell.

“Kosova mund t’i mësojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës për organizimin e një procesi të numërimit të votave me një shkallë të tillë të përpikërisë”, u shpreh ambasadori amerikan.
XS
SM
MD
LG