Autoritetet përgjegjëse për administrimin e procesit zgjedhor në Kosovë kanë dhënë vlerësime kontradiktore për ecurinë e verifikimit të fletëvotimeve me kusht dhe procesit pasues - atij të numërimit të këtyre votave.
Derisa përfaqësues të Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve kanë bërë të ditur se për shkak të, siç thuhet, ndërhyrjes së Komisionit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, është ndërprerë procesi i verifikimit të votave me kusht për komunën e Prizrenit, Lipjanit, Mitrovicës dhe Kamenicës, zyrtarë të KZAP-it kanë hedhur poshtë një gjë të tillë.
Koordinatori i QNR-së, Burim Ahmetaj, ka thënë se për të filluar verifikimi i votave me kusht për këto komuna, duhet të pritet përfundimi i afatit kohor, gjatë të cilit partitë politike do të mund të paraqesin ankesat e tyre.
“Ka ndërhyrë KZAP-i me ankesa. Jemi në pritje të përfundimit të afatit të ankesave dhe atëherë do të mund të veprojmë, pra, pasi të dimë se sa (ankesa) janë në lidhje me këto komuna”, ka thënë Ahmetaj.
Mirëpo, përfaqësues të Komisionit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa kanë theksuar se procesi i paraqitjes dhe i shqyrtimit të ankesave të partive politike nuk do të duhej të ndërhynte në procesin e verifikimit dhe të numërimit të votave me kusht.
Kryetari i këtij Komisioni, Tahir Recaj, ka thënë se ndërprerja e punës për verifikimin e fletëvotimeve me kusht, për disa komuna të caktuara, duket të ketë qenë vendim i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
“Unë nuk besoj që ka ndonjë pengesë që KQZ-ja të bëjë numërimin e këtyre votave, sepse këto nuk janë të lidhura me ankesat. Ndërsa, certifikimi i rezultateve përfundimtare nuk do të mund të bëhet para se Komisioni për Ankesa dhe Parashtresa të marrë një vendim përfundimtar lidhur me këto ankesa”, ka pohuar Rrecaj.
Ndërkaq, zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nuk janë prononcuar gjatë ditës së sotme mbi këtë çështje. Ky proces, sipas kreut të KZAP-it, nuk do të duhej të ndikohej nga paraqitja e ankesave të partive politike.
Rrecaj ka bërë të ditur se deri në orët e pasdites së djeshme KZAP-i ka pranuar 47 ankesa nga subjekte të ndryshme politike që u përkasin rajoneve të ndryshme, por se, siç thuhet, këto ankesa kryesisht kanë ardhur nga rajoni i Prizrenit, Gjilanit, Kamenicës dhe Lipjanit.
Ai ka vlerësuar se procesi i shqyrtimit të të gjitha ankesave që kanë arritur dhe vazhdojnë të arrijnë në këtë institucion, sipas të gjitha gjasave, nuk do të mund të kryhet para fundit të javës së ardhshme.
“Këto ankesa komisioni i ka marrë menjëherë në punë dhe do t’i shqyrtojë. Mirëpo, procedurat na obligojnë që një kopje të ankesës t’ia dërgojmë palës kundërshtare dhe t’ia lëmë një afat, që zakonisht është treditor, brenda të cilit pala kundërshtare mund ta kundërshtojë ankesën dhe të ofrojë eventualisht prova dhe dëshmi kundër ankimeve të pretenduara”, ka bërë të ditur Rrecaj.
Zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ndërkaq, nuk kanë dhënë informata më të hollësishme në lidhje me këtë proces, por kanë pohuar se as të enjten nuk priotet të fillojë numërimi i votave me kusht, për shkak se, siç thuhet, nuk ka përfunduar verifikimi i listës për Prizrenin dhe i procesverbaleve.
Sido që të jetë, ky proces, sipas kreut të KZAP-it, nuk do të duhej të ndikohej nga paraqitja e ankesave të partive politike
Për dallim nga Lipjani, Mitrovica dhe Kamenica, procesi i numërimit të votave me kusht është cilësuar si determinues për të shpallur fituesin e komunës së Prizrenit.
Pas arritjes së rezultatit të barabartë ndërmjet kandidatit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hanefi Muharremi, dhe atij të Partisë Demokratike të Kosovës, Ramadan Muja, për të cilin thuhet se ka 42 vota epërsi ndaj rivalit të tij, numërimi i rreth 1600 votave me kusht për këtë komunë pritet të përcaktojë udhëheqësin e ri të qytetit të dytë më të madh në Kosovë.
Bazuar në rezultatet preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për balotazhin e së dielës, Partia Demokratike e Kosovës ka fituar në 10 komuna, Lidhja Demokratike e Kosovës në 5, kurse Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në 3 komuna.