Ndërlidhjet

Rreziku nga kanceri në gji


Numri i femrave të diagnostifikuara me kancer në gji në Kosovë është rritur ndjeshëm. Brenda vitit operohen rreth 100 gra që preken pikërisht nga kanceri në gji.


Shqiptar Demaçi, kirurg torakal, thotë se, fatkeqësisht, kanceri i gjirit në shumicën e rasteve diagnostifikohet kur sëmundja ka përparuar dhe është shumë vonë për t’u mjekuar.

“Kanceri i gjirit është kanceri më i shpeshtë te gratë dhe është shkaktari më i shpeshtë i vdekjes së grave nga mosha 45 - 55 vjeçare. Në Kosovë i operojmë brenda vitit rreth 120 të reja me kancer. Paraqitja e rasteve të reja nuk ka regjistër të saktë”.

“Në Evropë paraqiten 106 raste në 100 mijë gra. Prandaj, nëse e krahasojmë këtë numër me atë në Kosovë, do të duhej që të operoheshin 500 deri 1000 raste në vit, e ne i operojmë vetëm 100 raste. D.m.th., rreth 400 raste shkojnë diku tjetër, ose vdesin pa u diagnostifikuar”
, shpjegon kirurgu Shqiptar Demaçi.

Shumë gra do ta mundnin sëmundjen e kancerit në gji me anë të trajtimeve që mundëson mjekësia. Por, gjithmonë varet nga koha kur gruaja vëren sëmundjen.

Sipas Demaçit, nëse kanceri do të parandalohej në faza të hershme, atëherë edhe mjekimi do të ishte më i lehtë, si dhe prognoza do të ishte shumë më e mirë sesa në fazat e avancuara.

Mirëpo, sipas tij, duhet ende kohë për vetëdijesimin e grave në Kosovë ndaj kësaj sëmundjeje.

“Informimi nuk është i mjaftueshëm për gratë në Kosovë dhe vetëdija është ende e ulët. Gratë shkojnë me vonesë te mjeku, kryesisht në stade të avancuara të sëmundjes dhe prognoza do të jetë më e keqe”.

“Krejt intenca është që të vetëdijesohet pacienti dhe të shkojë te mjeku në mënyrë sistematike, sidomos pas moshës 30 deri 35-vjeçare, së paku një herë në vit të vizitohet te mjeku, shkaku i problemeve të kancerit në gji”,
shpjegon Demaçi.

Ndërkaq, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka mbështetur projektet e organizatave joqeveritare për t’i vetëdijesuar gratë lidhur me kancerin në gji.

Doktor Sami Uka, zyrtar në këtë organizatë, thotë se u kanë dalë në ndihmë edhe onkologëve në vend.

“Kemi mbështetur aktivitetet e shoqatës së onkologëve dhe organizatave joqeveritare, që punojnë në këtë drejtim, si ajo ‘Jeta-Vita’”.

"Gjithashtu, vitin e kaluar kemi mbështetur edhe fushatën për vetëdijesimin e grave për kancerin e gjirit dhe ecjen simbolike nëpër qendër të Prishtinës, projekt ky që simbolizon kancerin e gjirit”,
thotë Uka.

Organizata joqeveritare “Jeta-Vita”, ka për qëllim ngritjen e vetëdijes së shoqërisë ndaj kancerit të gjirit dhe zbulimin e hershëm të tij.

Nafije Latifi, zyrtare e kësaj organizate, pohon se po punojnë intensivisht në projektet, që sadopak të mund t’iu ndihmojnë grave që të mësohen t’i vërejnë ndryshimet në trupin e tyre dhe sëmundjen e kancerit në gji ta diagnostikojnë në fazat e hershme.

“Qendra kosovare për kancerin e gjirit ‘Jeta-Vita’, deri tash ka realizuar dy projekte, ndërsa kemi pasur aktivitete të shumta. Qëllimi parësor ka qenë informimi dhe vetëdijesimi i grave nga rreziku për kancerin e gjirit”.

“Kemi bërë edhe botimin e dy broshurave për mënyrën e diagnostikimit, trajtimin, rrëfime autentike të grave të atakuara nga kanceri i gjirit dhe gjithmonë duke iu falënderuar përfaqësuesve të Zyrës Amerikane, të cilët na kanë përkrahur gjatë tërë kohës, dhe me ndihmën e tyre e kemi bërë edhe funksionalizimin e zyrës sonë”
, shpjegon Latifi.

Në shtete e zhvilluara perëndimore kjo sëmundje diagnostikohet nga më shumë gra, krahasuar me Kosovën.

“Mirëpo, edhe në vendin tonë tashmë bëhet trajtimi, i cili ndihmon që kjo sëmundje të mos kthehet”
, thotë kirurgu Demaçi.

Sipas tij, njihen pesë modalitete të terapisë, të cilat Ministria e Shëndetësisë i ka siguruar, e që ndihmojnë që specialistët tanë të kenë një trajtim adekuat ndaj pacienteve si dhe një prognozë të mirë pas operacionit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG