Ndërlidhjet

Si do të realizohet financimi nga Beogradi?


Autoritetet kosovare dhe ekspertët për decentralizim thonë se bashkësia ndërkombëtare duhet ta bindë Beogradin zyrtar ta ndërpresë financimin e strukturave paralele serbe në Kosovë. Këto ndihma, sipas tyre, janë të mirëseardhura për Kosovën, po qe se bëhen në përputhje me pakon e Ahtisarit dhe sistemin bankar kosovar.


Praktika e furnizimit financiar të strukturave paralele serbe nga Beogradi zyrtar është agresion ndaj shtetit të Kosovës.

Këtë vlerësim e japin zyrtarët qeveritarë dhe ekspertët për decentralizim në Kosovë, të cilët thonë se mjetet financiare, asistenca teknike dhe çfarëdolloj ndihme tjetër për komunat me shumicë serbe duhet të bëhet në përputhje me planin e Ahtisarit.

Duke folur për të hollat, të cilat ndahen nga buxheti i Serbisë për serbët e Kosovës, këshilltari i ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Skënder Zogaj, thotë se krijimi i komunave të reja serbe dëshmon për angazhimin e shtetit të Kosovës për t’i bindur serbët kosovarë të heqin dorë nga, siç thuhet, mënyrat ilegale të përfitimit.

“Serbia po tenton në mënyrë të egër ta ruajë qasjen e saj në Kosovë. Mirëpo, jam i bindur se kjo qasje e egër nuk mund të shkojë gjatë, sepse edhe vetë qytetarët e Kosovës nëse, tashmë, janë mësuar që të kenë një burim të fshehtë, atëherë realizimin e atyre mjeteve në Kosovë nuk do të mund ta institucionalizojnë kurrë”, thotë Zogaj.

Ai thekson se do të ketë një insistim të vazhdueshëm të ekzekutivit kosovar karshi mekanizmave ndërkombëtarë për ta bindur Beogradin ta ndalë furnizimin e strukturave paralele serbe në Kosovë.

Mirëpo, eksperti për decentralizim, Dardan Gashi, thotë se aktualiteti po tregon se as institucionet vendore, e as ato ndërkombëtare, nuk kanë bërë sa duhet për ndalimin e një praktike të tillë, e cila, sipas tij, nuk është ndërprerë që nga paslufta.

Kjo do të ishte trajtuar si agresion - pra, nëse një shtet vazhdon të ushtrojë autoritet në një shtet fqinj. Bashkësia ndërkombëtare, ose një pjesë e saj, vazhdon ta lejojë këtë situatë, kurse Qeveria e Kosovës fatkeqësisht nuk është angazhuar sa ka pasur nevojë që të ndërpriten këto praktika”, vlerëson Gashi.

Plani i Ahtisarit ia jep të drejtën shtetit serb që të bashkëpunojë me komunat me shumicë serbe në shëndetësi, edukim dhe të tjera, por fondet që dërgohen nga Serbia për në Kosovë të shkojnë përmes sistemit bankar kosovar, në mënyrë transparente dhe publike.

Duke kujtuar negociatat për këtë dokument, Gashi thotë se i takon Zyrës Civile Ndërkombëtare ta bindë qeverinë serbe që ta zbatojë këtë metodë.

Premtimi ka qenë që pas koncesioneve, të cilat i kemi bërë atë kohë, të ndërpritet funksionimi i institucioneve paralele serbe dhe ato të futen në kuadër të sistemit politik-juridik të Kosovës”.

“Zyra Ndërkombëtare dhe Bashkësia Evropiane e ka si obligim dhe për borxh ndaj institucioneve të Kosovës që ta ndërpresë këtë praktikë, sidomos pasi që janë obliguar që atëherë se, nëse ne i ofrojmë disa koncesione, ata të kujdesen që këto praktika të ndërpriten”,
shpjegon ai.

Qeveria serbe, ndërkohë, vazhdon ta hedhë poshtë planin e Ahtisarit.

Këshilltari në Ministrinë e Pushtetit Lokal, Zogaj, vlerëson se çfarëdolloj ndihme që do të ofronte qeveria serbe në përputhje me këtë pako dhe me ligjet e Kosovës, do të mirëpritej nga institucionet dhe qytetarët e Kosovës.

“Bashkëpunimi institucional dhe ndihma që do të vinte, do të ishte gjëja më e mirë në këto rrethana”.

“Ne jemi shumë të bindur që grupet e caktuara, edhe po t’ju thotë dikush që në mënyrë ilegale të fusin ndihma në Kosovë, nuk do ta bëjnë këtë gjë”,
thekson Zogaj.

Alokimi i mjeteve financiare që vijnë nga Beogradi, sipas ekspertëve dhe analistëve, është më i theksuar në veri të Kosovës, për shkak se, siç thuhet, institucionet vendore nuk i kanë instaluar strukturat shtetërore.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG