Ndërlidhjet

Maqedonia pa viza


Në Maqedoni festohet liberalizimi i vizave.
Në Maqedoni festohet liberalizimi i vizave.
Ministria e Brendshme e Maqedonisë ka përshëndetur vendimin e Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave për qytetarët e Maqedonisë, të cilët posedojnë pasaporta biometrike.

Ministrja Gordana Jankullovska tha se fakti që qytetarët e vendit do të mund t’i rezervojnë që tani biletat për të udhëtuar në vendet Shengen, është një vendim shumë i rëndësishëm.

“Vendimi i Këshillit të Bashkimit Evropian për vënien e regjimit pa viza ka një rëndësi historike për qytetarët e Maqedonisë. Mundësia për udhëtim pa viza në vendet e Bashkimit Evropian, më në fund, u bë realitet në Maqedoni dhe me këtë u realizua njëri nga prioritetet tona strategjike”, tha Jankullovska.

Jankullovska tha se në Maqedoni 75 për qind e popullatës posedon pasaporta biometrike, ndërsa për ata që nuk kanë, procesi i dhënies së pasaportave vazhdon pa ndonjë problem të theksuar.

Vendimin e ka përshëndetur edhe Ministria e Jashtme e Maqedonisë. Sipas këtij dikasteri, liberalizimi i vizave dëshmoi kapacitetin institucional dhe administrativ për përmbushjen e kërkesave në kuadër të procesit të integrimeve evropiane.

Kjo thuhet se jep një optimizëm se me sukses do të ballafaqohen të gjitha sfidat që do t’i sjellë procesi për hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Ndërkaq, ambasadori i Suedisë në Shkup, Llars Freden, tha se Maqedonia e meriton vendimin e BE-së për liberalizimin e vizave.

“Maqedonia - në listën e re të bardhë Shengen. Ky është një lajm i mirë dhe paraqet një punë mjaft pozitive për Maqedoninë, por edhe për Malin e Zi dhe Serbinë”.

“Për këtë vendim është debatuar një kohë të gjatë në të gjitha strukturat e BE-së. Ne jemi krenarë që kjo po ndodh në momentin kur Suedia kryeson me BE-në. Udhëtimi pa viza nuk është dhuratë e Bashkimit Evropian, por i merituar, sepse në Maqedoni të gjithë kanë punuar për t’u arritur kjo gjë”,
tha Freden.

Profesori universitar, Ylber Sela, vlerësoi se liberalizimi i vizave për Ballkanin nuk do të ketë efekt të madh në migrimin e qytetarëve të vendit, sidomos atyre shqiptarë.

“Nuk besoj që migrimi do të jetë në përmasa të mëdha, edhe pse shqiptarët shkojnë në forma të ndryshme, duke marrë parasysh se një pjesë e shqiptarëve ndodhen tashmë në Evropën perëndimore dhe besoj se kjo nuk do të ketë shumë efekt të madh”, u shpreh Sela.

Heqja e vizave është mundësi për udhëtim të lirë dhe qëndrim maksimum prej 90 ditësh në vendet e BE-së në afat prej gjashtë muajsh, por jo dhe mundësi për qëndrim të përhershëm ose më të gjatë apo për punë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG