Ndërlidhjet

Zvarritjet në numërimin e votave


Pas paqartësive lidhur me numërimin e votave me kusht të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë, analistët shprehin drojën se autoritetet përgjegjëse për administrimin e procesit zgjedhor dhe qëndrimet e partive politike mund t’i thellojnë tensionet në komunat gjegjëse.





Lidhur me zvarritjet rreth numërimit të votave me kusht për komunat, për të cilat thuhet se ka pasur më së shumti ankesa sa i përket ecurisë së balotazhit, pra për Prizrenin, Gjilanin, Kamenicën dhe Lipjanin, ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Mazllum Baraliu, thekson nevojën për më shumë disiplinë organizative brenda KQZ-së, mirëpo thotë se edhe subjektet politike duhet të sillen në mënyrë më të përgjegjshme.

“Përgjegjësia është jo vetëm e KQZ-së, gjithsesi ajo është dashur të jetë më vigjilente, gjithsesi ajo është dashur të jetë më e organizuar dhe më transparente. Ky është një mësim për më tutje”.

“Do të thotë se duhet të ketë përgjegjësi dhe të shtohet disi disiplina e subjekteve politike brenda tyre, t’i angazhojnë njerëzit e përgjegjshëm në këto trupa punuese dhe, natyrisht, që vetë t’i sanksionojnë ata”, shprehet Baraliu.

Ai shton se veprimet e disa komisionarëve të partive politike në vendvotime dhe në qendrat e votimeve, më 13 dhjetor, kanë krijuar situatën aktuale, e cila lë përshtypjen për ekzistimin e një vargu parregullsish të bëra gjatë procesit zgjedhor të së dielës.

Në kuadër të këtyre veprimeve, sipas Baraliut, hyn dhe deklarata e një zyrtari të Komisionit Komunal Zgjedhor të Prizrenit, i cili kishte bërë të ditur se gjatë futjes së materialit në të dhënat e votimeve në kompjuter, janë bërë disa gabime teknike.

Është pikërisht Prizreni, për të cilin, pas shpalljes së rezultateve preliminare të KQZ-së për 21 komuna, ku u zhvillua balotazhi, numërimi i votave me kusht u shndërrua në proces vendimtar për të shpallur fituesin e kësaj komune.

Në Prizren, kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hanefi Muharremi, dhe ai i Partisë Demokratike të Kosovës, Ramadan Muja, dolën nga gara elektorale me përqindje të barabartë votash me, siç vlerësohet, rreth 40 vota në epërsi të Mujës.

Partitë politike, ndërkaq, vazhdojnë të deklarojnë fituesit e tyre për komuna të caktuara edhe gjatë ditës së mërkurë, duke u bazuar në informatat e tyre për, siç thuhet, mashtrimet e bëra nga subjektet konkurruese.

Për t’i sqaruar të gjitha këto, sipas Baraliut, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të presë përfundimin e punës në Komisionin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, për të vendosur pastaj, eventualisht, për rivotim në disa komuna.

“Ato shifra që i komunikoi KQZ-ja nuk përputheshin sidomos në këto komuna. Prandaj, është mirë që janë ankuar, është mirë që janë shënuar të gjitha këto”.

“Sapo të përfundojnë ato në komision, i cili duhet ta kryejë punën sa më parë dhe të jetë sa më efikas, në mënyrë që të eliminohen të gjitha shkeljet, dhe nëse ka nevojë, të përsëriten zgjedhjet”, thekson Baraliu.

Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian në Kosovë, që organizonte zgjedhjet në vend më tani, nuk i ka komentuar zhvillimet që kanë pasuar raundin e dytë të zgjedhjeve lokale të 13 dhjetorit.

Zëdhënësja e OSBE-së, Edita Buçaj, thotë se për përfundimin e tërë procesit, pra edhe në lidhje me numërimin e votave me kusht, tani janë përgjegjëse autoritetet vendore.

“KQZ-ja ka dhënë një rezultat edhe për këtë komunë. Megjithatë, kur është fjala te dhënia e rezultateve, finalizimi i rezultatit të zgjedhjeve është në duart e autoriteteve vendore”, thotë Buçaj.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ndërkohë, as gjatë së enjtes nuk ka nisur numërimin e votave me kusht për komunat diskutabile.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG