Ndërlidhjet

Pengesat në luftën kundër krimit


Autoritetet kosovare thonë se luftimi i krimit të organizuar mund të arrihet vetëm përmes bashkëpunimit me vendet e rajonit. Por, për këtë, sipas përfaqësuesve të organizatave joqeveritare nga rajoni, mungon vullneti politik.


Krimi i organizuar që përfshin trafikimin me qenie njerëzore, me substanca narkotike, me armë dhe të tjera, nuk mund të realizohet në mungesë të veprimit të përbashkët të të gjitha vendeve të rajonit.

Kështu u tha, ndër të tjera, në debatin me temën “Krimi i organizuar dhe korrupsioni si pengesë”, të organizuar nga Instituti për Studime Politike në Prishtinë.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Zenun Pajaziti, tha se në vendet e Ballkanit Perëndimor ekzistojnë grupe kriminale të koordinuara, të cilët vështirësojnë punën e qeverive të këtyre vendeve, kundër krimit të organizuar.

Andaj, sipas tij, duhet të krijohet një agjendë rajonale në këtë drejtim.

“Nuk do të ketë luftim serioz të krimit të organizuar në regjionin tonë pa një bashkëpunim të ngushtë në mes nesh, pa dallim”, theksoi Pajaziti.

Mirëpo, përfaqësues të organizatave joqeveritare nga rajoni mendojnë ndryshe.

Drejtori i OJQ-së “Mans” nga Mali i Zi, Vuk Maras, tha se pjesa më e madhe e shteteve të Ballkanit Perëndimor nuk kanë vullnet politik për t’i nisur veprimet konkrete kundër krimit të organizuar.

“Fillimisht, kemi nevojë për një legjislacion të fortë dhe, në anën tjetër, kemi nevojë për sinjale të fuqishme e vullnet politik për t’i luftuar këto dukuri”.

“Po qe se Kosova, Mali i Zi, Maqedonia dhe vendet tjera do të kishin vullnetin politik, ato lehtësisht do të mund ta luftonin krimin e organizuar”,
tha Maras dhe theksoi faktin se Serbia, për dallim nga vendet e tjera, ka arritur të ndalë një rrugë të kontrabandimit me substanca narkotike me vlerë prej miliona eurosh.

Lufta kundër krimit të organizuar është një ndër kushtet e vëna nga Bashkimi Evropian për vendet që synojnë integrimin në këtë mekanizëm.

Edhe përfaqësuesi i Këshillit të Evropës, Igor Gaon, u shpreh se lufta e krimit të organizuar është e domosdoshme për realizimin e agjendës evropiane për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ai thekson se trafikimi me substanca narkotike ka ndikimin më të madh në rajon, karshi dukurive të tjera të krimit të organizuar.

“Është një rreth i gjerë dhe shumë grupe janë të përfshira në mënyra të ndryshme në të. Një raport i Europollit hap një pjesë të re të Kutisë së Pandorës, duke theksuar se rajoni i Detit të Zi është më shumë i përfshiri në kontrabandimin me drogë që hyn nga Afganistani për në Evropë”.

“Keni dhe një teori tjetër, sipas së cilës, droga hyn në Kosovë, përmes saj kalon në Serbi, nga Serbia për në Bosnjë, nga Bosnja për në Kroaci dhe kështu me radhë”.

“Por, nëse i analizoni statistikat dhe shihni se çka është gjetur në mjetet e transportit që janë ndaluar dhe kontrolluar në kufijtë e këtyre shteteve, do të vëreni se ka edhe rrugë të tjera që përdoren për kontrabandim droge. Kemi rrugën veriore, kemi rrugën jugore, atë qendrore dhe të tjera”,
sqaron Gaon.

Debati u fokusua gjithashtu mbi korrupsionin, si pjesë e krimit të organizuar.

Ndërkaq, Misioni i Bashkimit Evropian për forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë, tashmë ka filluar të merret edhe me shqyrtimin e rasteve të korrupsionit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG