Ndërlidhjet

OBSH: Janë tejkaluar synimet në mjekimin e TB-së


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Gjatë 15 vjetëve të fundit, Organizata Botërore e Shëndetësisë, që vepron nën ombrellën e Kombeve të Bashkuara, ka qenë e fokusuar në sëmundjen e tuberkulozit, duke pasur për qëllim mjekimin e njerëzve tashmë të infektuar dhe eventualisht çrrënjosjen e sëmundjes.



Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se gjatë 15 vjetëve të kaluar, afro 36 milionë njerëz janë mjekuar nga sëmundja e tuberkulozit, ndërsa 8 milionë vdekje janë parandaluar nën një regjim të caktuar, që ishte paraqitur para më se një dekade e gjysmë.

Në 12 muajt e fundit, mjekët, duke i respektuar udhëzimet e OBSH-së, e kanë tejkaluar shkallën e mjekimit te pacientët e tyre.

Dr. Mario Ravilione, që është drejtor i departamentit të OBSH-së për ndaljen e tuberkulozit, thotë se ky është “një lajm shumë i mirë”.

“Është hera e parë deri tash, që ne e kemi kaluar 85 përqindëshin, duke shpallur një shkallë të mjekimit prej 87% në nivel botëror. Kjo na bën të ndjehemi shumë të gëzuar dhe të themi se ne kemi program, që efektivisht i mjekon miliona njerëz, kur procedurat e këtij programi implementohen në mënyrë përkatëse”, thotë Ravilione.

Ai, së bashku me ndihmësit e tij, këto rezultate i ka shpallur në një konferencë për shtyp në Uashington.

Por, në intervistën për Radion Evropa e Lirë, ai thekson se do të dëshironte që rezultatet të ishin edhe më të mira.

“Pritjet ishin që incidenca e tuberkulozit të fillonte të shënonte rënie prej 6 deri në 10% për vit dhe kjo gjë do të na lejonte të parashihnim eliminimin e sëmundjes për 50 apo 70 vjetët e ardhshëm”.

“Ajo që po ndodh tash, është se ne po arrijmë efekt të lartë në programet tona me 87%. Detektimi ka shënuar rritje, por ende nuk është i kënaqshëm. Pra, ne nuk e detektojmë pothuajse një të tretën e pacientëve me tuberkuloz”,
thotë dr. Ravilione.

Sipas tij, tuberkulozi paraqet problem veçanërisht në Rusi, në Azinë Qendrore dhe në vendet e Evropës Lindore, siç janë: Bjellorusia, Rumania dhe Ukraina.

Nga ana tjetër, në Evropën Qendrore situata është më e mirë. Dr. Ravilione thotë se në Çeki, Sllovaki, Poloni dhe Ballkan, shkalla e infektimit me tuberkuloz është shumë më e vogël se në Rusi dhe në Azinë Qendrore. Sipas tij, programet për tuberkuloz në Çeki dhe në Sllovaki janë ndër më të mirat në botë.

Ajo që e ndan suksesin nga dështimi, thotë ai, është se sa shpejt ish-shtetet komuniste iu përshtatën stilit perëndimor ekonomik, kështu që ato mund të jenë të afta për ta ndalur sëmundjen dhe për ta mjekuar atë, kur ajo sulmon.

Fondet janë problemi kryesor në vendet ku tuberkulozi është problem i vazhdueshëm. OBSH-ja vlerëson se nevojiten më se 6 miliardë dollarë për një vit për ta luftuar sëmundjen në mbarë botën. Por, mund të sigurohen vetëm dy të tretat e kësaj shume për çdo vit.

Në ish-shtetet komuniste, ku reformat ekonomike ishin të ngadalshme, tuberkulozi përhapet shpejt dhe lehtë, thotë Ravilione. (F.B.)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG