Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, antibiotikët për 60 vjet me radhë kanë qenë parandaluesit kryesorë të sëmundjeve të ndryshme. Megjithatë, shumë antibiotikë tashmë kanë humbur efikasitetin dhe ka lindur nevoja e kërkimeve të reja alternative për zëvendësimin e tyre.
Por, në Kosovë, antibiotiku vazhdon të jetë bari më i preferuar për trajtimin, madje edhe të ftohjeve më të lehta. Ky bar shitet në pjesën më të madhe të farmacive pa pasur recetën e mjekut.
Këtë përvojë e ka edhe Flutura Kastrati, qytetare.
“Më ndodh shpeshherë, ose e harroj recetën në shtëpi, ose s’kam kohë ta dërgoj fëmijën te mjeku. Tash jam mësuar për çka ankohet fëmija dhe pa problem e marr antibiotikun në barnatore”, shprehet Kastrati.
Edhe Fllanza Berisha, qytetare, gjithashtu thotë se në farmaci mund të blihet pa recetë çfarëdo lloj bari.
“Zakonisht konsultohem me mjekun, por e di që në barnatore merret lirisht pa recetë bari”, thotë Berisha.
Ka edhe të atillë që, megjithatë, parapëlqejnë të konsultohen fillimisht me mjekun rreth përdorimin e antibiotikut.
Një prej tyre është Ferdane Bellopoja, e cila thotë:
“Gjithmonë i marr me recetë të mjekut, edhe antibiotikun edhe krejt barnat. Pa recetë nuk marr barna dhe nuk kam tentuar asnjëherë të shkoj në farmaci të blej barna pa rekomandimin e mjekut”.
Por, Gyner Maksuti, farmacist në Prishtinë, thotë se në farmacitë e vendit nuk shiten antibiotikët pa recetë, përpos në disa raste specifike.
“Nuk jepet, vetëm në disa raste specifike. Mirëpo, në barnatoret e qytetit, në Prishtinë nuk ka ndodhur të jepet antibiotiku pa recetë, për shkak të efekteve anësore, alergjisë për shembull. Përndryshe nuk e preferojmë”, shpjegon Maksuti.
Përdorimin e shpeshtë të antibiotikëve, pa recetë të mjekut, e kundërshtojnë autoritetet shëndetësore.
Faik Hoti, zëdhënës në Ministrinë e Shëndetësisë, thotë se së shpejti do të nxirret ligji që do të vërë sanksione rreth mënyrës së përdorimit të antibiotikëve.
“Dhjetë vjet pas përfundimit të luftës, Ministria e Shëndetësisë ka arritur të nxjerrë udhëzimin administrativ për recetën dhe për dokumentacionin unik shëndetësor, ku precizohet qartë se barnat do të jepen që nga viti i ardhshëm vetëm me recetë të mjekut, sepse deri tash kanë mund të merren pa recetë”, sqaron Hoti.
Sipas Hotit, pas punës njëvjeçare nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë është bërë testimi në Qendra të Mjekësisë Familjare dhe, si rrjedhojë e kësaj, do të shkohet edhe me implementimin e dhënies së antibiotikëve vetëm me recetë dhe përfundimisht do të vendoset një rregull, sa i përket kësaj çështjeje.