Në përpjekje për të përmirësuar sundimin e ligjit në Kosovë, i cili vazhdon të jetë sfida dhe shqetësimi kryesor i mekanizmave evropianë në vend, Bashkimi Evropian ka lansuar projektin e binjakëzimit me Ministrinë e Drejtësisë, në vlerë prej 2,4 milionë eurosh.
Synim i këtij projekti, sipas autoriteteve të përfshira në të, do të jetë përafrimi i legjislacionit kosovar me atë të Bashkimit Evropian dhe shkëmbimi i informatave dhe përvojave mes përfaqësuesve kosovarë dhe atyre evropianë të sistemit të drejtësisë.
Shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë, Renzo Davidi, thotë se me këtë projekt, BE-ja synon t’i përmirësojë standardet dhe efikasitetin në fushën e drejtësisë kosovare.
“Sundimi i ligjit në Kosovë është një fushë shqetësuese për Bashkimin Evropian dhe për Komisionin Evropian. Një sistem i fuqishëm dhe funksional i drejtësisë është një shtyllë e kësaj”.
“Në raportin tonë të progresit për vitin 2009, ne vlerësuam se sistemi i drejtësisë në Kosovë mbetet i dobët, joefikas dhe i ndjeshëm ndaj ndërhyrjeve politike dhe ende ka një numër të konsiderueshëm të rasteve gjyqësore të grumbulluara. Këto janë ato që duam t’i trajtojmë me këtë projekt”.
“Natyrisht se këto sfida nuk mund të zgjidhen vetëm me anë të një projekti, por duhet të jemi mjaft ambiciozë nëse duam të kemi rezultate të mira pas 30 muajve, sa zgjat ky projekt”, vlerëson Davidi.
Gjatë këtij projekti, në Ministrinë e Drejtësisë në Kosovë do të angazhohen ekspertë nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, kryesisht nga Gjermania, Austria dhe Sllovenia, ndërsa pritet që edhe një numër i zyrtarëve të sistemit të drejtësisë të dërgohet në vendet e BE-së.
Udhëheqësi i projektit, Volker Ellenberger, shpalos një pjesë të programit të këtij projekti.
“Duke siguruar konsulta për legjislacion, ne zhvillojmë diskutime me ekspertët për hartimin e drafteve dhe asistojmë në krijimin e këtyre drafteve. Ne promovojmë zbatimin e reformave, veçanërisht përmes trajnimeve bazike dhe të avancuara të gjykatësve, prokurorëve publikë, notarëve dhe avokatëve të rinj”.
“Në seminaret, simpoziumet dhe gjatë trajnimeve e vizitave në Gjermani, do të përqendrohemi në ligjet gjermane dhe evropiane, që do të plotësohen nga përvoja e shkëmbimeve”, shprehet Ellenberger.
Forcimi i kapaciteteve administrative dhe të menaxhimit, themelimi i mekanizmit të zgjidhjes alternative të kontesteve, përmirësimi i shërbimit sprovues dhe korrektues, përmirësimi i efikasitetit të ekzekutimit të vendimeve gjyqësore dhe të akteve të tjera civile dhe ofrimi i asistencës për zvogëlimin e ngarkesës dhe të zgjatjes së procedurave në çështjet civile, do të jenë prioritetet e projektit.
Ministrja e Drejtësisë në Kosovë, Nekibe Kelmendi, thekson përkushtimin dhe mbështetjen e institucioneve kosovare për realizimin e këtyre objektivave.
“Objektiv dhe prioritet i Ministrisë së Drejtësisë është reformimi i sistemit gjyqësor, i ligjeve dhe i sistemit të drejtësisë në përgjithësi, si parakushte për forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë”, thotë Kelmendi.
Në drejtim të reformimit të sistemit gjyqësor në Kosovë, në shkurt të këtij viti, ka nisur dhe projekti për riemërimin e gjykatësve dhe prokurorëve vendorë, që cilësohet si hap i domosdoshëm për përmirësimin e këtij sektori.