Ndërlidhjet

Zonat me ambient të ndotur


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Ndotja e ambientit në Kosovë tejkalon normat e lejuara sipas standardeve evropiane. Ndotës kryesorë të ambientit konsiderohen kompanitë e mëdha prodhuese. Kështu u vlerësua sot gjatë një konference të organizuar nga Ministria e Energjisë dhe Minierave.


Mitrovica, zona e Stan-Tërgut, ku përfshihet edhe kombinati Trepça, Obiliqi me aktivitetet e Korporatës Energjetike të Kosovës, Feronikeli, Kishnica, Artana e Hani i Elezit janë zonat me ambientin më të ndotur në Kosovë. Kështu u tha gjatë punimeve të konferencës “Përmirësimi dhe rikultivimi i tokave të dëmtuara për një mjedis më të mirë”.

Ilir Morina, kryeshef ekzekutiv në Agjencinë e Kosovës për Mbrojtjen e Mjedisit, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, tha se këto zona edhe më tej mbesin të ndotura dhe se paraqesin rrezik potencial për shëndetin e qytetarëve kosovarë.

“Mjedisi më së shumti është dëmtuar në vitet e kaluara, do të thotë prej viteve ‘50 dhe ‘60, kur Kosova ka filluar të zhvillohet industrialisht, ndërsa kulmin e ka mbërritur në vitet ’80, kur ka prodhuar më së shumti”.

“Asnjëherë nuk janë trajtuar mbeturinat dhe nuk është sanuar situata. Ata gjithmonë kanë prodhuar dhe mbetjet e tyre i kanë hedhur në tokat punuese. Thjesht, i kanë bërë grumbuj që sot paraqesin një rrezik permanent për shëndetin e popullatës”,
tha Morina.

Ministrja e Energjisë dhe Minierave, Justina Shiroka-Pula, pohoi se energjetika ndikon në ndotjen e mjedisit. Por, megjithatë, ajo tha se kjo ministri ka përgatitur projekte të ndryshme për sanimin e kësaj gjendjeje.

“Në çdo gjë që ka të bëjë me sektorin e energjisë, t’i ndërmarrim të gjitha masat dhe kjo të jetë një ide që edhe sektorët tjerë t’i marrin këto veprime, që të bëhet një mjedis më i mirë dhe një ambient më i shëndoshë”.

“Ne kemi Bardhin dhe Mirashin dhe ata së shpejti do të shterën sa i përket shfrytëzimit të linjitit. Kemi përgatitur projektin se si do t’i rikultivojmë, mos të jenë gropa, por të ketë një ambient, një park apo një gjelbërim”,
u shpreh Shiroka-Pula.

Edhe Ministria e Mjedisit është duke hartuar strategjinë për administrimin e mbeturinave. Ilir Morina, shpjegon më shumë:

Kemi ekspertë nga KEK-u, Trepça dhe universiteti. Të gjithë së bashku do të nxjerrim një strategji 10-vjeçare, me një plan veprimi pesëvjeçar, ku do të parashihen hapat se si dhe kur Kosova mund të sanojë këtë gjendje, shumë të rrezikshme për popullatën”, theksoi Morina.

Por, pavarësisht këtyre, zgjidhjet për eliminimin e pasojave nga ndotja e ambientit thuhet se ende mbesin në kuota minimale. Sipas zyrtarëve qeveritarë, Kosova nuk ka buxhet të mjaftueshëm të investojë në mbrojtjen e ambientit.
XS
SM
MD
LG