Autoritetet evropiane dhe ato vendore në Prishtinë nuk mund të japin një agjendë të saktë kohore për nisjen zyrtare të procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën.
Derisa Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia janë në pritje të vendimit përfundimtar të Këshillit të Ministrave të Brendshëm të BE-së për këtë çështje, Kosova vazhdon ta ketë si obligim kryesor përmbushjen e kritereve të vëna nga Komisioni Evropian.
Zëdhënësja e Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë, Maja Pavloviq, thotë se askush nuk mund të thotë saktësisht se si do të duket rruga e Prishtinës zyrtare drejt liberalizimit të vizave me Bashkimin Evropian.
Kjo gjë, sipas saj, pritet të qartësohet pas krijimit të udhërrëfyesit për heqjen e vizave për Kosovën nga Komisioni Evropian, i cili do të pasojë miratimin eventual të studimit për Kosovën, në kuadër të raportit të progresit të këtij komisioni për vendin nga Këshilli i Ministrave i BE-së.
“Koha për liberalizimin e vizave për Kosovën varet shumë nga shpejtësia, me të cilën Kosova do të jetë në gjendje t’i përmbushë kërkesat e vëna për procesin e liberalizimit të vizave”.
“Unë nuk mund të jap afat të saktë kohor. Ajo që mund të bëjë Komisioni Evropian është që, diku në vitin e ardhshëm, të propozojë një listë të detajuar, të ashtuquajtur udhërrëfyes të veprimeve, të cilat duhet të kryhen nga autoritetet. Besoj se në muajt e ardhshëm, pra në vitin e ardhshëm, do të kemi më shumë qartësi se si të vazhdohet më tutje”, thekson Pavloviq.
Ndërkohë, eurodeputetja sllovene, Tanja Fajon, e cila ka përgatitur raportin për liberalizimin e vizave për vendet e Ballkanit Perëndimor, ka paralajmëruar mundësinë që aprovimi i heqjes së vizave Shengen për Maqedoninë, Serbinë dhe Malin e Zi që nga dhjetori i këtij viti, të bëhet gjatë së mërkurës nga Parlamenti Evropian.
Në kriteret, të cilat vlerësohet t’i kenë përmbushur tashmë këto vende, kërkohet një angazhim i shtuar nga institucionet kosovare.
Pavloviq shpjegon një pjesë të kritereve, të cilat pasqyrohen në studimin për Kosovën në raportin e progresit 2009, ku, po ashtu, kërkohet themelimi i një dialogu për procesin e stabilizim-asociimit.
“Ai (dokument) propozon një qasje strukturale që eventualisht mund të çojë në liberalizimin e vizave. Ky proces do të kërkonte shumë kohë dhe shumë përkushtim politik”.
“Por, në praktikë nënkupton që Kosova, pasi të ketë garantuar operacionalizimin e plotë të sistemit të riatdhesimit e të riintegrimit dhe nëse zhvillon reformat e tjera të identifikuara në këtë fushë, atëherë mund të përfshihet në dialogun për viza”.
“Kjo, gjithashtu, do të thotë se Kosova duhet t’i zbatojë të gjitha reformat e nevojshme që i kanë kryer shtetet e tjera në rajon, siç janë Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia. Pra, Kosova duhet ta përshtatë legjislacionin, t’i përforcojë kapacitetet administrative, t’i alokojë burimet e nevojshme dhe të tjera”, shprehet ajo.
Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, ndërkaq, shprehin bindjen se zhvillimet në përmbushjen e kritereve për liberalizim vizash po ecin me dinamikën e nevojshme.
Këshilltari në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës, Artan Duraku, thotë se raportet BE-Kosovë në këtë drejtim, janë kryesisht të natyrës politike dhe u referohen vështirësive që i ka Komisioni Evropian për të hyrë në marrëdhënie kontraktuese me vendin.
Kriteret e tjera, sipas tij, nuk janë aq problematike.
“Të gjitha kriteret e tjera ne i konsiderojmë si teknike”, thotë Duraku, duke shtuar se procedurat në lidhje me krijimin e pasaportave biometrike, si një ndër kushtet e vëna për liberalizim vizash me BE-në, janë në fazën finale të përgatitjes.
“Sipas të gjitha gjasave, këto dokumente do të fillojnë të lëshohen gjatë vitit të ardhshëm”, thekson ai.