Marrëveshja e nënshkruar ndërmjet ministrit të Jashtëm turk, Ahmet Davutoglu, dhe kolegut të tij nga Armenia, Eduard Nalbandian, në ceremoninë në Cyrih të Zvicrës, duhet të miratohet në parlamentet e të dy vendeve.
Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Havier Solana, dhe ministri i Jashtëm francez, Bernar Kushner, ishin në mesin e diplomatëve të lartë që morën pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes ndërmjet Turqisë e Armenisë, të shtunën e kaluar.
Analistja e Radios Evropa e Lirë, Liz Fuller, thotë se protokollet e nënshkruara kanë rëndësi kuptimplote.
“Protokolli i parë afirmon dëshirën e të dyja palëve për krijimin e marrëdhënieve normale diplomatike, që përfshijnë edhe raporte të mira fqinjësore. Protokolli i dytë thekson hapat që do të ndërmerren, pasi të krijohen këto raporte të mira”, thotë analistja Fuller.
Por, marrëveshja e nënshkruar ka shkaktuar reagime të përziera.
Azerbajxhani e ka kritikuar Turqinë për normalizimin e raporteve me Armeninë, duke thënë se normalizimi para tërheqjes së trupave të Armenisë nga territori i okupuar në Azerbajxhan, do të ishte “në kundërshtim të drejtpërdrejtë me interesat e Azerbajxhanit”.
Turqia ka lidhje të afërta kulturore me Azerbajxhanin, i cili, nga ana tjetër, ka bërë presion ndaj Ankarasë për të ndihmuar në kthimin e enklavës së okupuar Nagorni Karabah.
Në vitin 1993, Turqia i ndërpreu marrëdhëniet diplomatike dhe i mbylli kufijtë me Armeninë, në shenjë të mbështetjes për aleatin e saj, Azerbajxhanin, që luftonte kundër separatistëve armenë për kontroll ndaj rajonit Nagorni Karabah.
Forcat armene i detyruan trupat e Azerbajxhanit që të tërhiqen gjatë një lufte, nga e cila u vranë afro 30 mijë vetë.
Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, u tha të të dërguarve të Turqisë dhe Armenisë se marrëveshja ishte shumë e rëndësishme dhe se ajo nuk duhet të dështojë. Ajo theksoi se gjatë këtij procesi ishte konsultuar disa herë me presidentin amerikan, Barak Obama.
Analistja Liz Fuller thotë se çështja kryesore, ajo e ratifikimit të marrëveshjes në parlamentet e të dy vendeve, nuk do të jetë e thjeshtë.
“Megjithëqë Partia Republikane e Serge Sarkishianit e ka kontrollin në Parlamentin e Armenisë, ka shumë frikë në Armeni se protokollet i japin shumë koncesione Turqisë. Nga ana tjetër, në Parlamentin e Turqisë, mund të ndodhë që të refuzohet marrëveshja, derisa Armenia të bëjë koncesione madhore lidhur me konfliktin në Nagorni Karabah”, thotë Liz Fuller.
Marrëveshja është pritur me protesta në Armeni dhe në mesin e diasporës armene, në të cilat u tha se protokollet nuk e shqyrtojnë plotësisht vrasjen e qindra-mijëra armenëve nga Perandoria Osmane, në vitin 1915.
Armenët dëshirojnë që Turqia t’i njohë këto vrasje si akt i gjenocidit, por të gjitha qeveritë e Turqisë kanë refuzuar ta bëjnë këtë.
Sipas marrëveshjes, parashihet që një komision i përbashkët, i pavarur i historianëve, ta studiojë këtë çështje.