Papunësia dhe zhvillimi ekonomik janë shqetësimet kryesore të qytetarëve në 33 komuna të ndryshme në Kosovë. Ky konkludim del nga raporti i Programit për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara “Mozaiku i Kosovës”, i cili është zhvilluar me rreth 6400 të anketuar në zona të ndryshme në Kosovë.
Drejtori i UNDP-së në Kosovë, Parviz Fartash, tha se raporti u jep autoriteteve lokale në Kosovë një pasqyrë të rëndësishme për nevojat e qytetarëve, të cilat, sipas respondentëve të këtij projekti, duhet përmirësuar.
“Ky raport vë në pah se njerëzit mendojnë se gëzojnë më shumë qasje në shërbimet lokale, krahasuar me vitet e kaluara. Sidoqoftë, ata nuk janë të kënaqur me cilësinë, gjë që paraqet një sfidë të rëndësishme për menaxhuesit lokalë, por, në të njëjtën kohë, një mundësi të mirë për t’i vënë gjërat në vendin e duhur në të ardhmen”.
“Respondentët menduan se autoritetet lokale kanë bërë një punë më të mirë në këtë drejtim në vitet e kaluara, por kanë theksuar se do të preferonin më shumë informata në lidhje me menaxhimin dhe shpërndarjen e shërbimeve”, tha Fartash.
Raporti i këtij viti vlerësohet të jetë më pozitiv sesa ai i publikuar tre vjet më parë. Sipas raportit, vërehet një optimizëm më i madh në radhët e qytetarëve në lidhje me qeverisjen lokale, por brengat kryesore, siç thuhet, kanë të bëjnë me shërbimet publike, pastaj dhe çështje të amvisërisë, siç janë furnizimi me energji elektrike dhe të tjera.
Po ashtu, theksohet se shumë familje janë të kënaqura me gjendjen e tyre aktuale ekonomike, krahasuar me vitet 2003 dhe 2006, porse, siç thuhet, janë më pak optimiste në lidhje me statusin e ardhshëm financiar.
Drejtori ekzekutiv i asociacionit të komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, shprehu mendimin se në këtë drejtim duhet të ketë një angazhim gjithëpërfshirës të institucioneve kosovare.
“Sa i përket mirëqenies sociale, ka raste që bashkëpunimi institucional mungon apo koordinimi horizontal ndërmjet ministrive të ndryshme nuk është në nivelin e kënaqshëm. Për këtë arsye, komunat e Republikës së Kosovës kanë sfida të mëdha në implementimin e legjislacionit ekzistues“, tha Ibrahimi.
Mirëpo, sipas Drejtorit të Zyrës për Demokraci dhe Qeverisje në USAID, Jose Garzon, trendet në këtë drejtim janë kryesisht pozitive.
“Raporti thekson se rreth 90% e qytetarëve mendojnë se komunat mund t’i zgjidhin problemet e tyre. Mbi 80% e qytetarëve besojnë se përfaqësuesit lokalë mirëpresin pjesëmarrjen e qytetarëve në procesin e vendimmarrjes. Kjo tregon se një shumicë domethënëse beson se decentralizimi është duke funksionuar”, u shpreh Garzon.
Raporti “Mozaiku i Kosovës” është i treti me radhë i publikuar nga UNDP-ja. Ky raport, për herë të parë, u publikua në vitin 2003, e më pastaj edhe në vitin 2006. Autoritetet kosovare janë zotuar se do t’i marrin parasysh të dhënat e këtij raporti.