Analistët për çështje politike në Prishtinë gjatë ditës së hënë presin qartësi më të madhe sa i përket ecurisë së procesit zgjedhor në komuna, rezultateve të para të këtyre zgjedhjeve dhe rrethanave në të cilat u zhvilluan ato.
Ata kritikojnë punën e Komisionit Qendror Zgjedhor të Kosovës në lidhje me shpalljen e rezultateve preliminare - të dhëna këto të cilat u bënë publike në orën 4 të mëngjesit, pas shtyrjes së termineve të parapara tri herë me radhë.
Analisti Dardan Gashi mendon se aktivitetet e KQZ-së në këtë drejtim dhe pritja e shkaktuar krijojnë pasiguri te qytetarët dhe partitë politike, si dhe, siç shprehet ai, lënë hapësirë për dyshime për manipulime gjatë procesit të numërimit të votave.
“Mendoj se është për kritikë të madhe. Mendoj se është prapë një skandal, i dyti apo i treti me radhë i KQZ-së këto ditë. Kjo, përveç se është e pahijshme, shton edhe frikën për manipulime, shton edhe pasigurinë te votuesit dhe partitë politike. Kjo është diçka për kritikë masive”, thotë Gashi.
Ndërkohë, analisti Bardh Hamzaj nuk dëshiron t’i paragjykojë arsyet në lidhje me zvarritjet e KQZ-së sa i përket publikimit të rezultateve preliminare, por shprehet i habitur në lidhje me këtë çështje.
“Është befasi, sepse ne dimë që KQZ-ja në këtë proces nuk ka qenë vetëm. E dimë që ka ekzistuar një ide për bashkëpunim me IFES-in, të jepen këto rezultate përmes sms-ve, dy orë, e më së shumti tri orë pas mbylljes së vendvotimeve”.
“Të shpresojmë se e tërë kjo është në të vërtetë një pamundësi që teknikisht të përmbyllet procesi”, thotë ai, për të shtuar se, përveç mungesës së rezultateve preliminare zyrtare, Kosovës më 15 nëntor i kanë munguar dhe të dhënat e trupave apolitikë, që kanë mbikëqyrur procesin zgjedhor në vend.
Hamzaj pret më tepër qartësi nga të dhënat e Rrjetit Evropian të Organizatave për Monitorimin e Zgjedhjeve (ENEMO), të përbërë nga 7 anëtarë, 12 vëzhgues afatgjatë dhe 108 vëzhgues afatshkurtër, që u akredituan më parë për të mbikëqyrur ecurinë e zgjedhjeve lokale në Kosovë.
“Unë pres një qartësim më të madh, për arsye se neve na mungonte qartësia apo vlerësimet e vrojtuesve të pjesëmarrësve indirektë në zgjedhje. Pres nga raporti i ENEMO-s, gjatë ditës së hënë, të qartësohet më shumë për atmosferën, për rrethanat në të cilat u mbajtën zgjedhjet e së dielës”, thotë Hamzaj.
Disa orë pas mbylljes së vendvotimeve nëpër të gjithë Kosovën, partitë politike dolën me rezultatet e para për zgjedhjet në vend.
Tri partitë kryesore, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, theksuan se kanë shënuar rritje në përqindje nëpër komunat e ndryshme në vend.
Analisti Gashi vlerëson se arritjet e këtyre partive kanë qenë minimale dhe jo të tilla siç kanë pritur vetë partitë.
“Në përgjithësi, mendoj se të gjitha partitë i kanë arritur caqet e tyre minimaliste. LDK-ja ka mundësi të mbijetojë si fuqi politike. Ajo ka fituar Prishtinën - gjë që është e sigurt. Ndoshta ka shanse të rikthehet në ndonjë qendër të madhe”.
“Në përgjithësi, të gjitha partitë i kanë arritur disa caqe minimale, ndërsa asnjëra nuk ka arritur ndonjë triumf”, shprehet Gashi.