Përveç paqartësive në lidhje me procedimin e mëtutjeshëm të rastit “Bllaca”, duket se vazhdon të mbetet e paqartë se kush do ta mbrojë të vetë-deklaruarin për pjesëmarrje në 17 aksione, përfshirë vrasje, plagosje, rrahje e shantazhe – që të gjitha këto, sipas tij, kanë ndodhur “nën urdhrat e SHIK-ut”.
Ajo që dihet është se Nazim Bllaca privatisht ende nuk ka caktuar avokat. Konform ligjit, gjyqtari ia kishte caktuar avokatin në ditën kur atij i ishte caktuar masa e arrestit shtëpiak.
Avokati Haxhi Millaku, ndërkohë, kishte deklaruar se nuk do të jetë më pjesë e këtij rasti.
Kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, Musa Dragusha, tha se caktimi i avokatit mbrojtës duhet të bëhet nga autoriteti, i cili po e trajton rastin.
“I vetmi që ka autorizime për ta përcaktuar një avokat, është autoriteti, i cili e zbaton procedurën sipas ligjit”.
“Oda e Avokatëve të Kosovës nuk është institucion, i cili iu cakton personave, apo individëve që përballen me procedura gjyqësore, avokatë”, tha Dragusha pas nënshkrimit të një memorandumi bashkëpunimi ndërmjet institucionit që ai udhëheq dhe misionit të Bashkimit Evropian për forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë.
Ky mision, ditë më parë, kishte deklaruar se, siç thuhet, do të mbrojë konfidencialitetin e hetimeve lidhur me pohimet e bëra nga Nazim Bllaca.
EULEX-i bën të ditur se, aktualisht, Prokuroria Speciale në bashkëpunim me Policinë, po i zhvillojnë hetimet për këtë rast.
Mirëpo, caktimi i avokatit mbrojtës të Bllacës, sipas zyrtarëve të EULEX-it, nuk hyn në kuadër të mandatit të këtij misioni.
Kryetarja e Asamblesë së Gjykatësve të EULEX-it, Maria Giuliana Civinini, tha:
“EULEX-i nuk ka avokatë ndërkombëtarë që ushtrojnë detyrën e avokatit. Ne nuk mund të caktojmë me këshillin mbrojtës, një mbrojtës për këtë. Kjo është tërësisht jashtë mandatit tonë”.
Ndërkohë, Nazim Bllaca kishte paralajmëruar se po i shqyrtonte mundësitë për angazhimin e një avokati ndërkombëtar.
Këtë opsion, sipas kryetarit të Odës së Avokatëve të Kosovës, Musa Dragusha, nuk e përjashton ligji në fuqi.
“Kur kemi parasysh kërkesat e të pandehurit për një avokat nga shteti tjetër, ai mund ta realizojë këtë kërkesë”, u shpreh Dragusha.
Që nga 1 dhjetori, Nazim Bllacës i është caktuar arresti shtëpiak prej 30 ditësh – masë, të cilën ia kishte caktuar gjykatësi i EULEX-it, Françesko Flori.