RADIO EVROPA E LIRË
Zoti ambasador, si do t’i vlerësonit zhvillimet e fundit në raport me Qeverinë e Kosovës dhe paralajmërimet për, siç është thënë, rishqyrtimin e përbërjes së saj?
CHRISTOPHER DELL
Fillimisht, më duhet të them se jemi në mes të një situate që po ndryshon me shpejtësi dhe nuk e di si to të zhvillohet kjo çështje gjatë ditës së sotme. Pikëpamja ime e parë është se kjo mund të jetë realisht një formë normale e politikës së koalicioneve në një sistem parlamentar.
Të githa partitë në qeveri dhe opozitë janë duke bërë kalkulime ku shtrihen interesat e tyre zgjedhore dhe marrin vendime politike mbi këto baza.
Mendoj se e gjithë kjo është e shëndetshme, është diçka që ndodh në një demokraci. Do ta merrja me qetësi dhe e vetmja gjë me rëndësi që duhet të veçohet, është fakti se e gjithë kjo duhet të bëhet në kuadër të kornizës së Kushtetutës së Kosovës. Aktivitetet përtej kësaj Kushtetute padyshim që s’duhen toleruar.
Prandaj, përderisa e gjithë kjo ndodh në kuadër të përcaktimeve nga Kushtetuta, mendoj se është shumë normale.
RADIO EVROPA E LIRË
Nëse ndryshimet ndodhin, mendoni se ato mund ta çojnë vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme?
CHRISTOPHER DELL
Kjo është e vështirë të thuhet. Duhet ta shohim se prej kujt përbëhet koalicioni, kush janë partnerët, sa është stabil ky koalicion, e të tjera. Siç e thashë, është herët për të dhënë parashikime, e gjithë çështja është shumë fluide tash për tash, situata po ndryshon me shpejtësi dhe secili ka filluar të ketë mëdyshje.
Prandaj, mendoj se duhet të ulemi dhe qetësisht t’i shikojmë gjërat tek shpalohen sot.
RADIO EVROPA E LIRË
Megjithatë, pavarësisht nga përbërja, si do të ndikojë e gjithë kjo në situatën në të cilën gjendet Kosova, marrë parasysh faktin e procedimeve në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, të cilat fillojnë së shpejti? A mund të shkaktojë ndonjë jostabilitet?
CHRISTOPHER DELL
Mendoj se përderisa e gjithë politika zhvillohet brendapërbrenda kornizës së Kushtetutës së Kosovës, atëherë jo, nuk mund të kanoset me jostabilitet. Në fakt, mbase në një formë kurreshtare, do të thosha që e gjithë kjo dëshmon deri në një shkallë demonstrimin e mëtejshëm, aftësitë që kanë institucionet e Kosovës, se ato mund të ndryshojnë, se mund të bëhet politikë normale në kuadër të Kushtetutës.
Prandaj, mendoj se ka potencial për të qenë një zhvillim pozitiv.
RADIO EVROPA E LIRË
Zoti ambasador, kjo çështje është ngritur vetëm pesë ditë pas zgjedhjeve lokale, të cilat nga bashkësia ndërkombëtare, në masë të madhe, janë vlerësuar pozitivisht. Çfarë prisni nga raundi i dytë, gjithnjë duke pasur parasysh zhvillimet e fundit?
CHRISTOPHER DELL
Natyrisht, është raundi i dytë ai që pjesërisht po i nxit këto zhvillime, ndërkohë që të gjitha partitë vlerësojnë rezultatet e raundit të parë, i rishqyrtojnë pozicionet e tyre elektorale, pozicionet e tyre politike dhe bëjnë kalkulime dhe marrin vendime mbi këto baza.
Sërish, kjo është një politikë demokratike. Partitë politike gjithnjë kalkulojnë se ku shtrihen interesat e tyre elektorale dhe nuk është diçka problematike, nuk është diçka që duhet të shmanget, është e shëndetshme, normale dhe pozitive.
RADIO EVROPA E LIRË
Këto zgjedhje janë karakterizuar me një thyerje të traditës së bojkotit nga komuniteti serb, pavarësisht nga thirrjet e Beogradit. Ç’do të thotë kjo për Kosovën dhe Serbinë njëkohësisht?
CHRISTOPHER DELL
Mendoj se kjo shënon një zhvillim thelbësor në historinë e Kosovës dhe marrëdhënieve ndëretnike këtu. Për dhjetë vjet me radhë, popullata serbe është mbajtur peng në lojërat e brendshme politike të Serbisë.
Besoj se vota e së dielës pasqyron dëshirën e tyre për të ecur përpara, një njohje se Kosova është realitet, se shteti i pavarur i Kosovës është realitet dhe se mënyra më e mirë për të mbrojtur interesat e tyre në avancimin e mirëqenies së tyre, është në fakt nëpërmjet pjesëmarrjes në nivelin lokal të institucioneve të këtij shteti të ri.
Mendoj se kjo ka shënuar pjesërisht edhe kundërshtim karshi politikave të Beogradit dhe pjesërisht përqafim të realitetit në rritje të Kosovës së pavarur.
RADIO EVROPA E LIRË
Megjithatë, komunat veriore të Kosovës mbeten sfidë për institucionet; serbët atje i kanë bojkotuar zgjedhjet, strukturat paralele të Serbisë vazhdojnë të funksionojnë dhe është thënë se Serbia nuk do të heqë dorë nga veriu. Çfarë mendoni se duhet bërë që situata të ndryshojë?
CHRISTOPHER DELL
Mendoj se përparimi që komuniteti serb është duke e bërë në jug, evolucioni politik që po realizohet këtu, besojmë se së shpejti do të shohim një përparim të shpejtë edhe në ato komuna.
E gjithë kjo nuk mund të humbet te popullata në veri; edhe ata do të fillojnë të rishqyrtojnë nëse duan ta lejojnë veten të mbahen si pengje të lojërave politike të Serbisë.
Mendoj se ndryshimet pozitive këtu në jug, do të kenë me kohë ndikim pozitiv edhe në veri. Kjo nuk do të jetë e menjëhershme dhe nuk do të ndodhë brenda natës, sepse, fundja, jemi duke folur për një situatë të ngrirë tash e dhjetë vjet.
Por, mendoj se zhvillimet pozitive që janë duke ndodhur në jug, në fakt do të krijojnë rrethana të reja për të arritur përparim edhe në veri.
RADIO EVROPA E LIRË
Ka shumë debate për njohjen e shtetësisë së Kosovës. Sa është i kënaqshëm numri aktual i shteteve që kanë njohur Kosovën?
CHRISTOPHER DELL
Numri prej 63 vendesh nuk është për t’u neglizhuar. Ky numër përbëhet nga shumica e shteteve kryesore në mbarë botën. Së fundi, njohja erdhi edhe nga Zelanda e Re, shtet ky që është akter kyç në Paqësorin e Jugut.
Natyrisht, do të donim të kishim më shumë njohje. Mendoj se është i pamohueshëm fakti se Beogradi ka luajtur një lojë të mençur, duke e çuar këtë çështje te Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, si mjet për të ngadalësuar procesin. Por, jam i bindur se pas marrjes së vendimit, do të shohim një vazhdimësi të procesit.
Megjithatë, nuk jemi duke folur vetëm për shtetet; duhet të rikujtojmë se këtë vit Kosova i është bashkuar Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, dy institucione premiere ndërkombëtare.
Ndërkohë që duam të shohim më shumë përparim, është e kënaqshme të shihet sa larg kemi arritur.
RADIO EVROPA E LIRË
Në këtë kuadër, Bashkimi Evropian është kritikuar shpesh për mungesë të një qëndrimi unik karshi Kosovës. Cili është qëndrimi i Shteteve të Bashkuara në këtë drejtim?
CHRISTOPHER DELL
Kjo është çështje për evropianët në fakt. Natyrisht, Bashkimi Evropian është një organizatë që përbëhet nga 27 vende anëtare dhe ndonjëherë është e vështirë për ta të arrijnë konsensus në çdo çështje. Pesë vende anëtare nuk e kanë njohur Kosovën dhe ky fakt i ndërlikon vendimet për ta.
Mendoj se faktet për Kosovën flasin për vetveten. Përparimi që është arritur këtu, sforcimi i përditshëm i institucioneve këtu, të gjitha këto i demonstrojnë botës se Kosova është një shtet i pavarur dhe i aftë. Me kohë, mendoj se situata do të normalizohet vetë, përfshirë këtu edhe Bashkimin Evropian.
RADIO EVROPA E LIRË
Përmendët më herët Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Shqyrtimi i ligjshmërisë së deklaratës së pavarësisë pritet të fillojë së shpejti. Çfarë mund të pritet? A do të ndryshojë diçka?
CHRISTOPHER DELL
Nuk e besoj. Kemi parë gazetat sot se kryesuesi i Gjykatës Ndërkombëtare ka thënë se vendimet nuk ka gjasë të jenë “bardh e zi”, “po ose jo”. Vendimet do të përbëhen nga një sërë diskutimesh ligjore komplekse, bazuar në çështjet kyçe të ligjit ndërkombëtar.
Ne gjithmonë kemi menduar se ky rast gjyqësor nuk paraqet pengesë reale për Kosovën. Mbani mend, pyetja është shumë e hollë. Nuk ka të bëjë me çështjen nëse Kosova është e pavarur apo jo, askush nuk e konteston këtë realitet. Çështja, të cilën Asambleja e Përgjithshme ka kërkuar ta trajtojë Gjykata Ndërkombëtare, është mënyra se si u bë Kosova e pavarur përballë ligjit ndërkombëtar.
Mbi këtë do të ketë një vendim dhe mbase do të jetë i ndërlikuar. Nuk dua të paragjykoj se çfarë do të mund të thotë Gjykata. Por, çfarëdo që të jetë, nuk e ndryshon faktin se këtu është një shtet i pavarur që quhet Kosovë. Ne jemi duke punuar me të dhe jemi duke punuar në ndërtimin e një partneriteti me të.
* * *
Shënim: Intervista me ambasadorin Christopher Dell është realizuar në orën 10:00, para lëshimit të deklaratave nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.