Ndërlidhjet

A ka marrëveshje Rusi-Serbi?


Presidenti rus, Dmitri Medvedev, dhe homologu i tij serb, Boris Tadiq, gjatë takimit të tyre në Beograd, 20 tetor 2009.
Presidenti rus, Dmitri Medvedev, dhe homologu i tij serb, Boris Tadiq, gjatë takimit të tyre në Beograd, 20 tetor 2009.

Disa analistë kanë thënë se gjatë qëndrimit të Medvedevit në Beograd është arritur një marrëveshje ruso - serbe për çështjet e sigurisë, por kjo nuk është bërë publike. Për çfarë bëhet fjalë?





Ekspertët në Beograd thonë se Serbia, si neutrale në planin ushtarak, nuk mund të jetë promovuese e asnjë lloj sistemi sigurie. Ata nënvizojnë edhe pasojat negative të një vendimi të tillë eventual për rrjedhën e integrimeve evropiane.

Në Ministrinë e Mbrojtjes së Serbisë refuzojnë të bëjnë çfarëdo komenti, ndonëse Medvedev, në fjalën e tij, kishte potencuar ngjashmërinë e dy vendeve rreth kësaj çështjeje.

“Kemi qasje të ngjashme në vlerësimin e situatave ndërkombëtare dhe aspekteve të sigurisë evropiane. Ne jemi të gatshëm të promovojmë nismën tonë bashkë me partnerët serbë dhe unë i kam thënë Tadiqit se nisma u drejtohet të gjitha vendeve të Evropës, pavarësisht nga përkatësia e tyre në blloqet ushtarake”, kishte thënë Medvedev në Beograd.

Derisa opinioni në Serbi nuk ka informacione rreth ujdisë eventuale Beograd-Moskë, shtypi spekulon dhe pohon se koncepti i ri i sigurisë mbështetet në faktin se asnjë shtet apo organizatë siç është NATO nuk do të duhej të kishte të drejtën ekskluzive të ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në Evropë dhe më gjerë.

“Në esencë, nuk besoj se kemi të bëjmë me ndarje të re. Tash për tash, nuk bëhet fjalë për ndonjë aleancë të re ushtarake. Së paku, kështu nuk është thënë. Por, çfarë fshihet pas kësaj? Kjo është çështje që duhet studiuar”,
thotë Ninosllav Kërstiq.

Sipas disa informacioneve jozyrtare në Beograd, nuk përjashtohet mundësia që koncepti rus të parashohë formimin e sistemit të përbashkët mbrojtës raketor, që do të ngrihej kundër të gjitha formave të kërcënimeve për sigurinë e përbashkët.

Bashkëpunëtori i Institutit gjerman për çështje të sigurisë dhe ndërkombëtare, Dushan Reliq, pohon se hapat e Rusisë nuk janë të drejtuar nga Rusia.

“Rusia, para një viti, në njërën nga paraqitjet e para publike të Medvedevit në Berlin, propozoi krijimin e një arkitekture të re sigurie në Evropë. Me këtë nismë, Rusia synon të zëvendësojë Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian, por Rusia nuk synon të integrojë Serbinë në asnjë lidhje të veçantë bilaterale me Moskën”, thotë Reliq.

Analistët njëkohësisht thonë se, edhe nëse Serbia do të luante ndonjë rol të caktuar në nismën ruse, ajo është përcaktuar për neutralitet ushtarak.

Ninosllav Kërstiq pohon se me këtë status, Serbia nuk mund të bëhet promovuese e asnjë lloj sistemi sigurie dhe, në vazhdim, vë në pah edhe efektet negative në synimet serbe për integrimin e vendit në strukturat evropiane.

“Për aq sa kam kuptuar, Serbia, në këtë çast, dëshiron që me Evropën t’i ndajë vlerat politike, ekonomike dhe kulturore, por jo edhe çështjet e sigurisë. Ky nuk është qëndrimi i ndershëm i Serbisë ndaj Bashkimit Evropian”, konkludon Ninosllav Kërstiq. (M.K.)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG