Procesi gjyqësor për rastin e vrasjes së Mon Balajt dhe Arben Xheladinit gjatë protestës së Lëvizjes Vetëvendosje, më 10 shkurt 2007, nuk do të përfundojë me kompensimin, të cilin Zyra Qendrore e OKB-së është e gatshme t’ua ofrojë familjeve të viktimave.
Kështu thonë përfaqësues të administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë, të cilët theksojnë se, përveç ofrimit të kompensimit, do të vazhdojë dhe procesi penal. Zëdhënësi i UNMIK-ut, Rasell Giki, shpjegoi:
“Ka gjithashtu një proces penal. Kjo është ajo që Zyra e prokurorit ia ka vënë Gjykatës së Lartë të Rumanisë për Drejtësi, e cila aktualisht po heton këtë rast”, tha Giki, për të shtuar se UNMIK-u i ka ofruar mbështetjen e plotë shtetit rumun.
“Natyrisht se UNMIK-u i ka vënë në dispozicion kopjet e të gjitha dokumenteve që ka pasur për këtë rast. Këto u janë dhënë prokurorëve në Rumani”, theksoi Giki.
Ai tha se vetë fakti që OKB-ja ka pranuar t’u ofrojë kompensim familjeve Balaj dhe Xheladini, dëshmon se kjo organizatë është e gatshme të marrë përgjegjësinë për rastin.
Mirëpo, organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut kanë shprehur shqetësimin e tyre në lidhje me ofertën për kompensim të OKB-së.
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, përmes një komunikate për media, ka kërkuar që fillimisht të jepet përgjegjësia penale për policët rumunë, përgjegjësia penale për urdhërdhënësit dhe për ata që, siç thuhet, nuk e penguan krimin, si dhe përgjegjësia politike.
“KMDLNJ mëson se tashmë administrata e UNMIK-ut ka pranuar që për krimin që ka bërë, t’i ofrojë si kompensim familjes së Arben Xheladinit shumën prej 150, 000 eurosh, ndërsa familjes së Mon Balajt kompensim në vlerë prej 50, 000 deri në 55, 000 euro”.
“KMDLNJ e denoncon këtë manipulim të administratës së UNMIK-ut dhe e vlerëson si një veprim të paskrupullt për t’i shfajësuar policët e UNMIK-ut që e kryen këtë krim”, thuhet në komunikatën e KMDLNJ-së.
Lëvizja Vetëvendosje, atëherë organizatore e protestës, e cilësoi ofertën për kompensim me të holla te familjarët e viktimave si të pritshme, për shkak të, siç thuhet, natyrës së misonit të UNMIK-ut.
Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, tha se kjo administratë po bën përpjekje për ta mbyllur rastin, duke e reduktuar problemin në një problem material.
“Ajo çka ka bërë UNMIK-u në këtë rast, është përsëritje e krimit të parë, për shkak se, në vend se të realizohet kërkesa e familjarëve, e ‘Vetëvendosjes’ dhe e gjithë shoqërisë kosovare, që të gjenden ata që kanë kryer krimin e të marrin dënimin e merituar edhe politik, por edhe penal, ata kanë reduktuar problemin në çështje materiale”, u shpreh Konjufca.
Në protestën e 10 shkurtit të 2007-ës, përveç dy viktimave të vrara, ishin lënduar dhe dhjetëra protestues të tjerë. Organizata vendore dhe ndërkombëtare, kohë më parë, kishin kërkuar dënimin e fajtorëve për vrasjen e dy të rinjve shqiptarë, derisa autoritetet kosovare i kishin kritikuar për shkak se nuk kanë bërë një hetim të pavarur për këtë ngjarje.