Subjektet politike të Kosovës kanë nisur zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet lokale, të parat që organizohen tërësisht nga institucionet vendëse.
Komisioni Qendror Zgjedhor njofton se në garën për të zgjedhur kryetarët dhe këshillat komunalë, po marrin pjesë 74 subjekte politike, nga to 37 subjekte shqiptare, 21 serbe dhe pjesa tjetër e komuniteteve tjera pakicë.
E veçanta e zgjedhjeve të sivjetme është se ato do të zhvillohen edhe në katër komunat e reja, që parashihen të krijohen me planin për decentralizim. Zëdhënësi Fehmi Ajvazi shpjegon:
“Zgjedhjet tashmë dihet se do të mbahen në 36 komuna të Kosovës. Domethënë, zgjedhjet përfshijnë të gjithë territorin e Kosovës dhe ky është një vendim i kryer”.
Ajvazi thotë se KQZ-ja aktualisht po punon në emërimin e këshillave të vendvotimeve. Ai thotë se këshilla të tillë janë formuar edhe në mjediset serbe, pavarësisht rezervave që ky komunitet ka për zgjedhjet lokale.
“Po, për komunat Ranillug, Graçanicë dhe Kllokot tashmë janë emëruar këshillat e vendvotimeve”, thekson ai.
Përfaqësues të serbëve lokalë janë ende të ndarë në lidhje me pjesëmarrjen ose jo në zgjedhje, ndërsa Beogradi zyrtar ka thënë se nuk ka kushte për pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje.
Në anën tjetër, decentralizimi, që në këto zgjedhje u ofron serbëve katër komuna të reja, është përdorur si një kartë për të joshur pjesëmarrjen e tyre nga institucionet vendëse dhe prania ndërkombëtare.
Drejtori për Hulumtime të Veçanta në Institutin KIPRED, Krenar Gashi, beson se në zgjedhjet e 15 nëntorit do të ketë pjesëmarrje të madhe të votuesve serbë.
“Pjesëmarrja e serbëve do të jetë më e madhe sesa herët e kaluara, madje edhe më e madhe sesa në zgjedhjet e para që janë mbajtur në Kosovë, sepse ka shumë nisma dhe shumë politikanë serbë, që po i mbështesin këto zgjedhje dhe po i ftojnë serbët lokalë që të marrin pjesë”, thotë Gashi.
Ndryshe, hapjes së fushatës elektorale i ka paraprirë nënshkrimi i Kodit të Mirësjelljes nga ana e përfaqësuesve të partive politike.
Politikanët kosovarë janë zotuar se do të sigurojnë zgjedhje të lira dhe të drejta. Në këtë frymë është shprehur sot edhe kryeministri Hashim Thaçi, i cili ka kërkuar fushatë korrekte.
Kjo ka qenë edhe kërkesa e pranisë ndërkombëtare në Kosovë, përfaqësues të së cilës i kanë konsideruar zgjedhjet lokale si një test për demokracinë, meqë zhvillohen për herë të parë në Kosovën e pavarur.
Krenar Gashi, nga Instituti KIPRED, tërheq vërejtjen për parregullsitë eventuale.
“Vërehet një tendencë dhe tension brenda partive politike, sa u përket tendencave eventuale për manipulim me fletëvotimet dhe kjo vjen si pasojë e zgjedhjeve të kaluara, ku, me gjithë keqpërdorimet që janë bërë dhe kanë qenë evidente, askush nuk është ndjekur penalisht”.
“Kjo është e rrezikshme, sepse gjithë sytë e botës janë të drejtuar kah autoritetet kosovare, se sa ne jemi në gjendje të organizojmë një proces fundamental demokratik, siç është procesi i zgjedhjeve”, shprehet Gashi.
Nga zgjedhjet e sivjetme, sipas Krenar Gashit, kryetarët e rinj të komunave do të dalin me më shumë kompetenca se ç’kishin paraardhësit e tyre. Kjo, sipas tij, do të bëjë që pas shumë fushatave zgjedhore, të mos dominojë më agjenda nacionale, por të jepen premtime për përmirësimin e jetës në nivel lokal.
“Janë zgjedhjet e para lokale që mbahen me lista të hapura, e që nuk janë bashkë me nacionalet. Kjo i bie që partitë politike do të fokusohen shumë më shumë në politikat lokale dhe në hallet e problemet që i kanë qytetarët dhe kujtoj se agjenda nacionale nuk do të jetë pjesë e kësaj fushate”, thotë Gashi.