Zyrtarë nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike bëjnë të ditur se ka arritur në 7 numri i viktimave që kanë vdekur si pasojë e infektimit me virusin A-H1N1, ndërsa thuhet se që nga shfaqja e këtij virusi në Kosovë e deri më tani janë konfirmuar 119 raste të infektimit.
Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani, sqaron:
“Prej 357 të anketuarve për dyshimin në grip, janë konfirmuar 119 raste, prej të cilave, fatkeqësisht, 7 janë të konfirmuara se kanë pësuar legalisht”.
“Edhe 2 sot duhet të konfirmohen me laborator, por gjithsesi numri do të ngrihet në 9 sipas të gjitha gjasave”, thotë Ramadani, për të shtuar se pas të dhënave të fundit në lidhje me këtë çështje, në Ministrinë e Shëndetësisë së Kosovës është mbajtur një takim i veçantë i krerëve të institucioneve përgjegjëse, ku është diskutuar se si të vazhdohet më tutje në këtë drejtim.
Si përpjekje për të trajtuar këtë çështje, të dielën në Kosovë arriti kontingjenti i parë i vaksinave kundër virusit A-H1N1, i përbërë nga 5,000 doza të një vaksine të prodhimit zviceran, vaksina këto që janë donacion i Qeverisë së Turqisë.
Komiteti Nacional për Sëmundje Ngjitëse kishte rekomanduar që me këtë vaksinë të vaksinohet fillimisht personeli shëndetësor në Kosovë dhe personat që kanë sëmundje kronike.
Mirëpo, Naser Ramadani thotë se Instituti i Shëndetësisë Publike ende nuk ka marrë informatën kthyese se a është kryer ky proces në institucionet përkatëse shëndetësore në vend.
“Ne i kemi shpërndarë dhe po presim që t’i marrin mjekët. Përndryshe, ato vaksina do të shpërndahen edhe për të gjithë personat e tjerë me sëmundje kronike”, thekson ai.
Ndërkohë, ekspertët shëndetësorë në Kosovë thonë se marrja e vaksinave varet individualisht nga njerëzit, përfshirë personat që punojnë në kuadër të sistemit shëndetësor. Infektologu Sali Ahmeti shpjegon:
“Vaksina nuk është strikt e obligueshme. Rekomandimet dhe instruksionet mund të jepen nga ekspertët e këtij lëmi, por secili individ ka të drejtë të vendosë në mënyrë vullnetare, qoftë për marrjen, qoftë për mosmarrjen e tyre”.
Si alternativë eventuale që do të mbronte organizmin e njeriut nga infektimi me viruse të tjera, që kanë gjasa të dobësojnë më tutje imunitetin, Ahmeti rekomandon marrjen e vaksinave kundër gripit sezonal.
“Rekomandoj marrjen e saj, meqë në radhë të parë ajo do të mbrojë në mënyrë të sigurt nga gripi sezonal dhe eliminimi nga rreziku për këtë virus patjetër do të sigurojë një mbrojtje shtesë, që do ta dëmtonte imunitetin e organizmit”, thekson Ahmeti.